Lajm 12 Nov 12

Princesha Kërkon T’i Kthehet Vila në Beograd

Vajza e ish-regjentit jugosllav, të rrëzuar nga pushteti nga një grushtshteti, Princi Pavle, ka kërkuar nga shteti i Serbisë t’i kthejë pronat që i janë konfiskuar familjes në Beograd.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Princesha Jelisaveta Karadjordjevic, bashkë me vëllain e saj, kërkon që t’i kthehet vila ku aktualisht ndodhet Ambasada e Malit të Zi, në zonën elitë në Beograd.

“Prona jonë në Beograd, me kopsht dhe një shtëpi prej rreth 6 486 metrash katrorë na është marrë pas luftës. Besojmë në qeverinë e re dhe shpresojmë se do të na kthejnë çfarë është e jona”, tha Princesha.

Në shtator të vitit 2011, si pjesë e listës së BE-së për ligjet që Serbia duhet të miratojë, Beogradi miratoi një ligj për kthimin e pronave të shtetëzuara midis kohës kur komunistët erdhën në pushtet në vitin 1945 dhe 1968, ose pagesë ekuivalente me vlerën.

Republika e Malit të Zi aktualisht po përdor vilën në bazë të një kontrate të nënshkruar me qeverinë e Serbisë.

Eshtrat e Princit Pavle ish-regjenti jugosllav që u rrëzua nga pushteti me një grushtshteti në vitin 1941, u kthyen në Serbi më 4 tetor.

Bashkë me eshtrat e bashkëshortes së tij Olga dhe djalit Nikola, ai u varros dy ditë më vonë, në mauzoleun e familjes mbretërore serbe në Oplenac, afër qytetit të Topolës në Serbinë qendrore.

Në dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Lartë në Beograd rehabilitoi Princin Pavle dhe hodhi poshtë aktgjykimin e vitit 1945 të miratuar nga komisioni shtetëror që e deklaroi princin kriminel lufte.

Autoritetet komuniste e akuzuan Princin Pavle se “ka dhunuar kushtetutën duke marrë pushtetin dhe ka injoruar përfaqësuesit e popullit”, si dhe “ka nënshkruar paktin tripalësh dhe ka kontribuar kështu në ‘luftën agresive’ të fuqive të bushtit”.

Pakti ishte një traktat i nënshkruar nga Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia imperialiste në vitin 1940, që krijuan Boshtin e Fuqive, një aleancë e fuqive të mëdha që luftuan aleatët - Rusinë, Anglinë dhe SHBA-në.

Kur nisi Lufta e Dytë Botërore, qeveria jugosllave nënshkroi paktin tripalësh, që e lejoi ushtrinë gjermane të kalonte në Jugosllavi për të evituar pushtimin e Boshtit.  Kjo shkaktoi pakënaqësi në popull dhe shkaktoi grushtin ushtarak që e largoi regjentin me forcë nga pushteti.

Princi Pavle ishte pasardhës i Karadjordjes që liroi Serbinë nga Perandoria Osmane në fillim të shekullit të 19-të.

Ai erdhi në pushtet, pasi kushëriri i tij, Mbreti Aleksandë u vra në Marseille, Francë, në vitin 1934.

Gjatë luftës qeveria angleze e mbajti Princin Pavle dhe familjen e tij nën arrest shtëpiak në Kenya, Afrikë. I ndaluar të kthehej në Jugosllavi, Princi Pavle e kaloi jetën në ekzil.

Princi Pavle njihej për pasionin e tij për arte. Ai ka koleksionuar, dhuruar dhe dedikuar një numër të madh veprash arti Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe kryevepra botërore. Piktura nga Rubens, Rembrandt, Monet, Van Gogh dhe mjeshtër të tjerë që i ka dhuruar ai tani mbahen në muzeun kombëtar në Serbi.

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter