Koment 20 Apr 12

Pajtimi si temë-tabu politike

Pajtimi ka humbur rëndësinë e tij në axhendat politike të vendeve ish Jugosllave. 

Dinko Gruhonic
Iniciativa KOMRA
Novi Sad

Pas shprehjeve të përkrahjes deklarative për KOMRA- janë heshtur zërat e kryetarit të Serbisë dhe Kroacisë, Boris Tadiqit dhe Ivo Josipoviqit, në këtë temë. Janë rralluar edhe takimet e dy kryetarëve, të cilët në një moment aq shpesh janë takuar sa që kemi menduar se janë bërë miqtë më të mirë. Qartazi, tema e pajtimit në këtë moment as për njërin e as për tjetrin nuk është prioritet. Josipović, përmes shoqërimit me Tadić-in, në të vërtetë, është pozicionuar kundër pushtetit të atëhershëm , të cilin e udhëhiqte BKD (HDZ). Tadić ka vlerësuar se nuk guxon për ta “tepruar” me pajtimin, për shkak “të krijimit të drejtpeshimit”  me të ashtuquajturën opozitën patriotike.

Në Serbi janë shpallur zgjedhjet, kurse është përafërsisht e qartë se tema e KOMRA-s nuk do të jetë pjesë e retorikës parazgjedhore të faktorëve kryesor politik të këtushëm. Për zgjedhjet, si edhe zakonisht, do të ketë llomotitje të temave demagogjike sociale dhe patriotike, kurse zëri i viktimave do të mbetet - prapë - në fund.

Bosnja dhe Hercegovina ende është e përçarë nga problemet e saj vetjake të brendshme dhe, së këndejmi, i bie që askush nga politikanët në këtë shtet “nuk ka kohë” të merret me temën e pajtimit, qoftë edhe nëse ajo është kyçe për të ardhmen e këtij shteti. Përshtypja është se politikanët e veçantë të BH, në të vërtetë kanë interes që kurrë të mos arrihet deri te vërtetimi i fakteve  mbi luftërat e kaluara, në mënyrë që deri në pafundësi të mund të vazhdojnë të qeverisin në të njëjtën amzë, e cila edhe ka çuar deri te lufta.

Maqedonia, megjithëkëtë, është gjendur në vorbullën e nacionalizmit, që seriozisht kërcënon të përshkallëzojë në diçka shumë më të keqe se sa përleshjet e vogla. Opinioni publik i atjeshëm, madje edhe po të donte, tash frikohet ta shtrojë çështjen e ballafaqimit me konfliktin e vitit 2001, sepse konsideron se kjo do të ishte hedhje e benzinës në zjarr. Kosova, po ashtu, është e preokupuar me vetveten dhe me luftërat në skenën e brendshme politike, kurse ideja e KOMRA-s në Slloveni , në të vërtetë, vetëm tash duhet të promovohet, për shkak të qëndrimit mbizotërues të opinionit publik se ballafaqimi me të kaluarën jo të largët është histori, me të cilën ky shtet pak a shumë nuk ka të bëjë.

Vetëm Podgorica zyrtare, ku PDS nuk vjen në shprehje, ka “guxim”, jo vetëm ta përkrah KOMRA-n, por edhe që, në formën e figurës së kryetarit Filip Vujanović, të ofrohet si „avokat” i idesë në tërë rajonin. Kryetari malazias i është ka drejtuar  me një letër kryetarëve të të gjitha shteteve në rajon në lidhje me KOMRA-n. Çështja është se a thua dikush e ka lexuar atë dhe a e ka kuptuar porosinë...

Politikanëve nacionalist nuk iu shkon për shtati vërtetimi i fakteve dhe  „kthimi në të kaluarën”. Ata angazhohen për këtë logjikë: „Mjaft më me rrëfime për të kaluarën, ejani le ta planifikojmë të ardhmen.” Kurse nëse tashmë duhet të flasin për të kaluarën e afërme, për te flasin nga aspekti i “të vërtetave” personale. Sepse në mesin e tyre ka edhe të atillë të cilët, kështu ose ashtu, kanë marrë pjesë në krimet. Kurse sa ka të bëjë me partitë politike “pro evropiane”, logjika e tyre është: „Me to le të merren ata, të cilët në kuzhinat e tyre i kanë përgatitur luftërat dhe krimet.”

„Bindja” e politikanëve në rajon se KOMRA është jo vetëm nevojë, por edhe një prej parakushteve për çfarëdo të ardhmeje, nuk do të jetë e lehtë. Fundja, askush nuk ka pritur se ata duan të binden. Por ideja e KOMRA-s e ka peshën e saj, të personifikuar në  550.000 nënshkrimet e qytetarëve të rajonit, në 150 konsultimet me përfaqësuesit e spektrit të gjerë të shoqërisë civile, që kanë rezultuar me miratimin e Propozim Statutit të komisionit të ardhshëm, në qindra organizata dhe në mijëra individë të njohur, të cilët e kanë përkrahur Nismën për KOMRA-n.

Sepse, nëse shtetet e këtij rajoni vërtet dëshirojnë të bëhen pjesë e hapësirës bashkëkohore civilizuese, atëherë duhet t’iu përmbahen edhe masave, të cilat në shoqëritë e tilla vlejnë. Për këtë arsye ia vlen të apelohet edhe në politikanët evropian që të jenë aleat të KOMRA-s dhe që, kohë pas kohe, “ta freskojnë kujtesën” me bashkëbiseduesit e tyre ballkanik. Por, punën kryesore, megjithëkëtë, duhet ta bëjmë me vetveten dhe me politikanët tanë. Sa më herët- aq më mirë.

Autori është gazetar nga Novi Sadi  dhe anëtar i Ekipit Rajonal të avokuesve të Nismës KOMRA

 

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy Premium Subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

blog comments powered by Disqus