Vendasit në qytetin e Preshevës deklaruan se do të protestojnë të hënën pasi policia e Serbisë largoi monumentin e luftëtarëve shqiptarë.
Shqiptarët në jug të Serbisë deklaruan se do të protestojnë të hënën në Preshevë pas largimit të monumentit kontrovers të dedikuar luftëtarëve shqiptarë.
Para protestës, liderët e gjashtë partive vendore thanë se do të mbajnë një takim tjetër për të rënë dakord për një qëndrim të përbashkët për largimin e monumentit.
Pasi partitë u takuan më 20 janar, Skender Destani, kryetari i Asamblesë Komunale në Preshevë, tha se Serbia ka treguar se nuk do të ketë shqiptarë në zonën e Luginës së Preshevës.
Rreth 200 policë serbë hynë në Preshevë orët e para të 20 janarit për të larguar monumentin, pasi qeveria tha se po promovonte ndarje etnike dhe duhej larguar.
Monumenti për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, u vendos nëntorin e shkuar në Preshevë, ku banojnë rreth 50 000 shqiptarë.
Forca guerile shqiptarë kërkonte të bashkonte jugun e Serbisë me Kosovën në fund të viteve 1990-të, por u çarmatos në vitin 2001, pas një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
Shqiptarët vendas ishin zotuar të mbronin monumentin, por policia nuk pati rezistencë kur hyri në qytet.
Në vend të kësaj, pasi policia u largua, vendasit u mblodhën në vendin ku ishte monumenti dhe ndezën qirinj dhe vunë lule.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, tha se policia duhet të vepronte pasi aftat që komuna kishte për të larguar monumentin kishin kaluar.
“Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por duhet të tregonte se ligjet duhen respektuar”, tha Dacic.
Pasi monumenti u largua, qeveria e Kosovës dënoi lëvizjen si “një provë tjetër se urrejtja ndaj shqiptarëve në luginën e Preshevës është ende gjallë”.
“Kjo lëvizje e shëmtuar e qeverisë serbe rrezikon në mënyrë serioze dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe Serbia ka përgjegjësi direkte për këtë”, u tha në deklaratë, në lidhje me bisedimet e udhëhequra nga BE-ja në Bruksel.
Sidoqoftë, Aleksandar Vulin, shefi i Zyrës së Serbisë në Kosovë, tha se dialogu në Bruksel dhe monumenti i Preshevës janë dy çështje të ndara dhe nuk duhen ndërlidhur.
Vulin tha për agjencinë e lajmeve Tanjug, më 20 janar se Serbia i është bindur ligjeve të veta, duke larguar monumentin dhe lëvizja nuk duhet interpretuar si akt urrejtjeje.
Rajoni kufitar për një kohë të gjatë është parë si i trazuar nga autoritetet e Beogradit, për shkak të komunitet të madh shqiptar dhe lidhjeve të ngushta me Kosovën.
Në referendumin lokal të vitit 1992, shumica e shqiptarëve vendas votuan për autonomi territoriale dhe të drejtën për t’u bashkuar me Kosovën. Vota nuk u pranua si e vlefshme nga Beogradi ose komuniteti ndërkombëtar. Sidoqoftë, shumica e vendasve vazhdojnë të shohin Prishtinën si kryeqytetin e tyre de facto, dhe jo Beogradin.