Lajm 13 Jan 17

Serbia kërkon ekstradimin e Haradinaj nga Franca

Qeveria serbe i bëri thirrje Francës të dërgojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në Beograd që të përballet me akuza për krime lufte, duke kërcënuar se do të hakmerret nëse ai nuk ekstradohet.

Ekipi i BIRN
BIRN
Beograd
 
Marko Djuriç, kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, me ministren e drejtësisë Nela Kuburoviç. Foto: Beta  

Marko Djuriç, kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha në një konferencë për shtyp të premten se Beogradi kërkon ekstradimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Haradinaj, i cili u arrestua në Francë javën e kaluar me një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia për krime lufte.

Djuriç tha se ai beson se Franca do ta dërgojë Haradinajn në Serbi, por shtoi nëse kjo nuk ndodh, Beogradi do të përgjigjet me kundërmasa.

"Ne po informojmë Francën se do të sillemi në të njëjtën mënyrë kundrejt urdhër arrestimeve të Interpolit që ka lëshuar ajo. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Francën, por edhe për Slloveninë dhe Zvicrën, vende që gjithashtu i kanë liruar këta kriminelë – për arsye politike, ky është mendimi im,” tha ai.

"Serbia po dërgon një paralajmërim se nuk do ta pranojë drejtësinë e rreme që i lejon krimet nëse ato i shkojnë për shtat fuqive të mëdha,” shtoi ai.

Sllovenia nuk pranoi ta dërgonte Haradinajn në Beograd pasi e arrestoi atë në vitin 2015, ndërsa Zvicra vitin e kaluar refuzoi të dërgonte dy ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Serbi ku të dilnin në gjyq.

Sipas Djuriç, Haradinaj dyshohet për vrasjen e civilëve, përfshirë vrasjen e një foshnje dy javëshe, torturim dhe përdhunimin e një të mituri.

Gjykata e apelit në qytetin francez Colmar të enjten e liroi Haradinajn nga paraburgimi, por tha se ai duhet të rrijë në Francë nën mbikëqyrje gjyqësore ndërsa autoritetet shqyrtojnë nëse duhet ta dërgojnë apo jo atë në Serbi ku të përballet me akuzat për krime lufte.

Ai është i detyruar të dorëzojë pasaportën e tij, të raportojë dy herë në javë në policinë franceze dhe të marrë pjesë në seancat gjyqësore që kanë lidhje me ekstradimin e tij në Serbi.

Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha të premten se lirimi i Haradinaj ka gjasa të nënkuptojë se kërkesa për ekstradim do të refuzohet.

“Mendoj se Bashkimi Europian i ka dhënë një urdhër të tillë të gjitha shteteve anëtare,” tha Nikoliç për gazetën Novosti Vecernje.

Megjithatë, Milan Petroviç nga zyra e prokurorisë serbe për krime lufte tha për TV N1 të enjten se vendimi i gjykatës franceze ishte i ligjshëm, duke shtuar se ai “nuk ka dyshime” që Franca do ta dërgojë Haradinajn në Serbi.

Haradinaj, i cili është liruar dy herë nga akuzat për krime lufte nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë, i ka quajtur “politike” akuzat e Serbisë.

Zyra e prokurorisë serbe për krime lufte megjithatë ka këmbëngulur se ka prova të reja për krime të ndryshme për të cilët Haradinaj nuk është akuzuar deri më tani dhe se akuzat nuk janë të motivuara politikisht.

“Ky nuk është një urdhër arresti politik. Sepse këtu civilët dhe viktimat nuk janë vetëm me kombësi serbe, por janë edhe romë ose shqiptarë që nuk treguan besnikëri ndaj UÇK-së nën komandën e Ramush Haradinaj në zonën nën përgjegjësinë e tij në Dukagjin, në Kosovën perëndimore,” tha Petroviç.

Por Petroviç ka gjithashtu se ekziston mundësia që çështja të mund të dëgjohet në Gjykatën Speciale të Kosovës, e ngritur nga Haga për të gjykuar luftëtarë të UÇK-së për krime lufte.

Ai shpjegoi se edhe pse Gjykata Speciale nuk po merr pjesë në kërkesën për ekstradim, ata janë në kontakt me Beogradin.

“Ata do të interesohen padyshim për provat tona nëse vendimi i autoriteteve franceze për kërkesën tonë është negativ,” tha Petroviç.

Arrestimi i Haradinaj në një aeroport francez javën e kaluar ka shkaktuar protesta nga shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për lirimin e tij dhe e dënojnë arrestimin si një gjest politik.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus

Latest Headlines

Feature 20 Apr 17

Serbia Shortlists Chief War Crimes Prosecutor Candidates

News 19 Apr 17

Perkovic Defence Lodges Appeal Before German Court

News 05 Apr 17

Bosnia Awaits Extradition of Nine War Crimes Suspects

News 28 Mar 17

US Jails Bosnian Ex-Soldier for War Crimes Lies

News 20 Mar 17

Montenegrin Officer Held for War Crimes in Croatia

News 04 Mar 17

Kosovo Protesters Urge France to Free Ex-PM Haradinaj

News 20 Feb 17

Kosovo Asks Interpol to Cancel Serbian Warrants