Lajm 07 Nov 12

Gjyqi i Mladicit: Dëshmitari Donte që Kriminelët e Luftës të Vriteshin në Vitin 1992

Duke dëshmuar në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladic, një ish-oficer i ushtrisë serbe të Bosnjës tha se ushtarët që kryen krime lufte nuk u dënuan mjaftueshëm nga komandantët e tyre.

Dëshmitari i mbrojtur, RM-802, i cili tregoi gjatë dëshmisë së tij se ishte komandant i një prej brigadave të Trupave të Parë të Krajinës, tha se ushtarët dhe paramilitarët që kryen krime ndaj boshnjakëve në vitin 1992 nuk u dënuan.

“Personalisht ndihem përgjegjës, sepse kjo ishte sjellje e pavend e anëtarëve të ushtrisë sime dhe grupeve paramilitare ndaj të cilëve duheshin marrë masa në vitin 1992. Nëse do t’i kishim dënuar individët që bënë gjëra të gabuara në mënyrë më strikte, mendoj se nuk do të ishim këtu sot”, tha dëshmitari.

Dëshmitari shtoi se masat ndëshkuese ndaj “individëve dhe grupeve më të vogla”, që kryen akte kriminale duhet të kishin “arritur deri në ekzekutim”.

“Duhet ta kishim prerë që në rrënjë dhe ndihem përgjegjës. Mbaj mend që ndihesha i pafuqishëm. Një ushtar doli tenda dhe tha: ‘S’kam asgjë për të bërë, po shkoj të djeg ca shtëpi të myslimanëve’. E ndalova në atë kohë, por një orë më vonë doli dhe e bëri atë që kishte në mendje”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk kishte autoritet të dënonte ushtarët.

Si një shembull i krimeve që ndodhën, RM-082 përmendi vrasjen e rreth 150 boshnjakëve nga fshati Vecici, që iu dorëzuan Ushtrisë së Republikës Srpska në fshatin Grabovica afër Kotor Varosit, më 3 nëntor 1992.

Sipas aktpadisë, që akuzon Ratko Mladicin, për dëbim të myslimanëve dhe kroatëve nga Bosnja dhe Hercegovinë, “një numër myslimanësh” u vranë në Grabovicë.

“Një koleg i imi më informoi në radio. Më tha se një grup i madh myslimanësh nga Vecici kishin dorëzuar armët, dhe se ishin momentalisht në fshatin Grabovica afër shkollës… Dy ose tri orë më vonë dëgjova se çfarë iu kishte ndodhur”, kujtoi dëshmitari.

RM-802 dëshmoi se informoi komandantin e Trupave të Parë të Krajinës, gjeneralin Momir Talic, mëngjesin e ditës së nesërme, që i tha se e kishin informuar për incidentin në Grabovicë.

Talic, që ishte i akuzuar nga Tribunali Hagës për krime të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, vdiq në vitin 2003, ndërsa ishte në lirim të përkohshëm.

“Mesa di unë, asnjë hetim nuk u bë”, tha dëshmitari dhe shtoi se një zyrtar civil i tha se “organet komunale do të hetojnë rastin e Grabovicës”, por kjo nuk u bë.

“E pyeta vartësin tim se ku ishin autorët e krimeve, pse nuk ishin arrestuar, dhe më tha se ishin arratisur përmes lumit Drina për në Jugosllavi… Një muaj ose dy më vonë, mësova se nuk ishin më gjallë”, tha RM-802.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati i Mladicit, Miodgrag Stojanovic i prezantoi dëshmitarit dy raporte nga komanda e Trupave të Parë të Krajinës për ngjarjet në Grabovicë, që iu dërguan selisë kryesore të ushtrisë serbe të Bosnjës, më 4 dhe 5 nëntor, 1992.

Raportet thonë se “gjatë luftimeve mes forcave myslimane dhe njësive tona, 40 Bereta të Gjelbra [paramilitarë boshnjakë] u vranë, dhe 200 u burgosën” dhe se “një masakër e egër u bë ndaj beretave të gjelbra që u arrestuan”, si hakmarrje për vrasjen masive të ushtarëve serbë.

RM-802 tha se përshkrimi i ngjarjeve nuk korrespondon me informatat që ai i kishte dërguar komandës.

Duke komentuar për një pjesë të raportit që thotë se “masat u ndërmorën për të parandaluar masakra të mëtejshme”, dëshmitari tha: “Nuk mora asnjë urdhër për të bërë diçka. Kjo është vetëm një deklaratë formale”.

Duke lexuar raportin që komanda e Trupave të Krajinës i kishte dërguar selisë kryesore më 5 nëntor 1992, avokati Stojanovic citoi se “luftëtarët myslimanë u përpoqën të tërhiqeshin drejt Travnikut”, dhe se “më shumë se 150 ekstremistë ishin vrarë në luftime me Ushtrinë e Republikës Srpska”.

Dëshmitari u përgjigj se nuk pati përplasje me numër të madh viktimash dhe se ai raport nuk reflekton gjendjen reale.

“Si ka mundësi që selia kryesore e Ushtrisë së Republikës Srpska ishte kaq keq e informuar”, pyeti Stojanovic.

Dëshmitari u përgjigj se nuk e dinte këtë, por shtoi se në vitin 1992 nuk kishte një zinxhir të qartë përgjegjësie, nga radhët më të ulëta të ushtrisë deri tek ato më të larta.

Dëshmitari tha se u takua me gjeneralin Mladic për herë të parë në vitin 1994.

“Nuk fola për Grabovicën me Mladicin”, tha RM—082, duke shtuar se “çdo komandant brigade gëzohej kur Mladic vinte për vizite”, sepse “ua ngrinte moralin”.

Gjyqi do të vazhdojë më 7 nëntor.

 

blog comments powered by Disqus

Background

Srebrenica: Genocide Reconstructed

In July 1995 Srebrenica was shelled and occupied by the Army of Republic of Srpska,VRS, despite being declared a protected area by the United Nations. More than 7,000 people were killed, the victims of genocide.

War in Bosnia

Key dates and events in the Bosnia war.

Ratko Mladic: The Force Behind the Srebrenica Killings

The Bosnian Serb commander’s role in the genocide committed in Srebrenica is described in detail in many indictments and verdicts pronounced before local and international judicial institutions.

Subscribe to Our Newsletter