Lajm 29 Jun 12

Në Brcko Kërkohet Mbrojtje e Dëshmitarëve

Qeveria e Qarkut të Brckos ka kërkuar nga policia lokale që të përdor të gjithë burimet e mundshme për të mbrojtur dëshmitarët që dëshmojnë në rastet e krimeve të luftës.

Gjatë një takimi të qeverisë në Qarkun e Brckos , të mbajtur të martën, më 26 qershor, policia lokale dorëzoi një raport për të shtënat e dëgjuara në shtëpinë e Cvijetin Radicit, një dëshmitar i prokurorisë në gjyqin e dy boshnjakëve të akuzuar për torturë ndaj serbëve të Bosnjës, në vitin 1992 dhe 1993.

Sipas të dhënave nga policia e Brckos, Cvijetin Radic dorëzoi një raport, duke thënë se plumbat ishin gjuajtur drejt oborrit të shtëpisë së tij dy herë gjatë ditëve të fundit.

“Pasi Zëvendës Drejtori i Policisë prezantoi raportin në seancë, Qeveria e Qarkut të Brckos i kërkoi policisë të përdorë të gjitha mjetet dhe burimet e mundshme për të mbrojtur dëshmitarët që dëshmojnë në rastet e krimeve të luftës”, tha Slavica Pavlovic, zëdhënësi i qeverisë së Qarkut të Brckos.

Goran Lujic, Drejtori i Policisë së Brckos, tha për BIRN-in se hetimi për këtë rast ka filluar “pavarësisht konkluzioneve të qeverisë”.

“Ky rast është me interes të madh për publikun e gjerë. Kemi një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve nën kërcënim si dhe dëshmitarëve në rrezik. Në përputhje me atë ligj, kemi filluar së realizuari aktivitete që synojnë të zgjidhin rastin, duke filluar me gjetjen e motiveve dhe rrethanat nën të cilat ky rast ndodhi,” tha Lujic.

Sipas Lujicit, policia e Qarkut të Brckos ka dërguar një numër oficerësh në zonë, gjatë ditëve të fundit. Ka kërkuar gjithashtu ndihmën e banorëve të tjerë për të mbledhur të dhëna në lidhje me rastin.

Një ditë para të shtënave, të premten, më 22 qershor, Radic kishte dëshmuar në rastin e dy boshnjakëve, Galib Hadzic dhe Nijaz Hodzic para Gjykatës Bazë në Brcko.

Hadzic dhe Hodzic akuzohen se kanë marrë pjesë në torturimin dhe trajtimin çnjerëzor të civilëve serbë të Bosnjës dhe të burgosurve të luftës nga zona e Bukvikut në 1992 dhe 1993.

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter