Lajm 01 Feb 13

Shefi i Sigurisë së Shtetit Mohon se Ka Kontrolluar Luftëtarët e Arkanit

Ish-zyrtari i sigurisë, Franko Simatovic, tha në Tribunalin e Hagës se nuk ishte përgjegjës për mizoritë e kryera nga paramilitari i njohur serb, Arkani, dhe njerëzit e tij.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Ekipi mbrojtës i Simatovicit tha se prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY, ka dështuar të vërtetojë se ishte përgjegjës për krimet e luftës të kryera nga njësia vullnetare paramilitare serbe e udhëhequr nga Zeljko Raznatovic, i njohur si Arkani, në qytetet boshnjake Bijelinë dhe Zvornik.

“Thjesht nuk është e vërtetë se Simatovic urdhëroi Arkanin dhe njësinë e tij të shkonte në Bijelinë dhe Zvornik. Prokuroria nuk ka prezantuar prova relevante që mund të mbështesin këtë deklaratë”, tha ekipi mbrojtës gjatë fjalëve përmbyllëse në gjyqin e të enjtes.

Të martën, prokuroria e Tribunalit të Hagës kërkoi për dënime me burgim të përjetshëm për Simatovicin dhe kolegun e tij në sigurinë e shtetit në Serbi, Jovica Stanisic, duke thënë se ishin përgjegjës për aksionet e ndërmarrja nga Arkani dhe njësitë e tij.

Kur lufta filloi në Bosnjë në vitin 1992, paramilitarët e Arkanit luftuan bashkë me forcat serbe të Bosnjës në Zvornik dhe Bijelinë, ku një herë u fotografuan të veshur me maska dhe duke pozuar me trupat e civilëve të vdekur që kishin vrarë nëpër rrugë.

Sipas ekipit mbrojtës, ish-presidentja serbe e Bosnjës, Biljana Plavsic, kishte kontroll mbi aksionet e Arkanit në Bijelinë.

Plavsic ishte një nga lideret më të larta serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë, dhe u dorëzua më vonë në ICTY në vitin 2001.

Dy vite më vonë, ajo pranoi fajin dhe u dënua me 11 vjet burgim për krime ndaj njerëzimit dhe dëbim me forcë të civilëve në baza fetare, politike dhe racore.

Sipas aktpadisë, Stanisic dhe Simatovic ishin anëtarë të një aksioni të përbashkët kriminal që planifikoi dhe urdhëroi ekzekutimin dhe persekutimin e joserbëve në rajonet e kontrolluara nga serbët në Kroaci dhe Bosnjë, nga prilli i vitit 1991 deri në dhjetor të vitit 1995.

Në aktpadi pretendohet se Milosevic, komandanti paramilitar Arkan, ish-lideri serb i Kroacisë, Goran Hadzic, dhe shefi i partisë radikale serbe, Vojislav Seselj, ishin gjithashtu pjesë e këtij aksioni të përbashkët kriminel bashkë me Simatovicin dhe Stanisicin.

Ata akuzohen për vrasje, dëbime dhe persekutime të kroatëve, myslimanëve boshnjakë, kroatëve të Bosnjës dhe civilëve joserbë për përkatësinë e tyre politike, racë ose fe.

ICTY e paditi Arkanin në vitin 1999, por vetëm për krimet e kryera në vitin 1995 në zonën e Sanski Mostit në veriperëndim të Bosnjës.

Sidoqoftë, kreu i paramilitarëve nuk u paraqit në gjyq sepse u vra në një përplasje me mafian në Beograd, në vitin 2000.

Simatovic dhe Stanisic të dy u arrestuan në vitin 2003 në Serbi dhe u transferuan në Tribunalin e Hagës menjëherë më pas. Gjyqi i tyre filloi në viti 2008.

Ende pritet të caktohet data për shqiptimin e aktgjykimit.

blog comments powered by Disqus

Background

Timeline – Cuska Case

Timeline of events in the case against 13 former Serb fighters charged with committing war crimes in the villages of Cuska, Zahac, Ljubenic and Pavlac in Kosovo in 1999.

Subscribe to Our Newsletter