EnglishBos/Hrv/SrpRomânăБългарскиМакедонскиελληνικά 24 Nov 14

Policët serbë të natës dyshohen për dhunë dhe korrupsion

Oficerët e policisë që punojnë si truproja nëpër klube nate akuzohen se rrahin klientët dhe marrin pjesë në vënien e gjobave ndaj bizneseve.

Dragana Peco Novi Sad, Banja Luka dhe Lëven

Rruga Laze Teleckog në qytetin e Novi Sadit në veri të Serbisë

Foto: Predrag Uzelac

Më 26 mars të këtij viti, Bosko Sekerovic, një 23 vjeçar marinar, gjeti disa shokë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd dhe u nis me makinë për në qytetin verior të Novi Sadit për një natë qejfi.

Sekerovic dhe shokët e tij shkuan te rruga Laze Teleckog, zemra e një zone të mbushur me klube nate dhe lokale për të rinjtë që duan të pijnë dhe kërcejnë. Muzika pop tradicionale serbe apo e huaj shpërthen nga çdo derë lokali.

Ndërsa Sekerovic dhe një shok i tij iu afruan një bari rreth orës 2 të mëngjesit, një njeri i bëshëm i ra fort me bërryl, duke e rrëzuar përtokë. Truprojat e klubeve të ndryshme të natës mbërritën aty dhe filluan të rrahin Sekerovic dhe shokët e tij.

“Pesëmbëdhjetë prej tyre po na rrihnin ne të tre. Unë humba ndjenjat shumë herë,” tha

Sekerovic, të cilit iu thye hunda, një dhëmb dhe pati një sy të nxirë nga rrahjet.

Shoku dhe kolegu i tij Jovan Jovicic mbeti gjithashtu i lënduar. Këmbët e tij qenë aq të sakatuara sa ai nuk qe në gjendje të ecte për shumë ditë pas ngjarjes.

“Qe barbari. Njëri të mban ndërsa pesë të tjerë të rrahin,” tha Jovicic disa muaj më vonë, duke e treguar ngjarjen që iu ngulit fort në mendje. “Njëri nga sulmuesit shkoi në klub dhe u kthye me një shkop gome, nga ato që përdor policia.”

Sekerovic dhe shokët e tij shpëtuan pasi një vajzë e re që punonte në një lokal i dha atyre çelësin e banjës. Ata mbyllën veten në banjë dhe pritën që të vinte policia.

Por policët nuk qenë në fakt shpëtimtarët e tyre. Së paku një oficer policie që punonte njëkohësisht si roje sigurie gjatë natës qe mes sulmuesve, sipas një dosjeje të policisë të hartuar në bazë të pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë.

Eksperienca e tmerrshme e këtyre të rinjve nxori në pah një problem të gjithëpërhapur në Serbi dhe në vende të tjera të Ballkanit.  Policë të rinj shpesh punojnë si roje sigurie nëpër lokale dhe klube nate, në disa raste duke kryer akte dhune apo duke marrë pjesë në skema gjobitjesh për mbrojtje pa u ndëshkuar.

Problemet e policisë në Novi Sad 

Sipas Ligjit për Policinë të Serbisë të vitit 2005, oficerët e policisë nuk lejohet të angazhohen në asnjë aktivitet “të papërputhshëm” me detyrat e tyre zyrtare. Por ligji nuk specifikon që kjo papërputhshmëri përfshin edhe punën në forcat private të sigurisë.

Kërkesa nga pronarët e lokaleve për roje private sigurie ka qenë e lartë që nga vitet 1990 kur krimi u rrit ndërsa Jugosllavia u rrëzua mes kaosit dhe luftës. Oficerët e policisë qenë të gatshëm të ofronin veten e tyre ndërsa shteti - i varfëruar nga luftërat, sanksionet e Perëndimit dhe keqmenaxhimi ekonomik - nuk qe në gjendje t’i paguante ata mirë.

“Është shumë e pakëndshme që çdokush mund të blejë një polic për 20 apo 30 euro dhe bashkë me të një armë dhe një distinktiv policie”

- Nenad Ljubisic, një oficer policie në Novi Sad.

Sot, Serbia mbetet e varfër në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe punë të tilla të dyta mund t’i rrisin ndjeshëm të ardhurat mujore të oficerëve të mesëm të policisë, paga e të cilëve është 400-500 euro në muaj.

Problemi i policëve të orëve të natës është veçanërisht i ndjeshëm në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, ku banorët vendas thonë se klubet e reja në rrugën pedonale Laze Teleckog kanë tërhequr turma më të këqija.

Sipas një oficeri krimesh të nivelit të mesëm në këtë qytet, vetëm dy vjet më parë kishte një apo dy sherre të rënda në vit në këtë rrugë.

“Sot, ka një sherr të tillë çdo  muaj dhe policë të rinj të zonës shpesh janë të pëfshirë,” tha ai, duke theksuar se pa dyshim ka shumë më tepër incidente të cilat nuk janë raportuar në polici.

Si shumë burime të tjera policore në këtë histori, oficeri i policisë foli për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) me kushtin e moscitimit të emrit.

Në dyert e klubeve të natës në rrugën Laze Teleckog, policët e natës dhe rojet e tjera të sigurisë nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri. Askush prej tyre nuk ka uniformë apo simbole identifikuese.

“Gjysma e rojeve në rrugën Laze Teleckog janë policë - anëtarë të forcave speciale, xhandarmërisë apo njësive të tjera,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Krimeve në Policinë e Novi Sadit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se një nga këta policë, një 28 vjeçar muskuloz, qe i përfshirë në sulmin kundër Bosko Sekerovic dhe shokëve të tij, sipas policit që po heton ngjarjen.

“Videoja tregon 15 njerëz që i rrahin ata,” tha një oficer i rangut të mesëm. “Polici nuk mori pjesë në përleshje që nga fillimi. Ai u bashkua kur sherri vijoi.”

Pas kësaj, “në vend që të raportonte rastin në polici, ai heshti,” shtoi oficeri i policisë. “Dhe më vonë ne gjetëm videon.”

Polici dhe katër të tjerë janë akuzuar nga policia për përleshje dhe për dëmtim të rëndë trupor ndaj Sekerovic dhe shokëve të tij, sipas prokurorëve.

Për hatër të drejtësisë, BIRN nuk e jep emrin e policit dhe katër burrave të tjerë apo të dyshuarve të akuzuar nga policia në këtë histori për shkak se prokurorët nuk kanë konfirmuar ende aktakuzat. Në sistemin e drejtësisë së Serbisë, prokurorët vendosin nëse ka prova të mjaftueshme për të ndjekur akuzat e propozuara nga policia dhe e çojnë më pas çështjen në gjykatë.

Gvozden Grgur, avokati për policin dhe katër burrat e tjerë, tha se që të gjithë janë të pafajshëm. Ai tha se polici nuk ka qenë në skenën e sherrit dhe nuk ka qenë duke punuar si roje private e sigurisë. Grgur tha gjithashtu se ai nuk ka parë asnjë provë filmike.

Vit i ri i palumtur

Ndërsa problemi me jetët e dyfishta të policëve është veçanërisht i dukshëm në Novi Sad, ai ekziston edhe përtej kufijve të këtij qyteti.

Në qytetin jugor të Nishit në Serbi, një anëtar i xhandarmërisë, forca policore paraushtarake, i cili po punonte si një roje sigurie në një kafene, sulmoi dhe plagosi tre njerëz pa asnjë arsye më 10 janar të këtij viti, sipas policisë së zonës.

Oficeri u pezullua nga detyra dhe është akuzuar nga policia për sjellje të dhunshme. Ai po përballet me procedurë të brendshme disiplinore, tha policia në një deklaratë.

Polici i akuzuar nuk u gjet për komente. Prokurorët duhet ende të vendosin nëse ai do të dërgohet në gjykatë.

Në Bosnjë, 27 vjeçari Goran Misic kaloi natën e vitit të ri në spital pasi u rrah në një klub nate të quajtur Tamaris në Banja Luka, kryeqyteti i Republika Srpska.

Instruktori i palestrës Goran Misic, duke u mjekuar pasi u rrah në një klub nate në Banja Luka

Foto: Nezavisne newspapers, Banja Luka

Misic, një instruktor palestre, po qëndronte te një palë shkallë kur rojet e sigurisë, përfshirë edhe një anëtar të njësisë së forcave speciale të policisë e sulmoi atë, sipas hetimit policor.

“Mua më sulmuan disa herë gjatë natës dhe më thyen qafën,” rikujton Misic në një kafene të Banja Lukës.

Ministria e Brendshme e Republika Srpska tha se tri anëtarë të tjerë të policisë speciale qenë gjithashtu të pranishëm gjatë sulmit. Ata u pezulluan në pritje të një hetimi të brendshëm por hetuesit nuk qenë në gjendje të provonin se ata po punonin ilegalisht si roje sigurie.

Në një deklaratë, ministria tha se puna në sektorin e sigurisë nga ana e policëve qe “rreptësisht e ndaluar” por “këto lloj aktivitetesh janë të vështira për t’u provuar për shkak se pronarët e lokaleve dhe restoranteve shpesh i mbulojnë njerëzit që po punojnë për ta.”
Policia i ka akuzuar sulmuesit e dyshuar se kanë shkaktuar dëme të rënda trupore ndaj të sulmuarit dhe ia ka kaluar çështjen prokurorisë. BIRN nuk qe në gjendje të kontaktonte policin e akuzuar për komentet dhe akuzat kundër tij.

Pa polic nuk ka biznes

Roli i shumë oficerëve të policisë në tregun e sigurisë private nënkupton që ata janë gjithashtu të angazhuar në botën e pistë të vendosjes së gjobave për mbrojtje.

Një ish oficer i policisë, i cili ka hetuar çështjen në Serbi, thotë se shpesh edhe komandantët e policisë janë të përfshirë. Ata bëjnë kontaktet fillestare me pronarët e lokaleve si pjesë e detyrave të tyre zyrtare dhe pastaj i bëjnë presion për të punësuar policët e tyre si roje private sigurie,” tha ai.

Nëse pronarët refuzojnë, ata mund të presin bastisje policore ose policët do u kërkojnë të fikin muzikën. Për rrjedhojë, biznesi vuan pasojat.

“Ti nuk mund të kesh një klub nate në Novi Sad nëse nuk lidhesh me policinë,” deklaroi

Svetlana Gajinovic, e cila thotë se lokali i saj në qytet qe shënjestër e ngacmimeve të vazhdueshme policore në fillim të këtij viti.

“Ata mund të vinin pothuajse çdo fundjavë dhe të kryenin një bastistje policore pa mandat,” thotë ajo.

Svetlana Gajinovic, e cila drejtonte një klub nate në Novi Sad

Foto: Dragana Peco

E ulur në dhomën e saj të ndenjes, herë pas here duke ndaluar në mes të bisedave për të përmbledhur mendimet e saj dhe për të qetësuar veten, Gajinovic tha se ajo në fund pranoi të lidhet me një oficer sigurie për të marrë mbrojtje.

“Ai thjesht ulej në një cep duke pirë,” thotë ajo. “Nuk qe lloji i rojes së sigurisë që përpiqet që çdo gjë të jetë në rregull dhe që të mos ketë telashe.”

Oficeri i sigurisë qëndroi në lokal vetëm disa herë para se Gajinovic të mbyllte lokalin e saj. Ajo nuk kishte as 30 eurot që duhej t’i paguante atij.

Edhe në rast se oficerët e policisë janë thjesht duke punuar për disa para më shumë, ata përfundojnë mes turmës së njerëzve që zakonisht duhet të jenë armiqtë e tyre.

“Problemi është që policët dhe kriminelët janë në të njëjtën anë për shkak se 90 për qind e rojeve të sigurisë nëpër klube nate kanë të shkuar kriminale,” thotë Nenad Ljubisic, një oficer policie në Novi Sad i cili është kryetar i shoqatës profesionale që promovon standarde më të larta policore.

Departamenti i Policisë së Novi Sadit refuzoi kërkesën për intervistë apo deklaratë për shtyp në përgjigje të akuzave kundër oficerëve të tyre në këtë artikull.

Policë, para dhe armë 

Oficerët e policisë gjatë natës mund të fitojnë mes 10 dhe 50 euro në ditë, sipas burimeve policore. Përgjatë një muaji, ata mund të fitojnë po aq shumë nga puna si policë privatë sa marrin rrogë si policë, duke krijuar konflikte të dukshme interesi.

Shpesh këta oficerë policie janë të rinj, të ashpër dhe fizikisht të bëshëm që punojnë për njësi speciale të cilat thirren për t’u marrë me situata të rrezikshme dhe të dhunshme.

Për pronarët e bareve dhe lokaleve, punësimi i tyre ofron avantazhe domethënëse. Ata kanë informacione të brendshme mbi hetimet policore dhe mund të ndihmojnë për të shmangur rregullat vendore, të tilla si rregullat e orarit të mbylljes. Ata kanë gjithashtu të drejtë të mbajnë armë me vete në mënyrë të ligjshme edhe nëse janë jashtë orarit të punës.

“Është shumë e pakëndshme që çdokush mund të blejë një polic për 20 apo 30 euro dhe bashkë me të një armë dhe një distinktiv policie,” thotë Ljubisic.

Ironikisht, pasja e kaq shumë oficerëve të policisë të armatosur dhe jashtë detyrës në një vend mund të jetë receta e duhur për pasiguri.

Një natë tetori gjatë vitit të kaluar, Miodrag Ristic, një 30 vjeçar oficer i forcave speciale të policisë në atë moment jashtë detyrës, qëlloi aksidentalisht për vdekje shokun e tij dhe kolegun në polici Aleksandar Simic përpara lokalit Tapas Bar në Novi Sad, ku Simic po punonte si roje private sigurie.

“Shoku, të vrava,” bërtiti Ristic, duke goditur murin me grushte i tmerruar pas vrasjes, sipas deklaratave të dëshmitarëve të mbledhura nga policia. Ai u përpoq të qëllojë veten por u ndalua nga njerëzit aty pranë.

Në prill të këtij viti, një gjykatë e dënoi Ristic për vrasje me nëntë vjet burg por një gjykatë më e lartë ka urdhëruar rigjykimin e tij.

Kontroll i rreptë mbi muskujt në Belgjikë

Ligji i vitit 1990 në Belgjikë, i cili rregulloi sektorin e sigurisë private, konsiderohet si më i rrepti në Europë dhe mund të jetë një model i vlefshëm për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit nëse dëshirojnë të pastrojnë sektorin.

“Ne e bëmë shumë të qartë se një kompani e sigurisë private nuk mund të punësojë një oficer policie në detyrë,” thotë Lodewijk De Witte, guvernator i provincës Flemish Brabant i cili punoi mbi këtë ligj kur qe zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme të Belgjikës.

Përqasja e Belgjikës synon të minimizojë çdo rrezik për konflikt interesi. Sipas këtij ligji, oficerët e policisë janë të ndaluar të punojnë në forcat e sigurisë private deri në pesë vjet pasi ata të jenë larguar nga detyra. De Witte tha se kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se policia duhet të zbatojë ligjin mbi të gjitha anët e shoqërisë, përfshirë edhe kompanitë e sigurisë private.

“Kjo është arsyeja se pse ne deshëm një ndarje të rreptë mes këtyre dy institucioneve,” tha ai.

“Nëse ne nuk e rregullonim këtë, pa asnjë dyshim, kompanitë e sigurisë private mund të përpiqeshin të punësonin oficerët e policisë... dhe t’i thoshin thjeshtë, ‘nëse vjen të punosh me ne, mund të fillosh muajin tjetër dhe ne do t’ju paguajmë ju më mirë nga sa ju paguan policia.’”

Tina Weber, një studiuese britanike e cila në vitin 2002 kreu një studim mbi rregullimin e sigurisë private në të gjithë Bashkimin Europian, thotë se ligji i Belgjikës thekson prerazi “mbrojtjen e qytetarëve nga çdo abuzim me pushtetin nga ofruesit privatë të sigurisë si dhe vetë rojet”.

“Belgjika ka gjithashtu edhe kërkesat më strikte sa i përket pastërtisë së kartelës penale dhe kërkon certifikim të ‘karakterit të mirë,’” tha Weber përmes emailit. “Rregullat strikte janë në fuqi në lidhje me trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të rojeve si dhe për mbajtjen e armëve.”

Muri blu i heshtjes

Edhe pse është e ditur nga të gjithë se kolegët e tyre punojnë si roje private gjatë natës, oficerët e policisë ankohen se ata përballen me shumë pengesa në përpjekje për të luftuar problemin.

Nëse policët gjenden nëpër klube, ata gjithmonë thonë se thjesht po pinë një gotë si çdo klient tjetër.

Por edhe kolegët e tyre i ndihmojnë ata të fshehin punët shtesë. Oficerët që patrullojnë rrugët nuk i tregojnë emrat e atyre që po bëjnë rojen nëpër klubet e natës.

“Në vend që të na ndihmojnë, ata i fshehin shkelësit dhe pengojnë punën tonë,” tha oficeri i rangut të mesëm në Novi Sad, duke mbledhur shpatullat në shenjë të pafuqisë së tij.

Praktika e mosraportimit të rastit të aktiviteteve ilegale të një kolegu është në disa raste e njohur si ‘muri blu i heshtjes’.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për murin e heshtjes përreth kësaj çështjeje. BIRN kërkoi intervista me më shumë se 10 pronarë klubesh në rrugën Laze Telckog të Novi Sadit mbi oficerë policie që punojnë si roje sigurie. Që të gjithë refuzuan, edhe pasi iu dha garanci që emrat e tyre nuk do të zbulohen.

Edhe rojet e tjerë të sigurisë janë gjithashtu të heshtur, duke refuzuar t’i tregojnë policisë në rast se kolegët e tyre po punojnë nëpër dyert e klubeve apo kanë bërë ndonjë shkelje.

Por ish oficeri i policisë i cili hetoi çështjen tha se barriera kryesore në ndëshkimin e ish kolegëve të tij që kanë rrahur njerëz ndërsa punojnë si roje sigurie qe frika e viktimave të tyre. Në shumë raste, viktimat qenë të gatshme të tregonin të gjithë ngjarjen por nguronin të shkonin në gjykatë.

“Para se ata të përballen me agresorët (në gjykatë), çdokush mund të kontaktojë viktimat për të ndikuar mbi ta apo për t’i kërcënuar,” tha ai. “Kur dikush mendon se do të duhet të dalë ballë për ballë me një polic që e rrahu, ai është i frikësuar të shkojë në gjykatë. Kjo ndodh në 99 për qind të rasteve.”

Paga dhe aftësitë 

Ish-oficeri i policisë beson se e vetmja mënyrë për t’i nxjerrë oficerët batakçinj para drejtësisë është që të kryhet një hetim afatgjatë me përdorimin e përgjimit apo videombikëqyrjes së fshehtë.

Por, shtoi ai, departamenti i kontrollit të brendshëm të policisë qe më shumë i interesuar në realizimin e objektivave përmes zgjidhjes së ankesave të shumta të thjeshta se sa të shpenzonte kohën me një hetim të vetëm, të gjatë dhe të thellë.

Puna gjatë natës e policëve krijon mungesë besimi shumë më të madhe mes qytetarëve te forca që presupozohet se duhet t’i mbrojë. Në vitin 2013, pjesa e popullsisë serbe që kishte besim te policia qe 31 për qind, sipas një vrojtimi të kryer nga OSBE.

Përkundrazi, vrojtimi i vitit 2010 zbuloi se 64 për qind e nënshtetasve të Bashkimit Europian i besonin policisë.

Disa ekspertë besojnë se e vetmja mënyrë për të mposhtur punët e dyta dhe korrupsionin është që oficerët e policisë të paguhen më shumë në mënyrë që të jenë më pak të joshur nga ideja e punës shtesë.

“Qeveria duhet të paguajë një rrogë të arsyeshme... një rrogë e arsyeshme është një nga mjetet më të rëndësishme në parandalimin e korrupsionit,” thotë Odd Berner Malme, një ish drejtor i lartë policie në Norvegji i cili ka punuar si këshilltar i OSBE-së për reformën e policisë në Serbi.

Aleksandar Fatic, një ekspert i etikës në jetën publike, sugjeroi se heqja e të drejtës për të mbajtur armë jashtë turnit për policët mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit.

Fatic dhe ekspertë të tjerë vunë në pikëpyetje gjithashtu edhe stërvitjen e rekrutëve të policisë, duke sugjeruar se ajo nuk qe mjaftueshëm e rreptë në zbatimin e etikës dhe disiplinës.

Vitin e kaluar, u publikuan disa fotografi ku kadetët e policisë hallakateshin në mjediset e një qendre stërvitore duke i drejtuar armët aparatit fotografik, në poza të ngjashme me ato të gangsterëve.

Kadetët e forcave policore të Serbisë në një foto të publikuar në median sociale

Për shumë vite, zyrtarët kanë thënë se ata do të ndalojnë në mënyrë eksplicite oficerët e sigurisë të punojnë në sektorin privat duke lëshuar urdhra në zbatim të Ligjit mbi Policinë të vitit 2005.

Tashmë, gjithsesi, ata thonë se qeveria do të miratojë një Ligj për Kontrollin e Brendshëm, i cili do të përfshijë një seksion ku do të speficikohen punët që policët nuk do të kenë të drejtë t’i bëjnë.

“Në opinionin tim, kjo është më e mirë se sa miratimi i rregullave për t’u marrë me këtë çështje për shkak se ligji është ligj, tërësisht i saktë dhe pa vend për interpretime të ndryshme,” thotë Milorad Todorovic, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Ai tha se qeveria do të përpiqet të miratojë këtë ligj nga fundi i këtij viti.

Ekspertët sugjergojnë se oficerët e policisë duhet gjithashtu të ndalohen të punojnë për sigurinë private për një periudhë të caktuar pasi të jenë larguar nga policia. Aktualisht, oficerët e sigurisë shpesh ndërpresin marrëdhënien e punës dhe pastaj krijojnë menjëherë një kompani sigurie ku rekrutojnë oficerë ende në uniformë për të punuar për ta.

“Në shumë vende të tjera problemi është zgjidhur në mënyrë drastike - për shembull në Belgjikë, ku ata nuk kanë të drejtë të punojnë për kompanitë e sigurisë private për pesë vjet,” vërejti Dusan Davidovic, një analist në Institutin për Kërkime Kriminologjike dhe Sociologjike, një institucion kërkimor me bazë në Beograd.

Megjithëse problemi është gjerësisht i pranuar, asnjë polic serb nuk është penalizuar për punën si rojë private në biznesin e sigurisë, tha një ish drejtor i kontrollit të brendshëm të policisë në një konferencë për shtyp vitin e kaluar.

Zlatko Nikolic, një kriminolog i mirënjohur në Beograd, tha se është koha që autoritetet të luftojnë seriozisht këtë problem. Pagat e ulëta të sektorin publik nuk janë justifikim i mjaftueshëm që oficerët e policisë të bëjnë punë të tjera, tha ai.

“Kjo tolerohet për shkak se këta njerëz të varfër nuk paguhen mirë,” tha ai. “Por pastaj çfarë duhet të bëjnë mjekët? Dhe a duhet që ministrat e qeverisë të punojnë si menaxherë lokalesh?”

 

 Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus