Home Page
 
EnglishBos/Hrv/SrpRomânăБългарскиМакедонски 28 Oct 10

Varësia nga pilulat pushton Ballkanin

Përdorimi i qetësuesve dhe antidepresantëve duket se është në rritje në Evropën Juglindore, ndërsa njerëzit luftojnë të shërohen nga luftrat e fundit dhe të përballen me streset e konsumerizmit modern.

By Mila Popova
in Sofia, Belgrade, Sarajevo, Banja Luka and Glasgow

“Fillova me një qetësues të lehtë në shkollë por pak nga pak ai filloi të mos kishte ndikim tek unë, kështu që iu drejtova qetësuesve të fortë që atëherë ishin në shitje të lirë,” thotë “Radosta” duke kujtuar fillimin e historisë së saj të gjatë të varësisë. 

“E njëjta gjë ndodhi me ta, filluan ta humbnin efektin kështu që më duhej ta rrisja dozën ose të merrja mjekime më të forta,” shpjegon ajo. 

“Abuzova me ta për vite  me radhë para se të filloja të pija. Dhe kur m'u desh të trajtohesha për alkoolizëm në spital, u ngula në antidepresantë.”

Radosta është moderatore e forumit të parë bullgar në internet për dhënien e ndihmës psikologjike ndaj të varurve nga ilaçet apo ish-përdoruesve të tyre. Ajo beson se shumë nga ata që kërkojnë ndihmë në faqen e internetit Lekarstveno Zavisimi -  që është pjesë e rrjetit botëror Pills Anonymous - shpesh kanë përfunduar në një rreth vicioz varësie si pasojë e dhënies së recetave nga doktorët sipas qejfit.

Historia e Radostës duket se është shumë e zakonshme në Bullgari dhe shtetet e tjera të Ballkanit, ku ngjan që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po varen nga ilaçet psikoaktive, hapa që veprojnë në sistemin qendror nervor ose ndryshojnë balancën kimike të trurit. 

Disa doktorë familjeje llogarisin që të paktën 20 për qind e pacientëve të tyre të rritur janë të varur nga këto forma mjekimi. 

Të varurit i përdorin ato për t'u përballur me problemet psikologjike, personale dhe sociale, shqetësime që shpesh lidhen me presionet dhe ankthet e krijuara nga tranzicioni në një shoqëri moderne konsumatore.

Ndërsa nivelet e stresit rriten në shoqëritë e Ballkanit dhe përqasja ndaj mjekimeve mbetet e lehtë, numri i të varurve prej tyre rritet. Por shkalla e problemit mbetet e fshehur, pjesërisht për shkak të stigmës që rrethon kërkesën për ndihmë psikologjike. Pranimi i problemeve psikologjike ende është tabu në rajon, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për metodat që përdorin njerëzit për t'i luftuar. 

Ndërkohë, shërbimet e varfra qeveritare të shëndetit mendor, ndërthurë me praktikuesit e stërmunduar dhe të lodhur, duket se i ka shtyrë shumë doktorë të japin gjithnjë e më shumë ilaçe. 

Përveç dëmit që i bëjnë këto ilaçe individëve, është edhe problemi më i gjerë lidhur me dëmin që kjo përqindje varësia shkakton mbi shoqërinë në përgjithësi. 

“Varësia nga hapat i bën njerëzit të përhumbur në jetën familjare dhe në vendin e punës”, paralajmëron analistja sociale Adriana Kulevçelieva në Sofje. 

“Përfytyroni që këta njerëz i japin mësim fëmijëve tuaj, drejtojnë autobusin që të çon në punë ose të instalojnë pajisje elektrike në shtëpi.”

Shitje ekstreme

Shifrat tregojnë që shitjet e pilulave psikoaktive janë shtuar së tepërmi në vitet e fundit në Bullgari si dhe në Serbinë e Bosnjë Hercegovinën fqinje. 

Agjencia e Ilaçeve Bullgare, që është pjesë e ministrisë së shëndetësisë, thotë se ilaçet që trajtojnë sistemin nervor janë ilaçet e dyta për nga shitja pas hapave të sëmundjeve të zemrës.

Statistikat janë të ngjashme edhe në Serbi. Sipas Agjencisë së Ilaçeve dhe Pajisjeve Mjekësore, ilaçet që ndikojnë mbi sistemin qendror nervor përbëjnë 15 për qind të shitjeve të përgjithshme të ilaçeve më 2009. Në 2008, për shembull, u shitën 7.3 milionë paketa bromazepam dhe mbi 4.6 milionë paketa bensedin, të dy qetësues.

Të dyja shifrat janë në ngritje me rreth 1.5 milionë paketa nga shifrat e vitit të kaluar. Numri i antidepresantëve shitur në Serbi është ende i vogël me më pak se 300.000 paketa në vit, por shitjet në këtë sektor janë gjithashtu në rritje. 

Marrja e mjekimit psikoaktiv është e lehtë në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Bosnjë, ku nuk ka rregullore të ashpra të Bashkimit Evropian. Qetësuesi më popullor, bensedini, mund të blihet me pak lojë aktoreske në shumicën e farmacive të periferive të Beogradit. Për të parë nëse situata ishte e njëjtë në Sarajevë, Inesi mori rolin e pacientes. Ajo ia doli të blinte nga disa farmaci diazepam, një qetësues tjetër popullor, duke pretenduar se i duheshin për gjyshen.

Jovana, një e re nga Beogradi, përshkruan se si gjyshja e saj shpesh merr qetësues pa recetë, që mandej i lë në shtëpi. 

“Bensedini ishte pjesë e ndihmës së shpejtë në shtëpinë tonë, si aspirina apo jodi,” thotë ajo. 

Ç'janë antidepresantët?

Antidepresantët janë një brez relativisht i ri ilaçesh që ndikojnë nivelet e serotonin në tru. Ata nuk veprojnë menjëherë në sistemin qendror nervor si qetësuesit, por kanë efekt akumulativ. 

Pacientët duhet t'i marrin nga dy deri në gjashtë javë që hapat të kenë efekt. Marrja e tyre duhet të vazhdojë për disa muaj. Ata shpesh shkaktojnë pasoja të pakëndshme anësore, si  thatësi në gojë, marrje mendsh, depresion dhe ankth. 

Ndalimi i marrjes së tyre duhet të fillojë disa muaj mbasi janë zhdukë simptomat e depresionit. Antidepresanti më popullor është Prozac-u, substanca kryesore tek i cili është floroksetina. 

Në Sofje qetësuesit nuk mund të blihen pa recetë.

Qysh se Bullgaria iu bashkua Bashkimit Evropian katër vjet më parë, vetëm farmacistët e licencuar mund t'i shesin dhe secila shitje duhet raportuar tek autoritetet. 

Shitjet e antidepresantëve janë më pak të kontrolluara. Ata ende mund të blihen pa recetë në shumicën e farmacive të vogla të periferive. 

“Prej vitesh të tëra, një biznesmene serioze ka ardhur çdo muaj për një paketë Deanxit,” thotë një punonjës farmacie nga qendra e Sofjes, duke iu referuar një marke të njohur antidepresanti.

“E njoh atë, dhe ia jap, kështu që ajo s'ka pse shkojë te doktori çdo muaj që t'i japë recetë,” shton farmacisti. 

Dhimbjet e lënies

Pasojat negative të varësisë nga qetësuesit janë ditur prej kohësh. Praktikantët e përgjithshëm në Bullgari e Serbi, të cilët pranuan të flisnin vetëm me kushtin e anonimitetit - thonë se janë të vetëdijshëm që përdorimi i stërzgjatur i tyre çon në varësi.

Por ata e pranojnë që vazhdojnë të lëshojnë receta sepse shumë pacientë varen prej tyre. 

Zakonisht, thonë doktorët, këta janë pacientët e moshuar që vuajnë nga problemet e shumta fizike si dhe ankthet që lidhen me moshën. Lënia e hapave do të ishte më dëmtuese për shëndetin e tyre sesa vazhdimi i mjekimit, ngulmojnë ata. 

Një praktikante e përgjithshme në Sofje llogarit që 20 për qind e pacientëve të saj i vijnë vetëm për receta qetësuesish.


Ç'janë qetësuesit?
Qetësuesit dhe benzodiazepinat e përdorura përgjithësisht kanë efektin e menjëhershëm të largimit të ankthit duke qetësuar sistemin qendror. Specialistët besojnë se periudha maksimale e marrjes së tyre duhet të jetë një muaj deri në gjashtë javë maksimalisht. Ata rriten në toksivitet kur kombinohen me alkoolin dhe ka pasur disa raste njerëzish që kanë kaluar në mbidozë. Qetësuesi më i përdorur në Ballkan është diazepami, i njohur edhe si valium.

Petko Veliçkov, psikiatër në Sofje, thotë se doktorët nuk duhet t'i llastojnë pacientët në këtë mënyrë sepse përdorimi i stërzgjatur i këtyre ilaçeve mund të çojë në çrregullime mendore, humbje kujtese dhe probleme të tjera psikologjike. 

Debati mbi pasojat e përdorimit në kohë të antidepresantëve dhe se a çojnë ata në varësi, është ende i hapur. 

Përfaqësuesit e shoqatave psikiatrike në Bullgari, Bosnjë e Serbi thonë se përkufizimi klasik i varësisë - një dëshirë obsesive për ta marrë substancën dhe dhimbje e fortë fizike në mungesë të efektit të saj - nuk zbatohet tek antidepresantët. 

Doza gjithashtu nuk është se duhet rritur – një simptomë e lidhur me të gjitha llojet e varësisë.

Porse njerëzit që kanë kaluar vjet me antidepresantë mëtojnë se e kanë të pamundur t'i lënë. Ndërsa doktorët këmbëngulin që nuk ka provë që të varurit nga hapat i nënshtrohen dhimbjeve nga lënia, të varurit prej tyre thonë që vuajnë shumë.

Vërtet, pacientët thonë se simptomat e lënies mund të jenë aq të rënda saqë shpesh doktorët i ngatërrojnë me kthimin e depresionit apo ankthit klinik. Prandaj, shumë prej tyre bien në një rreth vicioz që zgjat me vite. 

“Mosmarrja e hapave çon në krizën e lënies, që është shumë e pakëndshme, kështu që njerëzit joshen që t'u kthehen prapë atyre,” shpjegon Sllobodan Loga, psikiatër klinik nga Sarajeva.    

“Unë jam ish-alkooliste, por ndërkohë që ia kam dalë të jetoj pa alkool për gjashtë vjet, s'e kam kaluar një ditë pa antidepresantë,” thotë Radosta nga forumi Pills Anonymous.

Ajo e përshkroi kështu përvojën e saj të largimit nga antidepresantët: “Iu nënshtrova pasojave nga më të këqijat, nga djersët e ftohta tek marramendja, turbullimi i pamjes, dhimbjet e muskujve, i ftohti i padurueshëm, rrahje të shpeshta zemre dhe deri tek problemet me frymëmarrjen.” 

“Por shumë më keq ishin simptomat psikologjike; pagjumësia e dhimbshme dhe e vazhdueshme si dhe frika e vazhdueshme. Ishte një ndjenjë tmerri.” 

“Ivana74”, një vizitore e një tjetri forum interneti ku njerëzit identifikohen vetëm me pseudonime, thotë të njëjtën gjë. “Ferri fillon ditën e dytë mbasi i ke lënë,” kujton ajo. 

“Nuk është vetëm depresioni që të mbyt,” shton Ivana74. “Përfundon në një lloj gjendjeje gripale me dhimbje muskujsh, pa energji dhe deri edhe drita të shqetëson.” 

Me gjithë shkallën e problemit të varësisë nga hapat në rajon, asnjë veprim nuk po ndërmerret për ta zbutur atë. 

Të varurit që kërkojnë ndihmë në qendrat e rehabilitimit në Bullgari e Serbi zakonisht vuajnë prej varësisë nga alkoolizmi dhe abuzimi me heroinën. Ata rrallë vijnë nga radhët e gëlltitësit të hapave, thonë përfaqësuesit e qendrave në këto dy vende..
 
Stresi post-traumatik

Ndërkohë që tragjeditë familjare, problemet martesore dhe vështirësitë financiare shpesh i bëjnë njerëzit të abuzojnë me ilaçet, ka edhe faktorë të tjerë specifikë për rajonin që mund ta shkaktojnë varësinë nga hapat. Këto përfshijnë traumën dhe stresin e lidhur me luftërat e viteve 1990 dhe tranzicionin e dhimbshëm nga komunizmi në ekonomitë e tregut të lirë. 

Në Bosnjë dhe Serbi, traumat e luftës kanë shkaktuar probleme të rënda psikologjike tek shumë njerëz. Sipas psikiatrit boshnjak Loga, rastet e sulmeve të panikut dhe depresionit në mesin e grave janë rritur më se dyfish qysh prej fundit të konflikteve të viteve 1990. Kjo nxit mbështetjen tek substancat psikoaktive, si tek ato të ligjshmet ashtu edhe tek të paligjshmet. 

Milan Miliçi, psikiatër në Pançevo, afër Beogradit, që drejtonte një njësi urgjente psikiatrike në Beograd gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, thotë se stresi i luftës në fillim mobilizon mbrojtjet e mendjes dhe të trupit. 

Por të dyja pësojnë dëmtime të padukshme dhe kur situata qetësohet, trupi dhe psikika ka gjasa të shemben. 

Miliçi gjithashtu e lidh keqësimin e shëndetit mendor të popullit serb me zhgënjimin ndaj tranzicionit ekonomik drejt kapitalizmit. 

“Çdo ditë njerëzit shpresojnë se do të bëhen më mirë ekonomikisht dhe shoqërisht, por kalojnë muaj e vite dhe gjërat nuk përmirësohen,” vëren ai. “Kështu ndodh që të grumbullohet stresi kronik.” 

“Mekanizmat e organizmit tënd vjetrohen dhe në problemin më të vogël mund të të shtyjnë drejt hapave.”

Bullgaria nuk ka kaluar luftë në vitet 1990, por atje është e njëjta pakënaqësi me tranzicionin ekonomik që ndjehet edhe në Serbi. Ai është një faktor i përmendur shpesh si prapavijë e depresionit të shumë bullgarëve. 

Irina Lazarova, psikologe në një praktikë private të Sofjes quajtur Adaptation (Përshtatja), beson që shpejtësia e botës moderne u vë një barrë të rëndë njerëzve, dhe ata që nuk janë në gjendje ta përballojnë kuptojnë që “sistemet e tyre digjen”. 

Isabella GoldrichIsabela Goldriç nga Fondacioni i Shëndetit Mendor në Glasgou, qytet në Skoci me përqindje të lartë varfërie ekonomike, thotë se shoqëria moderne e ka mitizuar lumturinë. 

Goldriçi beson se është më e natyrshme që jeta të jetë e ashpër, me raste të herëpashershme lumturie. Por kultura moderne promovon lumturinë si një konstante të nevojshme, gjë që ushtron presion të madh mbi njerëzit që nuk ndjehen të përmbushur. 

“Ne kemi zhvilluar një qasje konsumatore ndaj lumturisë; nga një vend stoikësh jemi kthyer në vend konsumator”, thotë ajo duke iu referuar Skocisë. 

Sipas saj, klasat më të privuara shoqërisht në Skoci janë më të prira ndaj abuzimit me ilaçe sepse ato kanë më shumë gjasa të jenë të pakënaqura me jetën, dhe shumë nga pjesëtarët e tyre besojnë se hapat mund t'ua lehtësojnë problemet.

Hapa, jo trajtim

Specialistët thonë se një shpjegim tjetër për këtë varësi në dukje gjithnjë e më të theksuar nga hapat është që sistemet shëndetësore të Ballkanit janë shumë të mbingarkuar që doktorët të jenë në gjendje të fokusohen mbi pacientët me probleme psikologjike. 

Për të kursyer kohë, ata japin qetësues ose antidepresantë për të zbutur ato çka mund të jenë fillesat e simptomave të depresionit në vend që të përcaktohen për trajtime më afatgjata apo më të kushtueshme.
 
GlasgowQeveria skoceze dha alarmin për këtë dukuri dy vjet më parë kur kuptoi se skocezët, mesatarisht, merrnin dy herë më shumë antidepresantë sesa britanikët e tjerë. 

Goldriçi thotë se praktikantët e përgjithshëm që punojnë në lagjet e varfra të Glasgout zakonisht kanë mes shtatë e dhjetë minutave kohë të vlerësojnë kushtet e pacientëve të tyre. 

“Nganjëherë s'do të mjaftojnë as dhjetë orë nëse ke një pacient me ankesa të shumëfishta fizike dhe psikologjike,” thotë ajo. “Nuk u vë faj doktorëve; ata nganjëherë nuk kanë zgjidhje përveç se të japin antidepresantë për të zbutur dhimbjet e këtyre pacientëve.”

Por ndërsa Skocia po ndërmerr veprime për të ulur recetat dhe ndërkohë që sektori jo-qeveritar atje po ngre vetëdijen lidhur me këtë problem në mesin e praktikantëve të përgjithshëm, debati publik mbi abuzimin me ilaçe është i paqenë në Ballkan.

Në forumet e internetit në Ballkan, një ankesë e përgjithshme e atyre që postojnë mesazhe është që hapat psikoaktivë mbi të cilët varen jepen nga praktikantët e tyre të përgjithshëm për ankesat fizike, jo mendore. 

“Po përpiqem të largohem nga një antidepresant që fillova ta marr për t'iu larguar një qetësuesi, që nga ana e vet m'u dha për presionin e lartë të gjakut,” thotë Ivana. 

Në një forum tjetër, “Linamina” thotë se ajo u bë e varur nga antidepresantët pasi kirurgu i saj i pelvisit ia dha në recetë pasi lindi fëmijë. 

“Rrugë e shkurtë drejt shëlbimit”

Shumica e psikiatërve thonë se vetë hapat nuk zgjidhin asnjë nga problemet rrënjësore të pacientëve të tyre. “Qetësuesit nuk shërojnë”, shprehet Sllobodan Loga. 

Në të njëjtën kohë, ata besojnë që antidepresantët dhe qetësuesit mund të luajnë një rol afatshkurtër në shërimin e pacientëve që vuajnë nga stresi i thellë, depresioni dhe ankthi. 

Njerëzit e depresuar nganjëherë janë aq të çoroditur saqë për të nisur një terapi efektive ata duhet të marrin hapa për një periudhë kohe që të jenë në gjendje t'i organizojnë mendimet si duhet, shpjegon Veliçkov. 

Irina Lazarova e qendrës Përshtatja në Sofje thotë se njerëzit marrin hapa “që të durojnë të padurueshmen”. 

Por pavarësisht se a i japin recetat për ilaçet si pjesë të terapisë së pacientëve, psikologët ngurrojnë të thonë që mjekimet vetë e shërojnë thelbin e problemeve psikologjike të njerëzve. “Hapat i bëjnë njerëzit alergjikë ndaj të menduarit, kështu që ata nuk mund t'i shohin problemet e tyre të vërteta,” thotë Miliç, duke i përshkruar ilaçet si “një rrugë e shkurtë drejt shëlbimit - kënaqësi maksimale me përpjekje minimale, por një qëndrim i tillë nuk ta zgjidh problemin”. 

Llazarova thekson se terapia duhet ta shoqërojë marrjen e hapave. Problemi në Ballkan është që janë të shtrenjtë për shumicën e njerëzve. Edhe sesioni më i lirë i terapisë në Bullgari kushton 20 deri në 35 euro dhe shumë njerëzve do t'u duhet të shkojnë tek një specialist të paktën një herë në javë për disa muaj. 

Kjo është e pamundur për shumicën e bullgarëve, rroga mesatare e të cilëve është më pak se 300 euro në muaj

Shanset e aksesit në terapi janë edhe më të pakta në Bosnjë, ku rrogat janë më të ulëta dhe papunësia më e lartë. Për më shumë, depresioni është më i zakonshëm mes atyre që janë më pak në gjendje të paguajnë, të varfrit dhe të papunët. 

Fondi i shëndetit publik të Bullgarisë mbulon maksimumi dy vizita tek psikologu çdo gjashtë muaj. Edhe kjo është e mundshme vetëm për ata që kanë sigurim shëndetësor, që të papunët dhe ata që punojnë në të zezë nuk e kanë. Qendrat e vetme ditore janë në sektorin privat.

Në Skoci, nga ana tjetër, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (ShShK) që mbahet nga shteti, ka qendra ditore falas.

Organizatat e mëdha si Aleanca për Depresionin e Skocisë krijojnë linja ndihme, grupe vetë-ndihmuese dhe fushata për të ngritë vetëdijen për çështjet e depresionit, si dhe botojnë doracakë për praktikantët e përgjithshëm se si t'i zëvendësojnë mjekimet me terapi alternative. 

Ndryshe nga Skocia, depresioni është fjalë e ndytë në Ballkan. “Është tjetër gjë të thuhet se jam pak nervoz sot dhe tjetër të thuhet se jam i depresuar,” vëren Miliç. “Për shumicën e njerëzve, kjo do të thotë se nuk je në rregull dhe njerëzve nuk u pëlqen ta pranojnë këtë.”

Analistja sociale Adriana Kulevçelieva vëren: “Ne tallemi me amerikanët dhe “psikiatrit” e tyre, dhe shpesh themi se nuk na duhet psikiatri ngaqë ende kemi miq e shokë në Ballkan.

“Por e vërteta është që ka shumë njerëz [në vendet e Ballkanit] që u duhet me dëshpërim të shkojnë te psikiatri ndonjë herë.” 

Në vend se t'u drejtohen psikologëve të certifikuar, njerëzit në rajon shkojnë në forumet e internetit ku mund ta fshehin identitetin e vërtetë. 

Por ama ndërsa ndarja e problemeve dhe diskutimi me të tjerë për të njëjtat tema mund të ketë përfitim, e keqja është se miqtë anonimë të asaj faqeje interneti shpesh ia veshin diagnozën e vet problemeve të njerëzve të tjerë dhe shpesh përpiqen t'u japin atyre receta për ilaçet “e duhura”. 

Duke pasur parasysh nivelet në rritje të stresit dhe rastet tashmë të shpeshta të depresionit dhe ankthit, perspektiva e zgjidhjes së varësisë nga ilaçet në Ballkan duket e varfër. 

Sa i përket Serbisë dhe Bosnjës, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian do të sjellë me vete rregullore më të ashpra lidhur me shitjen haptazi të qetësuesve. 

Shumë veta besojnë se sapo të vendosen këto masa të rrepta, do të rritet presioni mbi praktikantët e përgjithshëm që të japin më shumë receta për pacientët aktualë që kanë. Specialistët parashikojnë edhe që nëse bëhet më e vështirë të merren qetësuesit në Serbi dhe Bosnjë, njerëzit thjesht do t'i kthehen antidepresantëve. 

Nga ana tjetër, shumë të tjerë shpresojnë që ndërkohë që shoqëritë e Ballkanit bëhen më të afërta me homologet e tyre perëndimore, kërkimi i ndihmës psikologjike nuk do të stigmatizohet në të ardhmen siç ndodh sot. 

Tash për tash, gjithsesi, një pjesë e madhe e shoqërisë duket se do të mbesë e lidhur për hapat. 

blog comments powered by Disqus