Lajm 05 Apr 13

I burgosuri Mohon të Jetë Torturuar nga Komandantët Kosovarë

Një dëshmitar në rastin e profilit të lartë për krime lufte “Grupi i Llapit”, mohoi të jetë rrahur ose torturuar në qendrën e burgimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llapashticë.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë

Dëshmitari i prokurorisë, Rushid Ballovci, tha të enjten në gjykatën në Prishtinë se gjatë luftës qe mbajtur në qendrën e burgimit nga nëntori deri në dhjetor të vitit 1998, por shtoi se “ende nuk i di arsyet”, pse u arrestua dhe u mor në pyetje.

Ai e njohu në sallë një nga tre të pandehurit, ish-luftëtarin e  UÇK-së, Nazif Mehmeti (i njohur si Dini) si një nga personat që e morën në pyetje.

“E njihja Dinin. Më thanë se Lata [i pandehuri Latif Gashi] ishte aty, por kisha një thes në kokë kështu që nuk e di”, tha ai.

Mehmeti, deputeti i tanishëm Gashi dhe ish-deputeti Rrustem Mustafa (i njohur si Remi)- bashkërisht të njohur  si “Grupi i Llapit”- të gjithë kishin pozita komanduese në UÇK gjatë konfliktit me forcat serbe në vitin 1998-99.

Në aktakuzë pretendohet se “Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa, në bashkëpunim me individë të paidentifikuar dhe sipas një veprimi të përbashkët kriminal, urdhëruan dhe morën pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës, të mbajtur në qendrën e burgimit në Llapashticë, për t’i detyruar të burgosurit të rrëfenin akte tradhtie ndaj UÇK-së nga tetori i vitit 1998 deri në fund të prillit 1999”.

Ballovci i përshkroi kushtet brenda qendrës së burgimit si të tmerrshme.

“Nuk ka pasur keqtrajtim, por vendi ishte në gjendje të keqe. Më mirë do kishte qenë të më rrihnin sesa të më mbanin atje”, tha ai.

Prokuroria tha se ka mospërputhje mes dëshmisë së tanishme të Ballovcit dhe intervistave që ua ka dhënë më parë oficerëve të policisë së misionit të OKB-së në Kosovë dhe gjyqtarëve heteues si dhe gjatë ekzaminimeve në gjyqet e mëparshme.

Më parë ai pati thënë se Gashi ishte i pranishëm në intervistim, dhe se ai dhe të burgosur të tjerë u rrahën.

“Po jep dy versione radikalisht të ndryshme për atë çfarë ndodhi. Nuk mund të jenë të dyja të vërteta”, tha gjyqtari i Misionit të Rendit të Ligjit të BE-së, në Kosovë, Jonathan Carol.

“Jo, nuk e thashë këtë “, tha dëshmitari në disa raste, duke rritur dyshimet për vërtetësinë e dëshmisë së tij.

“Nuk thashë se gënjeva, thashë se isha nën presion”, shtoi ai, duke sugjeruar gjithashtu se fjalët e mëparshme mund të ishin përkthyer gabimisht.

Grupi i Llapit u hetua për herë të parë në vitin 2001 dhe 2002 nga misioni i OKB-së në Kosovë.

Në vitin 2005, pas një gjykimi dyvjeçar që i shpalli fajtorë të pandehurit, Gjykata Supreme në Kosovë urdhëroi që rasti të rigjykohej sepse akuzat nuk ishin vërtetuar “përtej çdo dyshimi”.

Në vitin 2009, tre ish-komandantët e UÇK-së u shpallën sërish fajtorë për krime lufte dhe u burgosën për torturim dhe trajtim çnjerëzor të të burgosurve në kampin e burgimit.

Ata apeluan verdiktet dhe në vitin 2011, Gjykata Supreme urdhëroi një rigjykim të pjesshëm.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus

Latest Headlines

News 19 Jan 18

Djukic Trial for Tuzla Massacre Delayed Again

News 18 Jan 18

Serb Officers Claim Ignorance of Kosovo Massacre

News 15 Jan 18

Serbian Court Sentences Eight for Ovcara Massacre

News 12 Jan 18

Serbian Judge and Defendant Clash at Lovas Trial

News 11 Jan 18

Bosnia Confirms Indictment for Crimes Near Donji Vakuf

Interview 10 Jan 18

Bosnia’s Judicial Overseer Vows to Speed Up Prosecutions

News 28 Dec 17

14 Bosniaks Charged with Crimes Against Humanity

2017 in Review 28 Dec 17

Bosnia: Landmark Verdicts Highlight Post-War Divisions

News 27 Dec 17

Female Bosnian Croat Fighter Jailed for War Crimes