Gjykata në Bosnjë dhe Hercegovinë dënoi Ratko Dronjakun me 15 vjet burgim për krime të kryera në burgjet në territorin e Dvarit, midis 1992 dhe 1995.
Dronjak u shpall fajtor për marrje pjesë në krijimin dhe funksionimin e një sistemi abuzimi që kishte për qëllimin krijimin e një atmosfere terrori dhe kryerje krime ndaj civilëve dhe ushtarëve të burgosur të ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Këshillit të Mbrojtjes Kroate.
“Trupi Gjykues vërtetoi përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Dronjaku, si kujdestar dhe komandant i burgut në shkollën fillore ‘Slavko Rodic’ dhe në kampin në Kamenicë, ishte në dijeni të synimit dhe qëllimit të përbashkët kriminal për të dëbuar joserbët nga territori i Provincës Autonome të Krajinës”, tha Minka Kreho, gjyqtarja kryesuese e Trupit Gjykues.
Vendimi i shkallës së parë e shpalli Dronjakun fajtor për krime ndaj njerëzimit, për të cilat u dënua me shtatë vjet burgim, dhe krime ndaj civilëve, për të cilat u dënua me nëntë vjet, por Trupi Gjykues lëshoi një vendim të përbashkët prej 15 vitesh burgim.
Dronjak u dënua nga gjykata në Bosnjë për marrje pjesë në krijimin e një sistemi burgimi dhe abuzimi të civilëve dhe të burgosurve të luftës me kombësi joserbe, të cilët iu nënshtruan torturave, abuzimit, punës së detyruar, dhe vrasjeve të përditshme në shkollën fillore “Slavko Rodic, dhe kampin në Kamenicë.
“Rrahjet konstante të të burgosurve, nga rojet që ishin në komandën e drejtpërdrejtë të Dronjakut, kanë pasur pasoja tepër të rënda, duke qenë se të burgosurit ishin të uritur dhe jetonin në kushte johigjienike. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre nuk kanë mbijetuar”, tha gjyqtarja Kreho.
Vendimi i shkallës së parë e shpalli Dronjakun fajtor për vdekjet e më shumë se dhjetë të burgosurve në kampin Kamenica në periudhën e viteve 1994 dhe 1995, të cilët vdiqën nga abuzimet dhe torturat.
Dronjak u dënua gjithashtu për vrasjen e Fikret Begicit, ushtarit boshnjak, i cili u soll në kampin në Kamenicë në vitin 1994.
Gjykata e liroi Dronjakun nga dy akuzat në aktpadi që e akuzonin për vrasjen e disa personave të marrë nga kampi në Kamenicë.
Trupi gjykues shpjegoi se aktgjykimi bëri një rikualifikim të aktit dhe se Dronjaku u dënua për krime ndaj civilëve dhe jo të burgosurve të luftës, sepse u vërtetua se ushtria boshnjake dhe anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes Kroate i kishin dorëzuar armët.
“Në raste si këto, sipas praktikave ligjore këta persona duhet të gëzojnë të njëjtën mbrojte sikur të ishin civilë”, tha gjyqtarja kryesuese Kreho.
Në shpjegimin e saj të aktgjykimit, Kreho tha gjithashtu se Trupi Gjykues konsideroi si “situatat veçanërisht lehtësuese” faktin që Dronjaku ka shëndet të dobët dhe familje.
“I pandehuri nuk ka precedentë penalë dhe është sjellë jashtëzakonisht mirë gjatë gjyqit. Gjithashtu, duket theksuar se krimet në burg kanë ndodhur veçanërisht natën, kur nuk ishte prezentë, dhe në disa raste ai vetë i ka çuar të burgosurit për të vizituar familjet e tyre dhe se batanije dhe ushqim është dërguar në kamp”, tha Kreho.
Ka mundësi që vendimi të apelohet në Dhomën e Apelit në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.