Lajm 03 Jul 12

Kulla Olimpike në Londër Hedh “Hijen e Turpit”

Orbit ArcelorMittal, e cila u ndërtua për Lojërat Olimpike Verore 2012 në Londër, do të përvetësohet si Përkujtimore në Ekzil nga të mbijetuarit e kampit të përqendrimit Omarska.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë
ArcelorMittal Orbit                           Foto nga ArcelorMittal

Tre të mbijetuar nga kampi Omarska, Satko Mujagic, Rezak Hukanovic dhe Kemal Pervanic, bashkë me anëtarë të grupit Katër Fytyrat e Omarskës nga Beogradi dhe Universiteti Goldsmiths, organizuan një konferencë për shtyp në Londër të hënën për të rritur ndërgjegjësimin e faktit se viktimat e Prijedorit nuk kanë vend për të përkujtuar  njerëzit e tyre të vdekur.

Omarska, ish-kamp nën kontrollin serb në Bosnjë, ku të paktën 3,334 boshnjakë dhe kroatë nga Prijedori  u burgosën, është një minierë hekuri që tani është në pronësi dhe operohet nga Arcelor Mittal.

Organizatorët e konferencës për shtyp thanë se përfitimet e nxjerra nga Omarska janë përdorur për të ndërtuar Orbitin ArcelorMittal, të cilin e shohin si “hije turpi për Mittalin, Londrën dhe Lojërat Olimpike”, që do të fillojnë më vonë këtë muaj.

Satko Mujagic, i mbijetuar nga Omarska, tha për BIRN-in se miniera e hekurit nga Omarksa mund të përmbajë “mbetje njerëzore nga viktimat e Prijedorit”, që është arsyeja pse do që një kopje e ngjashme me Shtëpinë e Bardhë - burg në ish-kampin - të ndërtohet nën strukturën e Orbitit për të përkujtuar kockat e shkrira që mund të jenë në përbërje të saj.

“Po i kërkojmë ArcelorMittalit të na japë qasje të plotë në vendin e ish-kampit Omarska. Presim që Mittal të ndërtojë më në fund memorialin në Omarska, siç kanë premtuar më parë. Deri atëherë, ndihemi të lirë të konsiderojmë Orbitin e Londrës përkujtimoren tonë në ekzil”, tha Mujagici.

Sidoqoftë, Tobin Postma, specialist për Marrëdhëniet me Median për ArcelorMittal, i tha BIRN-it se ndryshe nga çfarë është sugjeruar, asnjë material nga Prijedori nuk është përdorur në ndërtimin e Orbitit.
 “Fakti se ArcelorMittal, si sponsor i Lojërave Olimpike të 2012, ka ndihmuar në ndërtimin e Orbitit në parkun Olimpik nuk është e lidhur në asnjë mënyre me këtë çështje të ndjeshme në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Jemi krenar për kontributin tonë në zhvillim ekonomik në Bosnjë. Jemi investitori më i madh i huaj në vend dhe punësojmë më shumë se 3,850 punëtorë në impiantin e çelikut në Zenicë dhe minierën tonë në Prijedor”, tha ArcelorMittal, në një deklaratë për shtyp të dërguar BIRN-it.

Mujagici, sidoqoftë, thotë se është koha që kampi i vjetër i përqendrimit ku “burrat u vranë dhe gratë u përdhunuan” të kthehet në muze dhe një minierë e re për hekurin të ndërtohet, duke zëvendësuar minierën që u përdor si kamp përqendrimi dhe që mund të konsiderohet varr masiv.

Në deklaratën e tij për BIRN-in, Mujagici tha se viktimat e Prijedorit u detyruan të organizoheshin një konferencë për shtyp, sepse telefonatat e tyre dhe kërkesat për t’u takuar me përfaqësues të ArcellorMittal janë injoruar.

ArcelorMittal bleu kompleksin e minierës në Ljubija, që përfshin Omarskën, më 2004. Në vitin 2005, kompania premtoi të financojë dhe të ndërtojë përkujtimore në tokën në Omarska, por shtatë vjet më pas, një përkujtimore publike ende pritet të ndërtohet.

Në një deklaratë për shtyp të martën, ArcelorMittal thotë se njeh trashëgiminë e Omarskës dhe se është gati të financojë një përkujtimore të përshtatshme.

“Fatkeqësisht nuk është e mundur për AacelorMittal të ndërtojë përkujtimore vetë. Sipas ligjeve të Bosnjës dhe Hercegovinës, leja për përkujtimore mund të jepet vetëm nga autoritetet lokale. ArcelorMittal nuk mund të japë një leje të tillë”, shkruan në deklaratë.

Këtë vit, përfaqësues të ArcelorMittal i mohuan qasje në vendin e kampit dhe ndërtesë,  studentëve nga Mynihu, përfaqësuesve të Goldsmiths University London, grupit Katër Fytyrat e Omarskës nga Beogradi dhe OJQ-ve vendore që donin të përkujtonin 20-vjetorin e krimeve në rajon.

 

 

 

 

 

 

 

 

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter