Lajm 13 Jun 12

Ish të Burgosurit e Kampeve në Bosnjë Bashkojnë Forcat

Të burgosurit e kampeve të kohës së luftës, të cilët kanë bërë kërkesa për kompensim nga autoritetet e Bosnjës, ende po presin për pagesat, shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Zijahudin Smailagic, presidenti i Shoqatës Rajonale të Ish të Burgosurve në Banjallukë, është një nga të paktit të cilëve i është paguar dëmshpërblim.

Smailagic kaloi 17 muaj në një qendër burgimi në Mali Kamp në Banjallukë dhe Gjykata e Qarkut në qytet e detyroi Republikën Srpska në vitin 2005 t’i paguajë 4 euro për secilën ditë të kaluar në kamp, një total prej 2,200 eurosh. Gjashtë vite pas marrjes së vendimit, Republika Srpska e pagoi Smailagicin verën e vitit 2011.

Ai tha për BIRN-in se rasti i tij duhet të jetë një mësim për të gjithë ish të burgosurit, se kërkesat e tyre për kompensim janë të mundshme, dhe mënyra e vetme e njerëzve për të pasur të drejtat e tyre është duke sjellë bashkë të burgosurit boshnjakë, serbë dhe kroatë.

Kjo është arsyeja pse, shpjegon Smailagic, ai themeloi Shoqatën Rajonale për ish të Burgosurit në Banjalllukë, që tani ka rreth shtatë mijë anëtarë. Smailagic thotë se është shoqata e vetme multientike për të burgosurit, aktualisht, në Bosnjë.

“Kjo është mënyra e vetme për të lëvizur para për ata persona që iu janë marrë të drejtat. Politika është arsyeja pse nuk kemi një shoqatë të përbashkët të burgosurish. Nëse duam pajtim ky është shansi ynë i vetëm. Duhet të shihni anëtarët tanë nga të gjitha anët; të gjithë kanë histori të ngjashme, nëse janë boshnjakë, kroatë ose serbë. E kuptojnë njëri-tjetrin”, tha Smailagovici.

Më shumë se 650 kampe dhe objekte të tjera burgim u hapën në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës së fillimit të viteve 1990-të. Ishin nën kontrollin e ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e dominuar nga boshnjakët dhe ushtrisë së Republikës Srpska, VRS, e udhëhequr nga serbët, dhe Këshilli i Mbrojtjes Kroate, HVO.

Gjykatat në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë nxjerrë më shumë se njëqind aktgjykime në favor të ish të burgosurve për kohën që kaluan në kampe dhe vuajtjet që përjetuan, por vetëm një numër i vogël i tyre është paguar.

Smailagici thotë, sidoqoftë, se të burgosurit duhet të mbrohen dhe të kenë të gjitha të drejtat e tyre.

Shoqata në Banjallukë, aktualisht, ka 3,500 kërkesa për kompensim nga Republika Sprska në Gjykatën e Qarkut në Banjallukë, dhe 2,000 kërkesa nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës në gjykatë në Sarajevë.

Vetëm javën e shkuar, tre anëtarë serbë të Bosnjës në shoqatën e Smailagicit fituan në gjykatën e Sarajevës në kërkesat ndaj Federatës së Bosnjës. Cedo Maric, Nikola Jovicic dhe Luka Patkovic, nga Derventa, do të marrin një total prej 25,000 eurosh për abuzimin që përjetuan gjatë burgimit në Cardak, Bosanksi Brod dhe Tulet nga forcat boshnjake dhe kroate.

Smailagic po pret edhe disa aktgjykime të tjera në Banjallukë dhe Sarajevë, më vonë këtë muaj.

“Problemi ynë më i madh është koha që duhet për gjithë këtë. Jemi shumë të pakënaqur me shpejtësinë e procedurave. Në Banjallukë, kemi pritur për pesë vite për disa raste, para se Gjykata të caktojë ditën e seancës. Në Sarajevë duhen tre vite”, tha Smailagici.

Praktika të ndryshme gjykatë në Bosnjë, japin pagesa të ndryshme për ditët e kaluara në kamp. Shuma që është dhënë në aktgjykimet e mëparshme varion nga katër deri në 500 euro për një ditë të kaluar në kamp.

Smailagici tregon se në rastin e tij, gjykata i dha katër euro, ndërsa në rastet e Maric, Jovicic dhe Patkovic, gjyqtarët i dhanë 100 euro për ditë burgimi.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter