Në gjyqin e tetë personave të akuzuar për abuzim të të burgosurve serbë të Bosnjës në Hadzici, afër Sarajevës, një dëshmitar tha se u mbajt në një qeli të ngjeshur dhe u rrah me pushkë.
Dëshmitari i prokurorisë tha se u burgos në një qeli në kampin Silos, me 34 serbë të tjerë, dhe u sulmua nga rojet disa herë në ditë, pasi arriti, në maj të vitit 1992.
“Dy burra hynë papritur dhe njëri më tha se nuk do ta festoja më ditën e shenjtorit tim mbrojtës”, tha dëshmitari Lazar Krstic, në gjyqin në Sarajevë.
“Kur më qëlloi me pushkë, rashë dhe kur erdha në vete, pashë që isha gjakosur, pashë përreth dhe pashë se muret ishin mbuluar me gjak”, tha ai.
Prokurori boshnjak akuzon Becir Hujicin, Halid Covicin, Mustafa Djelilovicin, Fadil Covicin, Mirsad Sabicin, Nezir Kazicin, Serif Mesanovicin dhe Nermin Kalemberin për krime lufte të kryera në kampin në Silos, barakat në Krupë dhe në shkollën fillore “9 Maji”.
Sipas aktpadisë, Hujic ishte kujdestar në kampin Silos, ashtu si ishte Halid Covic në një datë më të vonë. Mesanovic ishte një nga nën kujdestarët në Silos dhe gjithashtu kujdestar kampi në Krupë, ndërsa Kalemberi ishte roje në Silos. Të tjerët ishin anëtarë të autoriteteve civile, ushtarake dhe policore.
Dëshmitari tha se një herë një roje i panjohur i derdhi një tas me urinën e të burgosurve mbi kokë.
Ai tha se u la për herë të parë vetëm pas katër muajve në kamp dhe se gjatë tre muajve të parë, të burgosurve iu jepej vetëm një vakt në ditë.
Dëshmitari tha gjithashtu se pa “Kalemberin tek shkelmonte [të burgosurin] Jovo Krstic në ije”. I pyetur nga avokati i Kalemberit se pse nuk e tha këtë në deponimin që bëri në vitin 2008, dëshmitari tha se nuk e dinte.
Ai shtoi se 500 deri në 600 vetë u mbajtën të burgosur në kampin e Silosit, mes tyre edhe gra.
Gjyqi do të vazhdojë më 7 shkurt.
Timeline of events in the case against 13 former Serb fighters charged with committing war crimes in the villages of Cuska, Zahac, Ljubenic and Pavlac in Kosovo in 1999.