Zyrtarët kroatë reaguan me një kombinim shoku dhe ironi ndaj deklaratave të presidentit të ri serb, Tomislav Nikolic, se Vukovari është “një qytet serb” dhe se “Serbia e Madhe” ishte “ëndrra e tij e parealizuar”.
Në një intervistë me të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, FAZ, që u bë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, Nikolic tha se “një Serbi e madhe ishte ëndrra e tij e parealizuar” dhe se “Vukovari ishte një qytet serb, në të cilin kroatët nuk duhet të kthehen”.
“Nëse deklarata e zt. Nikolic do të thotë kthim në idetë e viteve ’90-të, mund të them në emër të të gjithë civilëve kroatë se ato ide nuk do të realizohen”, tha presidenti kroat, Ivo Josipovic.
Duke kujtuar se Kroacia “diti si ta mbronte sovranitetin e saj,” Josipovic shtoi se “do të dijë ta mbrojë edhe sot”.
Bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kroacisë “do të ishte i mundur nën kushtin që Nikolici ndryshon sjelljen e tij”, tha Josipovici.
Ministrja e Jashtme Kroate, Vesna Pusic, tha se deklaratat e Nikolicit janë “shokuese dhe absolutisht të papranushme për Kroacinë”.
“Nëse Kroacia dhe Serbia duan të bëjnë mirë për qytetarët e tyre, duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë. Por për këtë, është i nevojshëm vullneti nga të dyja palët”, tha Pusic.
Ministri i veteranëve të luftës në Kroaci, Predrag Matic, i cili luftoi në Vukovar dhe kaloi nëntë muaj në tre burgje në Serbi, pati një qëndrim më ironik.
“Jam dakord me Nikolicin se ka disa ëndrra që nuk do të realizohen kurrë. Edhe unë ëndërrova për Claudia Schifferin, por e kuptova që s’do të realizohej”, tha Matic.
Kryebashkiaku i Vukovarit, Zeljko Sabo, është gjithashtu veteran i luftës që luftoi në Vukovar dhe ishte i burgosur në Serbi për nëntë muaj.
“Vukovari është një qytet multietnik, me 32 për qind të popullsisë, serbe. Është një qytet paqësor dhe tolerant dhe do të bëjmë çdo gjë për ta mbajtur të tillë”, tha Sabo, kur u pyet për të komentuar deklaratën e Serbisë se Vukovari është një “qytet serb”.
Presidenti i sapozgjedhur i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, Tomislav Karamarko, tha se HDZ-ja “do të ketë një përgjigje për secilën deklaratë të tillë të Nikolicit”.
“Do të duhet ta pastrojë veten tërësisht nga e kaluara e tij çetnike, nëse do të vërtetojë kredencialët e tij europiane”, tha Karamarko.
Partia e Nikolicit, Partia Progresive Serbe, SNS, e mohoi të premten se Nikolici ka thënë që ‘Vukovari është qytet serb dhe se kroatët nuk duhen kthyer aty”.
Tomislav Nikolici do “marrëdhëniet më të mira të mundshme me vendet fqinje” tha të dielën një zyrtar i SNS-së, Marko Djuric.
Michael Martens, gazetar i FAZ-it, që intervistoi Nikolicin konfirmoi për televizionin kroat, HRT, vërtetësinë e deklaratave të Nikolicit.
“Ekzistojnë regjistrime audio të intervistës, nëse ka ndonjë dyshim”, tha Martens, duke shtuar se Nikolici tha se nuk ka nevojë për të autorizuar intervistën.
Në një intervistë me FAZ-in, Nikolic tha se “Serbia e Madhe” ishte “ëndrra e tij e parealizuar”.
“Ka ëndrra që një njeri nuk mund të realizojë. Kroacia është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, kufijtë kroatë janë në Danub dhe nuk do të ketë ndryshime të kufijve. E njëjta qëndron edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën”.
“Ëndrrat e mia, që nga koha kur Jugosllavia u shpërbë dhe vendimet u morën se kush do të jetonte ku, për fat të keq nuk u realizuan. Dhe, siç qëndrojnë gjërat, nuk do të realizohen kurrë”, tha Nikolici.
I pyetur nga gazetarët të komentojë se pse ka më shumë serbë dhe kroatë që jetojnë në Vukovar sot, përgjigja e Nikolicit ishte sepse “Vukovari ishte një qytet serb” dhe për këtë arsye “kroatët nuk duhet të kthehen aty”.