EnglishBos/Hrv/SrpRomânăБългарскиМакедонскиελληνικά 21 Dec 15

Paratë e luftës: Armët bullgare ndezin konfliktet e Lindjes së Mesme

Arabia Saudite, Emiratet dhe SHBA-të kanë blerë miliona dollarë armë në Bullgari, shumica e të cilave me gjasë kanë përfunduar në luftën e Sirisë, zbulon një investigim i BIRN.

Mariya Petkova Sofie, Anevo, Stamboll, Gaziantep dhe Antakia
 
Një avion mallrash saudit Boeing 747 në aeroportin e Sofies në 4 nëntor 2014. Foto: Stephan Gagov

Në tetor të vitit të kaluar, vëzhguesit e avionëve dalluan me interes se një avion i madh Boeing 747 Jumbo, i markuar si avion mallrash nga Arabia Saudite, filloi uljen në aeroportin e kryeqytetit të Bullgarisë, Sofie.

"Një avion saudit mallrash nuk ka ardhur kurrë këtu... së paku për 20 vitet e fundit,” shpjegoi Stephan Gagov, një vëzhgues i vjetër avionësh nga Bullgaria.

Fluturimet u bënë kaq të shpeshta sa Gagov filloi një temë mbi ta në një forum në internet për vrojtuesit e avionëve, duke përdorur frazën “linja e rregullt” si titull. Vrojtuesit raportuan se panë këta avionë të uleshin dy herë në tetor, një herë në nëntor, katër herë në dhjetor dhe nga një herë në mars dhe maj të këtij viti.

Avioni gjigand mbërriti nga Xhedah, u ngarkua me mall dhe fluturoi drejt qytetit saudit të Tabuk, rreth 100 kilometra larg kufirit me Jordaninë, sipas vrojtuesve të cilët përdorin faqe interneti për gjurmimin e fluturimeve.

Gagov vlerëson se këta avionë mund të mbajnë diku mes 60 dhe 80 tonë mallra në çdo udhëtim. Ai nuk mundi të shohë se çfarë gjendej brenda kutive, por kishte bindjen se malli i transportuar qe i rëndë.

Pasi fluturimet saudite ndaluan, avionë mallrash nga Abu Dhabi filluan të mbërrijnë. Airbus A330F dhe Boeing 777F të kompanisë Etihad Cargo zbritën në Sofie pesë herë mes qershorit dhe gushtit të këtij viti. Edhe më vonë, më 19 tetor, një avion Airbus 330F i Etihad Cargo fluturoi nga Abu Dhabi për në qytetin bullgar të Burgasit dhe më pas për te baza ajrore Al Dhafra, një bazë ushtarake në jug të kryeqytetit të Emirateve.

Autoritetet saudite, të Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe ato Bullgare nuk kanë publikuar informacion mbi përmbajtjen e këtyre ngarkesave. Por Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, mund të zbulojë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë blerë sasi të mëdha armësh dhe municionesh nga Bullgaria përgjatë dy viteve të fundit dhe se është pothuajse e sigurtë që këto armë u përdorën nga forcat vendase që ata mbështesin në luftën e Sirisë, e ndoshta edhe në konfliktin në Jemen.

"Është ende më fitimprurëse se sa tregtia e drogës,"

– tregtar bullgar armësh

Raporti vjetor i Bullgarisë mbi eksportet e industrisë së mbrojtjes, i cili u publikua në gusht të këtij viti por nuk mori mbulim mediatik, thotë se qeveria miratoi më shumë se 85 milionë euro shitje pajisjesh ushtarake dhe municionesh te Arabia Saudite më 2014, nga të cilat, shitje me vlerë 29 milionë euro u përfunduan deri në fund të vitit.

Qeveria e Bullgarisë i ka thënë gjithashtu BIRN-it se ka lëshuar leje për shitje të armatimeve për Emiratet e Bashkuara Arabe edhe këtë vit.

Bullgaria prodhon dhe ka rezerva të armatimeve të stilit sovjetik. Analistët thonë se ka shumë pak gjasa që Arabia Saudite apo Emiratet t’i blejnë këto armatime për forcat e veta, të cilat përdorin armatimet moderne perëndimore dhe për rrjedhojë, ka shumë gjasa që ata blenë municionet për fraksionet vendase që ata mbështesin në Siri dhe Jemen, ku armët e modelit sovjetik përdoren gjerësisht.

Një ish zyrtar ushtarak me njohuri mbi këtë çështje i tha BIRN-it se blerjet e sauditëve u transportuan me avionin që u pa nga vrojtuesit e avionëve dhe se ato kishin për destinacion luftëtarët e opozitës në Siri, ndërsa eksportet e mëvonshme ka gjasa janë dërguar për t’u përdorur në Jemen.

Një Boeing 777 i Etihad Cargo po ngrihet nga Aeroporti i Sofies më 30 qershor 2015. Foto: Stephan Gagov

Përgjatë vitit të fundit, edhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë blerje armatimesh në Bullgari si pjesë e një programi me vlerë 500 milionë dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat opozitare në Siri, program që tashmë është ndërprerë.

Luftëtarë të opozitës dhe analistë të pavarur i kanë thënë gjithashtu BIRN-it se armët bullgare po përdoren në Siri, ku më shumë se 250 mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 11 milionë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre që kur lufta shpërtheu në vitin 2011.

Në kohën e komunizmit, Bullgaria – një vend me vetëm 7 milionë banorë – ndërtoi një industri të stërmadhe armatimesh, duke punësuar 110 mijë njerëz dhe duke krijuar aktivitet ekonomik prej deri në 1.5 miliardë dollarë (1.3 miliardë euro) në valutë të fortë çdo vit. Regjimi bleu teknologji sovjetike për të prodhuar armë të lehta dhe municione. Vendi akumuloi rezerva të mëdha për të mbështetur ushtrinë e vet me personel prej 100 mijë vetësh si dhe u përgatit për mundësinë e një mobilizimi të përgjithshëm.

Gjatë sundimit të vet 45 vjeçar, partia komuniste e Bullgarisë zhvilloi lidhje të forta tregtare me Lindjen e Mesme dhe Afrikën, lidhje që janë ruajtur edhe nga shumë tregtarë, përfshirë ata që merren me tregtinë e armatimeve.

Biznes fitimprurës

Duke vëzhguar përmes syzeve të tij të mëdha, Nikolay Nikolov përmend si kalimthi se ai qe ulur një herë në të njëjtën tavolinë me Karlos Çakallin, militantin famëkeq marksist i cili qe aktiv në Lindjen e Mesme dhe në Europë gjatë viteve 1970 dhe 1980.

Nikolov, një pseudonim për të mbrojtur identitetin e tij, ka qenë aktiv në tregtinë e armëve prej 25 vjetësh.

“Çdokush merr një pjesë,” thotë ai, përfshirë zyrtarët e qeverisë dhe ndërmjetësit. “Komisionet shkojnë disa herë më shumë se sa vlera e marrëveshjes për armët. Nëse diçka kushton 10 milionë, çmimi final shkon në 35 milionë.”

I ulur në një kafene të vogël në qendër të Sofies, ku ai pëlqen të takohet dhe të bëjë bizneset e veta, Nikolov pi cigare njëra pas tjetrës dhe është plot kujtime.

I pyetur për shitjet e armëve në Lindjen e Mesme, ai tregon një ngjarje ku zvarriti valixhet përplot me para përmes shkretëtirës arabe.

Pas rënies së komunizmit më 1989, prodhimi i armëve në Bullgari ra me shpejtësi. Vlera zyrtare e eksporteve të armatimeve ra në 111 milionë euro në vitin 2006. Por pas kësaj, shitjet filluan të rriten sërish dhe në vitin 2014 arritën në 403 milionë euro, sipas shifrave zyrtare.

 

Eksportet e Industrisë së Mbrojtjes të Bullgarisë 2006-2014. Burimi: Ministria Bullgare e Ekonomisë.]

 Nikolov thotë se Bullgaria shiti përgjatë viteve shumë nga armatimet e rezervave.

“Kulmi i eksporteve të armëve qe gjatë luftërave në Jugosllavi. Shumë armë u eksportuan në Serbi dhe Shqipëri,” thotë ai. “Në atë kohë, ne kishim rezerva me vlerë miliarda ndërsa tashmë kemi rezerva me vetëm pak qindramilionë.”

Megjithëse prodhimi dhe shitja janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që qenë para vitit 1989, tregtia e armëve në Bullgari vijon të mbetet një biznes shumë fitimprurës. “Është ende më fitimprurëse se sa tregtia e drogës,” thotë Nikolov.

Interes nga Gjiri Persik

Arabia Saudite nuk ka qenë klient i madh për kompanitë bullgare të armëve në vitet e fundit. Por kjo ndryshoi në vitin 2014.

Raportet e qeverisë së Bullgarisë thonë se ajo lëshoi leje për shitje municionesh dhe pajisjesh me vlerë 85.5 milionë euro për Arabinë Saudite vitin e kaluar – përfshirë municione me vlerë 65.4 milionë, armë me kalibër të madh me vlerë 12.5 milionë dhe armë me kalibër të vogël me vlerë 5 milionë. Nga fundi i vitit 2014, kompanitë bullgare të armëve patën realizuar eksporte me këtë vend të Gjirit Persik me vlerë 28.9 milionë euro.

Ministria e Ekonomisë së Bullgarisë, e cila mbikëqyr tregtinë e armëve, i tha BIRN-it në një deklaratë se marrëveshjet përfshinin armë të lehta si dhe amatime të lehta e të rënda.

Një raport i OKB-së renditi 827 mitralozë të lehtë dhe 120 shtrate antitankesh SPG-9 si pjesë e eksporteve të Bullgarisë drejt Arabisë Saudite në vitin 2014.

Ben Moores, një analist i lartë në agjencinë konsulentë të mbrojtjes, IHS Janes, tha se armë të tilla me gjasë kanë shkuar në Siri apo Jemen. Ushtria saudite është e armatosur me automatikë të lehtë të prodhimit belg dhe nuk përdor SPG-9s, tha ai.

“Kjo lloj arme ka pak gjasa të përdoret nga ushtria saudite, por përdoret shumë në Jemen, në Irak dhe në Siri,” tha ai.

Ish-oficeri ushtarak bullgar, i cili foli në kushtet e anonimatit, i tha BIRN-it se fluturimet mes Sofies dhe Arabisë Saudite shërbyen për të transportuar armë bullgare për grupimet e opozitës në Siri. Pasi avionët u ulën në Tabuk, armët u ngarkuan në kamionë dhe u transportuan në një qendër shpërndarjeje në Jordani për forcat opozitare në Siri, tha ai.

Arabia Saudite është mbështetëse e rëndësishme e forcave kundërshtare të presidentit të Sirisë Bashar al-Assad. Riadi ka financuar blerje të mëdha të armëve të këmbësorisë nga Kroacia për forcat e opozitës në Siri, raportoi New York Times në vitin 2013, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe të Perëndimit “me njohuri mbi blerjet”.

një intervistë për BBC në tetor 2015, Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubeir pranoi hapur se Riadi furnizoi armë për luftëtarët e opozitës në Siri. “Ne duhet të kontribuojmë për ndryshimin e balancës së fuqisë në terren,” tha ai.

Ish-zyrtari ushtarak i Bullgarisë tha se disa nga armatimet që u transportuan për në Arabinë Saudite “mund të jenë përdorur gjithashtu edhe në Jemen, për shkak se fluturimet e fundit përkojnë me kohën e nisjes së operacionit ushtarak të sauditëve atje”. Arabia Saudite filloi operacionet ushtarake në Jemen në fund të marsit në mbështetje të forcave besnike të presidentit në ekzil Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Ndryshe nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sakaq një histori të blerjes së armëve nga Bullgaria. Një kabllogramë diplomatike nga ambasada e SHBA-së në Sofie, e publikuar nga WikiLeaks, raportoi se Emiratet financuan një marrëveshje të vitit 2010 për të blerë dhjetëramijëra automatikë, 100 mijë detonatorë, granatahedhës dhe municione të tjera për qeverinë e atëhershme të Jemenit.

Kabllograma tha gjithashtu se Bullgaria konsultohet me ambasadën e SHBA-së në lidhje me marrëveshjet e armëve që mund të jenë sensitive. E kontaktuar nga BIRN, ambasada refuzoi të thotë nëse qe apo jo në dijeni për blerjet e armatimeve për përdorim në Siri nga vende të tjera në Bullgari.

Eksportet e industrisë së mbrojtjes të Bullgarisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite në milionë euro. Burimi: Raportet e Ministrisë së Ekonomisë të Bullgarisë

Ministria e Ekonomisë i tha BIRN-it se këtë vit, qeveria e Bullgarisë lëshoi licenca për eksport municionesh, armësh dhe pajisjesh të mbrojtjes për Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo refuzoi të deklarojë vlerën e këtyre marrëveshjeve.

Pieter Wezeman, një kërkues nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare të Paqes në Stokholm, tha se “nuk ka kuptim” që Emiratet të blejnë armë dhe municione nga Bullgaria për përdorim të ushtrisë së vet. Ai tha se dyshonte se këto municione mund të jenë transferuar ose në Siri ose në Jemen. Moores doli në një konkluzion të ngjashëm.

“Ka shumë gjasa që [armët e blera nga Emiratet] mund të jenë devijuar për te një palë e tretë,” tha ai.

Si Arabia Saudite, ashtu edhe Emiratet janë pjesë e një koalicioni që ka kryer sulme ajrore, ka dërguar forca tokësore dhe ka furnizuar me armë luftëtarët vendas në Jemen, me synimin e mposhtjes së forcave shite, të njohura si Houthis. Riadi qe përfshirë gjithashtu në furnizimin me armë të Jemenit para se forcat e saj ushtarake të ndërhynin atje, tha Wezeman.

Ambasadat e Arabisë Saudite dhe të Emirateve në Bullgari nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN. Ministria e Ekonomisë së Bullgarisë tha se ajo nuk lëshon licenca për marrëveshje armësh kur ka shqetësime mbi devijim të mundshëm apo rieksport të tyre.

Kuadri ligjor

Nuk ka ndalim nga OKB për furnizimin me armë të Sirisë dhe shumica e elementëve të embargos së BE-së u hoqën në vitin 2013. Në luftën e Jemenit, OKB ka vendosur ndalimin e furnizimit me armë vetëm të forcave Houthi.

Gjithsesi, si një firmëtare e Traktatit të Tregtisë së Armëve (ATT) që hyri në fuqi në dhjetor 2014, Bullgaria ka gjithashtu përgjegjësinë të parandalojë transferimin e armëve te kombet apo grupet e ndryshme nga porositësit.

Ligjshmëria e çdo marrëveshjeje që mund të ketë sjellë dërgimin e armëve bullgare në Siri mund të varet nga termat e përcaktuara në këto marrëveshje.

Në tregtinë e armëve, shteti importues duhet të ofrojë një Certifikatë të Përdoruesit final, e cila mund të përmbajë një klauzolë që specifikon se armët nuk do të transferohen te një palë e tretë. Por edhe nëse një klauzolë e tillë ekziston, vendi importues zakonisht nuk vuan asnjë pasojë nga shkelja e saj.

“Nëse një eksport autorizohet dhe devijimi ndodh, ka shumë pak veprime që mund të ndërmarrë shteti eksportues (përveç ndalimit të eksporteve të mëtejshme të armëve te ai shtet/entitet),” tha përmes një emaili Sarah Parker, një kërkuese e lartë në Small Arms Survey, një qendër kërkimore me bazë në Gjenevë.

“Ajo ka një detyrim për shkak të ATT për të parandaluar devijimin e destinacionit. Rrjedhimisht, nëse sheh se porositësi mbart rrezik për këtë, ai duhet ta ndajë këtë informacion me eksportuesit e tjerë,” shtoi ajo.]

Aksidenti amerikan

Më 6 qershor këtë vit, një shpërthim fatal në një poligon të testimit të armëve në një zonë rurale në Bullgari detyroi Shtetet e Bashkuara të pranojnë se ishin duke blerë armë në Bullgari, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur luftëtarët e opozitës të Sirisë.

Një kontraktor amerikan, veterani 41 vjeçar i Marinës Francis Norwillo, vdiq kur një granatë shpërtheu ndërsa po montohej në një granatahedhës RPG-7. Dy nënshtetas të tjerë amerikanë dhe dy bullgarë u plagosën.

Amerikanët po punonin për një kompani amerikane me emrin Purple Shovel, e kontraktuar nga ushtria amerikane për të ndihmuar në stërvitjen dhe pajisjen e luftëtarëve të opozitës në Siri, tha ambasada e SHBA-së në një deklaratë të shkurtër.

“Të tre kontraktorët po kryenin trajnim për njohje për të punësuar të tjerë në kohën e aksidentit,” tha ambasada, duke refuzuar të japë më shumë komente.

Një databazë e prokurimeve të qeverisë së SHBA-ve tregon se Komanda e Operacioneve Speciale (SOCOM), e cila qe përgjegjëse për ndihmën ushtarake amerikane për luftëtarët sirianë, i dha Purple Shovel një kontratë me vlerë 26.7 milionë dollarë (24.6 milionë euro) në dhjetor 2014 për të furnizuar armë dhe municione. Vendi i tyre i origjinës listohet Bullgaria.

Kontrata u amendua dy herë për të arritur vlerën totale prej 28.3 milionë dollarësh, sipas databazës.

Pyetur mbi këtë marrëveshje, zëdhënësi i SOCOM Kenneth McGraw tha përmes emailit: “Armët që u blenë me këtë kontratë përfshinin lëshuesit e raketave antitank AT-5, shtratet e armëve antitank SPG-9 dhe granatahedhës krahu RPG-7.”

Por ai tha se arma e përfshirë në shpërthimin në Anevo nuk qe pjesë e kontratës. Pavarësisht incidentit fatal, McGraw tha se kontrata nuk është anuluar.

Granata qe prodhuar në vitin 1984, sipas autoriteteve bullgare, të cilat po hetojnë aksidentin. Një lajm i Buzzfeed News citoi një ekspert pa emër që tha se një granatë me atë moshë është tepër e “vjetër për t’u mbajtur në magazinë”.

Por dy ish oficerë ushtarakë bullgarë i thanë BIRN-it se municioni mund të magazinohet për shumë dekada pa problem në rast se ruhet në kushtet e duhura dhe se fakti që ajo qe prodhuar në vitin 1984 nuk e bën atë automatikisht tepër të vjetër për t’u përdorur në mënyrë të sigurtë.

Alexander Dimitrov, pronari i Alguns, një kompani private që pati marrë me qira tokën e përdorur për poligon në ditën e shpërthimit, refuzoi të komentojë.

"Të gjitha armët në Siri janë modele ruse,”

 - thotë një komandant i opozitës në Siri

Purple Shovel, një kompani me bazë në Sterling, Virxhinia, refuzoi gjithashtu të komentojë mbi aksidentin apo për kontratën me SOCOM.

Databaza e prokurimeve të SHBA-së tregon se SOCOM i dha gjithashtu një kontratë me vlerë 32 mijë dollarë (28 mijë euro) një kompanie tjetër amerikane, UCD USA, për të furnizuar municione nga Bullgaria. Kontrata u nënshkrua në të njëjtën ditë me atë të Purple Shovel dhe mban emrin "solicitation ID", kodi i përdorur për thirrjet me shkrim për garat për të marrë një kontratë.

Kontaktuar me telefon dhe pyetur nëse kontrata qe për forcat amerikane që po armatosnin luftëtarët sirianë, presidenti i kompanisë Matthew Herring tha për BIRN: “Jo, jo, ne nuk qemë pjesë e asaj dhe natyrisht ne nuk kemi lirinë të flasim për këtë çështje.”

Përpjekjet ushtarake amerikane për të trajnuar dhe pajisur forcat që luftojnë grupin militant ISIS në Siri u kritikuan shumë nga anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara si joefektive. Më 9 tetor këtë vit, administrata Obama njoftoi se ajo po e braktiste këtë skemë. Por një program i fshehtë i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës për të armatosur sirianët që luftojnë forcat e Asad mbetet në veprim.

Lidhja turke

Një mëngjes të nxehtë vonë në korrik, disa dhjetra komandantë të opozitës siriane diskutuan në kafenenë e një hoteli butik pranë Sheshit Taksim në qendër të Stambollit pasi morën pjesë në takime koordinuese. Ata po përgatiteshin për t’u kthyer në Turqinë e jugut dhe më pas në vijën e frontit në Sirinë e veriut.

Tri burra, komandantë të njësive në provincat e Idlibit dhe Alepos, pranuan të flasin për BIRN. Njëri shpjegoi se armët furnizohen te forcat e opozitës përmes dy “dhomave të operacioneve ushtarake” — një në Turqi dhe një në Jordani. Të tri thanë se ata morën armë nga dhoma e operacioneve në Turqi — për të cilën përdorën akronimin e saj MOM — përfshirë automatikë AK-47, granatahedhës krahu RPG-7 dhe armë antitank SPG-9.

Pyetur nëse armët që kanë marrë janë bullgare, njëri prej tyre tha: “Të gjitha armët në Siri janë nga modelet ruse. Si regjimi ashtu edhe revolucioni [opozita] i përdor ato. Ato mund të vijnë nga vende si Bullgaria, Ukraina, Republika Çeke, por ne nuk e dimë se ku ekzaktësisht janë prodhuar ato.”

Pasi iu tha se armët bullgare në disa raste mbajnë numrin 10 brenda dy rretheve, njëri prej komandantëve dërgoi një mesazh WhatsApp te një luftëtar i njësisë së tij në Siri, i cili ktheu përgjigje me tri foto të armëve. Dy prej tyre kishin këtë simbol identifikues.
Varianti bullgar i mitralozit PK (majtas) dhe granatahedhës krahu RPG-7 (djathtas) të përdorura në Provincën Perëndimore të Alepos në Siri, sipas komandantit të opozitës siriane i cili dha këto foto

Një specialist municionesh, i cili refuzoi të citohej me emër, i identifikoi më vonë këto dy armë si një granatahedhës krahu dhe një mitraloz PK. Komandanti tha se ato po përdoreshin në zonat rurale në perëndim të Alepos.

BIRN nuk mund të verifikojë se ku u bënë fotografitë, por N.R. Jenzen-Jones, drejtor i kompanisë konsulente britanike Armament Research Services, tha se ka “sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh të prodhuara në Bullgari të cilat janë dokumentuar në Siri.”

Shumica e armëve datojnë nga vitet 1970 dhe 1980 dhe përfshijnë armë të vogla, armë të lehta të tilla si armë antitank, municione dhe granatahedhës apo predha mortaje, tha ai përmes emailit.

Bullgaria furnizoi si Sirinë ashtu edhe Irakun përgjatë shumë viteve kështu që disa prej këtyre armëve mund të kenë ardhur nga rezervat ekzistuese brenda këtyre vendeve. Por Jenzen-Jones tha se organizata e tij ka marrë “informata të shumta që sugjerojnë se materialet surplus nga Bullgaria i janë dhënë fraksioneve rebele siriane”.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të verifikojmë këto pretendime në mënyrë të pavarur,” shtoi ai.

Ashtu si Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, edhe Turqia ka qenë përzjerë shumë në dhënien e mbështetjes për grupimet e opozitës në Siri. Nihat Ozcan, një oficer ushtarak në pension dhe analist pranë Fondacionit për Kërkime në Politikat Ekonomike të Turqisë, tha se kombet që mbështesin opozitën e Sirisë kanë përdorur edhe Turqinë si pikë tranzit për të dërguar armë në Siri.

“Ata mbledhin këtë lloj armatimi të vjetër sovjetik e pajisjesh nga [vendet e ish bllokut të Lindjes] si Bullgaria, Rumania apo nga Azia Qendrore. Ata i sjellin [ato] në Turqi dhe pastaj i kalojnë në Siri nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, të Turqisë dhe të aleancës,” tha Ozcan.

Një punonjës ndihmash në Turqi, me njohuri nga grupimet e moderuara anti-Asad në Idlib dhe Alepo, tha se armët e blera nga kombet e tjera i transferoheshin forcave të opozitës përmes dhomave të operacioneve ushtarake.

Armët qenë dorëzuar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, ku luftëtarët sirianë i merrnin ato, tha ai në një intervistë në qytetin turk të Gaziantepit, pranë kufirit. Dhomat e operacioneve ushtarake në Turqi dhe Jordani mbështeten nga grupi i vendeve Perëndimore dhe Arabe përfshirë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe Emiratet si dhe disa vende të tjera, sipas disa burimeve nga opozita e Sirisë.

Përveç armëve të transferuara nga qeveritë e ndryshme, ka disa prova që flasin për kontrabandë municionesh drejt Sirisë në marrëveshje private.

Një burrë tjetër me grupin në hotelin në Stamboll, i cili e identifikoi veten si një anëtar i këshillit ushtarak të opozitës në provincën e Homsit, i tha BIRN-it se ai ka parë ngarkesa me armë bullgare që kanë mbërritur me kamion në Homs në gusht 2012.

Burri, i cili kërkoi të identifikohet vetëm si Abu Fatima, tha se një biznesmen sirian thuhet se pagoi 1.6 milionë dollarë (1.4 milionë euro) për armët, të cilat përfshinin automatikë AK-47, granatahedhës dhe municione. Ai tha se marrëveshja qe realizuar nga ndërmjetës sirianë dhe bullgarë.

Në një invervistë tjetër, një ish luftëtar i opozitës në Siri tha se ai qe përfshirë në 12 transferta armësh bullgare duke filluar nga viti 2013, më e madhja e të cilave kishte vlerën 7 milionë dollarë (6.4 milionë euro). Luftëtari, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se ngarkesat u dorëzuan në kufirin e Sirisë me Turqinë në dy kamionë dhe marrëveshja qe realizuar me ndërmjetësimin e shtetasve sirianë dhe turq me lidhje me tregtarët bullgarë të armëve.  

Mariya Petkova është një gazetare bullgare që mbulon ngjarje në Europën Lindore, Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus