Reportazh 17 Aug 12

Jeta e Rrezikshme e Stefica Galicit, Oskar Schindleri i Ljubuskit

Pothuajse dy dekada mund të kenë kaluar që nga fundi i luftës në Bosnjë, por në qytetin e vogël të Ljubuskit, është më mirë të mos flitet për padrejtësitë e luftës, siç tregoi rrahja e gazetares Stefica Galic.

Boris Pavelic
Ljubuski
Qyteti i  Ljubuskit | Foto nga: Boris Pavelic

Galic, redaktore e uebfaqes së lajmeve lokale tacno.net, u rrah në mes të korrikut dhe që atëherë po vuan nga presioni publik dhe izolimi, vetëm pse guximi i saj dhe i bashkëshortit të saj për shpëtimin e boshnjakëve gjatë luftës, ishte tema e një dokumentari.

Këto ditë në Ljubuski, një nga dhjetëra qytetet kroate të shpërndara në malet gjarpëruese të Hercegovinës, ka një fshehtësi heshtjeje për Stefica Galicin.

Gjatë vizitës së Balkan Insight në Ljubuski ishte e vështirë të gjendej dikush i gatshëm për t’iu folur hapur gazetarëve. Edhe dyert e bashkisë së qytetit ishin të mbyllura - kryebashkiaku ishte pushim.

Stefica Galic mund të quhet “Oskar Schindler i Ljubuskit” ndonjë ditë. Por për tani, ka nevojë për mbrojte dhe trajtim mjekësor.

Më 18 korrik, gjatë shëtitjes së zakonshme të pasdites, u rrah dhe lëndua nga aktivistja e shoqatës së veteranëve të luftës në Ljubuski, Vera Dedic, që vazhdoi t’i drejtonte abuzime Steficës, gjatë sulmit.

Vera Dedic dhe veteranët e luftës në Ljubuski nuk ishin të kënaqur nga shfaqja e dokumentarit “Nedjo of Ljubuski” [Nedjo od Ljubuskog”] në qytet, disa ditë më parë.

Dokumentari, që është 50 minuta i gjatë, tregon historinë e Steficës dhe bashkëshortit të saj Nedeljko Galic, të dy kroatë të Bosnjës nga Ljubuski, që i shpëtuan dhe mbrojtën banorët boshnjakë që po dëboheshin nga kroatët gjatë konfliktit kroat-boshnjak në vitin 1993, gjatë luftës në Bosnjë.

Dokumentari u bë nga OJQ-ja në Sarajeve Gariwo, dega boshnjake e OJQ-së globale “Garden of the Righteous of the World”, Gariwo.

Gariwo udhëhiqet nga aktivistja e të drejtave të njeriut, Svetlana Broz, mbesa e Josip Broz Titos, themeluesi dhe president i Jugosllavisë socialiste.

“Nedjo of Ljubuski” përdori dëshminë e miqve të Galicit, bashkëqytetarëve dhe personave që shpëtuan, për të ndërtuar një histori mahnitëse të kurajës njerëzore, fisnikërisë dhe vullnetit për të kundërshtuar krimet e luftës dhe për të ndihmuar viktimat e një etnie tjetër.

Nedjo of Ljubuski

“Njerëz, ndalni, nuk mund ta bëni këtë, është çmenduri, kriminale!” bërtiti Nedjeljko Galic, më 15 gusht 1993, përballë stacionit të policisë në Ljubuski, ku Këshilli i Mbrojtjes Kroate, HVO, që formoi milicinë kroate gjatë luftës në Bosnjë, filloi të mblidhte boshnjakët dhe t’i dëbonte në kampet e burgut e HVO-së, në Heliodrom, Dretelj dhe Gabela.

Vite më vonë, gjashtë figurat më të larta politike dhe ushtarake të të ashtuquajturës Herceg-Bosnja, një mini-shtet kroat që u krijua në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës, dolën në gjyq për ato dëbime para Tribunalit të Hagës, ICTY.

Aktgjykimet për atë gjyq, një nga më të gjatët në historinë e ICTY-së, priten të jepen pranverën e ardhshme.

Në vitin 1993, autoritetet e Herceg-Bosnjës e panë dëbimin e popullatës boshnjake jo si krim lufte, por si një metodë legjitime për të krijuar një “shtet kroat” etnikisht të pastër në Bosnjë.

Nedjeljko dhe Stefica Galic e dalluan kriminalitetin e dëbimeve që nga fillimi, dhe ndryshe nga të tjerët, bënë çfarë mundën për ta parandaluar.

Në studion e tyre të vogël fotografike në Ljubuski - Nedjelkjo ishte fotograf amator dhe fotoreporter para luftës - Stefica dhe Nedjeljko falsifikuan dëshmitë e boshnjakëve të burgosur në mënyrë që të liroheshin nga kampet e burgimit.

Autoritetet i lironin të burgosurit nëse mund të vërtetonin me një dëshmi se njihnin dikë ku mund të shkonin jashtë Bosnjës. Sipas dëshmive në dokumentarin e Gariwos, familja Galic shpëtoi rreth një mijë boshnjakë nga Ljubuski nga kampet në këtë mënyrë.

Pothuajse të gjithë boshnjakët nga Ljubuski, rreth 1,500, u dëbuan më 15 gusht 1993, që do të thotë se familja Galic arriti të lirojë dy të tretat e bashkëqytetarëve të tyre boshnjakë.

Por për Nedjeljkon, Stefica dhe tre fëmijët e tyre, kjo ishte vetëm e para në një numër ngjarjesh që ua ndryshuan jetën.

Të neveritur nga dhuna gjatë luftës ndaj bashkë qytetarëve të tyre, me të cilët kishin jetuar në paqe dhe miqësi për vite, u larguan nga Ljubuski në fund të vitit 1993 dhe lëvizën në kryeqytetin çek, Pragë.

Ata refuzuan të klasifikoheshin si refugjatë, që do t’u kishte dhënë masa sigurie financiare, duke thënë me krenari se askush nuk i dëboi, por ishin larguar me vullnet të lirë.

U kthyen një vit më vonë, sepse Nedjeljkon e kishte marrë malli tepër për qytetin e tij.

Kanë jetuar në kushte të vështira ekonomike që atëherë, duke duruar stigmën e të quajturit “komunistë” dhe “jugo-nostalgjikë” në Ljubuski.

Tetë vjet më vonë, në vitin 2001, Nedjeljko u sëmur dhe vdiq. Stefica qëndroi në Ljubuski dhe u bë gazetare, duke redaktuar uebfaqen e pavarur të lajmeve tacno.net.

Derisa “Nedjo of Ljubuski” u filmua dhe u shfaq në Ljubuski në korrik, nuk ishte kërcënuar kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por kishte vuajtur armiqësinë e zakonshme që të gjithë ata që përpiqen të kundërshtojnë shovinizmin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ish-Jugosllavi duhet të durojnë.

Kur “Nedjo of Ljubuski” u shfaq në publik, sidoqoftë, Stefica u bë shënjestër e kërcënimeve të dhunshme

Shfaqja që u mbajt në hollin e bashkisë në Ljubuski, u desh të mbrohej me prezencë të fortë të policisë, dhe pati protesta në rrugë nga shoqata të veteranëve të luftës, pasi filmi u shfaq.

Disa ditë më vonë, Stefica u rrah.

“Ishe shumë më keq në vende të tjera…”

Protestat dhe dhuna janë simptomatike të mohimit të krimeve të luftës, që ende shqetëson Ljubuskin 19 vjet pasi krimet ndodhën.

“Pse nuk bëri Svetlana Broz një dokumentar për gjyshin e saj, Josip Broz Tito, që ka bërë kaq keq në këtë qytet”, tha një banor i Ljubuskit për Balkan Insight, i inatosur nga shfaqja e “Nedjo of Ljubuski” në qytet.

“Nuk mund të flas për dëbimin e boshnjakëve nga Ljubuski sepse isha e re në atë kohë, por e di që bëjnë jetë shumë më të mirë në vendet perëndimore, sesa ne këtu”, tha Ruzica Puljic, e pyetur rreth dëbimeve.

Disa banorë të tjerë të Ljubuskit, që refuzuan të përmenden me emra thanë për Balkan Insight se nuk është e drejtë që të veçohet Ljubuski për shkak të dëbimeve të boshnjakëve nga qyteti “sepse ishte shumë më keq në vende të tjera”.

“Të paktën, në Ljubuski askush nuk u vra”, thanë ata.

Atmosfera toksike e mohimit kulmoi në sulmin e Stefica Galicit pas shfaqjes së dokumentarit.

Ajo nuk u shfaq më në publik për shkak të kësaj, duke u përpjekur të qetësonte situatën, dhe e shqetësuar për fëmijët e saj, që ishin të shokuar kur nëna e tyre u sulmua, thanë miq të familjes për Balkan Insight.

“Por në një deklaratë të publikuar në tacno.net, Galic përsëriti se “çdo gjë që tha në dokumentarin ‘Nedjo od Ljubuskog’ ishte e vërtetë, për të cilën nuk do ndalet kurrë së foluri”.

Amer Bahtijar, redaktor në tacno.net | Foto nga Boris Pavelic

Familja e Galicit ka kërkuar mbrojtje nga policia, por policia ka dështuar ta organizojë këtë, thonë kolegët e Steficës.

Amer Bahtijar, kolegu i Steficës dhe redaktor në tacno.net, tha për Balkan Insight se policia e Ljubuskit ka penguar hetimin e sulmit.

Ai tha se personalisht ka parë një polic në Ljubuski që e fyente haptazi Steficën në një bisedë me kolegët e tij.

Përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Bosnjë e dënuan sulmin, por nuk duket se kjo ka pasur ndonjë impakt, as për hetimin e policisë, ose ndjenjën e publikut vendor.

Stefica Galic ende jeton nën presion të ashpër në Ljubuski, por është e vendosur të mos largohet nga qyteti, pavarësisht ftesave të shumta nga personat që ajo dhe bashkëshorti i saj shpëtuan, që tani jetojnë jashtë shtetit.

Fahro Konjhodzic, një nga boshnjakët e dëbuar | Foto nga Boris Pavelic

“Jam i shqetësuar për të dhe fëmijët e saj. Nuk e di se si mund t’ia dalin”, thotë një mik i familjes së Galicit, Fahor Konjohodzic, gazetar në Ljubuski para luftës.

Konjohodzic ishte një prej boshnjakëve të dëbuar që tani jeton në Oslo të Norvegjisë dhe redakton “Shtypin Boshnjak”, një revistë mujore për refugjatët boshnjakë që jetojnë në vendet skandinave.

Konjohosdizc beson se Stefica Galicit i duhet mbrojtje fizike dhe mbështetje nga publiku dhe elitat politike të Bosnjë Hercegovinës dhe të Kroacisë, por nuk është optimist se do ta ketë këtë gjë.

Duket, atëherë, se “Schindleri nga Ljubuski” duhet të presë edhe pak - ndoshta përgjithmonë - derisa qyteti dhe vendi i saj të njoh kurajën, humanitetin dhe fisnikërisë e familjes së saj.

Boris Pavelic është gazetar i të përditshmes kroate “Novi List”.


 

 

Talk about it!

blog comments powered by Disqus

Latest Headlines

Comment 23 Jan 18

Ivanovic Killing Shows Serbia and Kosovo Must Cooperate

News 22 Jan 18

Kosovo, Serbia Agree to Share Information on Ivanovic

News 22 Jan 18

WWII PM Nedic ‘Saw Himself as Serbia’s Petain’

News 18 Jan 18

Witness Recognized Medicus Suspect at Pristina Airport

News 17 Jan 18

Macedonia President Vetoes Language Law

News 17 Jan 18

Kosovo Police Tracks Car Origin in Ivanovic Murder

comment 17 Jan 18

Ivanovic Death is Failure for All of Kosovo

Background

serb-minority-rights-scripted-out-in-croatia-09-02-2015

Serb Minority Rights Scripted Out in Croatia

The muted response to the Croatian town of Vukovar’s decision to scrap controversial bilingual signs in Latin and Serb Cyrillic script suggests the EU has lost focus on minority rights, analysts claimed.

Croatian Dissident Feared Kidnap by Yugoslav Spies

The trial of Zdravko Mustac and Josip Perkovic, former Yugoslav spy chiefs accused of killing a Croatian émigré, heard that the victim repeatedly told his German lover that he was living in fear.

Subscribe to Our Newsletter