Home Page
Investigation 03 Dec 12

Futbolli politik: Ultrasit luftarakë të Ballkanit shmangin dënimet

Huliganët në Maqedoni ndezin flakët e acarimit etnik dhe, ashtu si homologët e tyre serbë, shpesh i shpëtojnë dënimit.

Aleksandër Manasiev
BIRN
Shkup, Beograd dhe Gllaskou

Nikolla thotë se Komitët po mbronin zonën e tyre, por Blerimi kundërpërgjigjet duke thënë se zona s'ishte e tyrja që ta mbronin. Nikolla thotë se Komitët ishin tepër më të paktë në numër. Blerimi thotë se ata fshiheshin pas policëve.

Nikolla dhe Blerimi sapo po e mbyllin adoleshencën. I përkasin bandave rivale të fansave të futbollit, rivaliteti i të cilave pak ka të bëjë me futbollin.

Vitin e kaluar, dy grupet sulmuan njëri-tjetrin në kryeqytetin maqedonas Shkup, shum larg stadiumeve apo ndonjë kompleksi sportiv.

Mbështetësit e Vardarit të Shkupit festojnë fitoren e ekipit të tyre.

Ata u përleshën në një kështjellë mesjetare sipër qendrës së qytetit, me gurë e thika në mbrojtje të fesë dhe kombësisë, shkaqe të përshtatshme për atë ambient, edhe pse ky i fundit ishte ndërtuar për beteja më të mëdha në mendje.

“Kjo është luftë e vërtetë,” thotë Blerimi, një 17-vjeçar thatanik dhe i gojës, që ka interes të parakohshëm për politikën. Ai i përket Shvercerave, një grup fansash futbolli antarët e të cilit vijnë nga popullsia pakicë shqiptare e Shkupit.

“Në stadium luftojmë me fjalë,” thotë ai. “Në rrugë me grushta. Ne e mbrojmë identitetin tonë me gjak.”

Nikolla, edhe ai 17 vjeç, i përket Komitëve, një grup i zjarrtë ndjekësish të futbollit, apo ultras, që përbëhet nga antarët e bashkësisë shumicë maqedonase të Shkupit.

“Kur do të ndalojnë të na çnderojnë?” ngre pyetjen ai për shqiptarët etnikë që kishin bllokuar një përpjekje për ngritjen e një ndërtese në formën e kishës në kështjellë. “Askush nuk e shkatërron një kishë në vendin tonë ortodoks!”

Fansat e futbollit njihen për ngatrresa dhe trimëri në shkalla, por ultrasit e Ballkanit i kanë treguar muskujt edhe në emër të padronëve politikë.

Gjatë luftrave të viteve 1990, klubet e mëdha furnizonin me rekrutë njësitë paraushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Më të njohurit ishin Tigrat, një milici e formuar kryesisht nga huliganët e Yllit të Kuq të Beogradit dhe të drejtuar nga gangsteri Zhelko Raznatoviq, i njohur më mirë si Arkani.

Bosat e milicisë së vjetër nga atëherë ose janë vrarë ose janë dërguar në gjykatat e krimeve të luftës, por brezi i ri i ultrasve ende gëzon famë dhe kthetrat e tij shkojnë përtej klubit të futbollit, në shoqëri dhe politikë.

Huliganët e Serbisë kan protestuar kundër paradave të të drejtave gej dhe kohët e fundit dolën në lajme për fyerje racore ndaj lojtarëve nën 21 vjeç të Anglisë.

Shpërthimet e huliganizmit shpesh pasojnë përplasjet politike në Maqedoni, e cila për pak sa nuk rrëshqiti në luftë civile veç një dekadë më parë.

Vendi tashti qeveriset nga një koalicion i copëzuar partish nacionaliste që janë të varura nga mbështetja e njëra-tjetrës, por janë rivalë t'ashpër në çdo drejtim tjetër. Etniciteti përkufizon politikën e vendit po aq ashpër sa ç'ndan ultrasit e tij.

Shkëmbimet në kuvend kanë përcaktuar tonin e konfrontimit në stadium dhe në rrugë. Përplasja në kështjellë mes Komitëve dhe Shvercerave, për shembull, qe pasojë e një konflikti mes partive të koalicionit.

A janë ultrasit një mjet i përshtatshëm në dorën e politikanëve ngatrrestarë të Maqedonisë? Apo thjesht janë ata një kanalizim i agresionit mashkullor dhe animozitetit etnik?

Ekspertë të shumtë i kanë thënë Rrjetit të Raportimit Investigativ Ballkanik (BIRN) se politikanët dhe shoqatat e fansave të futbollit kanë një marrdhënie simbiotike, ku patronazhi shkëmbehet për mbështetje.

Partitë e mëdha politike është e vërtetë që kanë lidhje historike me klubet e futbollit dhe mbështetësit e tyre. Por ato e mohojnë çdo lidhje me ultrasit më të dhunshëm, dhe BIRN-i nuk gjeti asnjë dëshmi që këto lidhje ekzistojnë.

Prapseprap, intervistat me fansa në të dyja anët tregojnë që ata e konsiderojnë veten si ushtarë këmbësorë të kauzave nacionaliste që sundojnë politikën.

Edhe pse disa fansa pretendojnë se ua kanë frikën gjykatave, dhuna e tyre shpeshherë i shpëton sanksioneve serioze. Kur huliganët e Europës Perëndimore presin që të stigmatizohen, ultrasit e Maqedonisë përgjithësisht presin që veprimtaria e tyre t'ua rrisë statusin.

“Dyert e qeverisë vendore, kompanive dhe partive politike janë gjithmonë të hapura për ne,” tha një 22-vjeçar nga qyteti i Tetovës dhe drejtues i Ballistëve, mbështetësit e klubit të futbollit FK Shkëndija.

Megjithëse ai është përballë me disa akuza për sjellje të dhunshme, përfshi sulmimin e një oficeri policie, drejtuesi mëton se nuk ka kaluar kurrë më shum se 10 ditë i ndaluar.

Trashëgimtarë të luftëtarëve

Maqedonia shpëtoi përgjithësisht e paprekur nga luftrat ballkanike të viteve 1990, por më 2001, vendi dukej sikur do kthehej në një viktimë tjetër të shembjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Pakica etnike shqiptare përbën një të katërtën e popullsisë dhe kishte kohë që ankohej për diskriminim. Të trimëruar nga mposhtja e forcave serbe në Kosovën fqinje, guerilasit etnikë shqiptarë u përplasën me armë me një ushtri të sunduar nga shumica etnike maqedonase. Dhuna u përshkallëzua, qytetet u ndanë dhe mija njerëz u zhvendosën.

Një marrveshje ndërkombëtare, Marrveshja e Ohrit, e ndali dhunën më 2001 dhe i dha shqiptarëve etnikë autonomi dhe autoritet më të madh, guerilët hynë në qeveri si partnerë qeverisës.

Gjithsesi, nën sipërfaqe, tensionet vlojnë. Shumica e vendit është efektivisht e ndarë mes dy bashkësive. Shum maqedonas besojnë se shqiptarët etnikë kanë marrë më shum nga ç'i takon nga marrveshja e paqes. Shqiptarët, nga ana tjetër, i akuzojnë maqedonasit për shkelmim të vazhdueshëm të Marrveshjes së Ohrit.

KOSTOJA E ULTRA-DHUNËS

Të paktën 12 arbitra, 11 policë, 10 fansa, pesë lojtarë, dy shofera dhe një truproje u plagosën në sulme për të cilat iu vu faji huliganëve. Ultrasit u fajësuan edhe për dëmtimin e nëntë makinave.

Gjithsejt 15 fansa u përballën me padi kriminale si pasojë e kësaj. Policia ngriti edhe 98 raste për sjellje të keqe të fansave.

Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë arrestimet e lidhura me përplasjen në kala.

Dhe aty ku retorika provokative i ka lëshuar udhën luftimeve në rrugë, ultrasit kanë qenë në vijën e parë të frontit. 

Fansat maqedonas të futbollit vazhdimisht i akuzojnë rivalët e tyre për veprim në bashkëpunim me politikanët. Fansat etnikë shqiptarë gjuajnë të njëjtat akuza drejt maqedonasve. Të dyja palët mohojnë akuzat e tjetrit.

Llazar Nanevi, gjykatës i lartë që ka përndjekë shum huliganë, thotë se është e vështirë të provohet lidhja e dyfishtë mes politikanëve dhe ultrasve të dhunshëm. Gjithsesi, shum fansa të njohur kërkojnë patronazh politik.

“Disa prej tyre duan t'identifikohen me partitë politike me qëllim që t'arrijnë përfitime personale apo privilegje,” tha ai. “Është një nga gjërat më të rrezikshme në shoqërinë tonë.”

Ivan Anastasovski, akademik dhe ish-antar bordi i federatës futbollistike maqedonase, thotë se partitë politike të të dyja palëve etnike besojnë se është n'interesin e tyre të mbajnë lidhje të mira me fansat.

“I shohin ata si bazë të mundshme për votues dhe aktivistë gjatë zgjedhjeve,” thotë ai.

Në këmbim për mbështetjen mobilizuese, drejtuesit e fansave përfundojnë në vende të mira pune në sektorin publik, ku karrierat promovohen nga lidhjet e ngushta me partitë qeverisëse.

“Drejtuesit e grupeve [sportdashëse] shqiptare dhe maqedonase marrin pozita të mira në institucionet shtetërore, administratën doganore, parti, qeveri,” thotë Mitre Trajkovski, ish-major i policisë që ka qenë edhe komisioner sigurie në federatën e futbollit.

Nacionalizmi i ultrasve mund të mos miratohet haptas nga politikanët, por nuk duket se ia dëmton perspektivën atyre. Shum grupe në mënyrë të pacipë lartësojnë njerëz që kanë luftuar në konfliktet e rajonit më se një dekadë më parë.

Shkallat prej ku antarët e Komitëve shohin ekipin e tyre, Vardarin e Shkupit, shpesh mbulohen me pankarta në mbështetje të Johan Tarkulovskit, drejtues i dikurshëm i ultrasve që aktualisht po vuan dënimin për krime lufte. Ai u dënua nga Gjykata e Hagës për vrasjen në 2001 të shtatë shqiptarëve etnikë.

Mbështetësit e Ballistëve, ndërkohë, adhurojnë rebelët etnikë shqiptarë. Këtë maj, një delagacion i ultrasve udhëtoi për në Kosovën fqinje për të bërë nderimet e rastit pranë përmendores së Adem Jasharit, guerilas i vrarë më 1998. Ai gjykohet si terrorist nga shum serbë.

Policia në Shkup përpiqet të ruajë rendin në ndeshjet mes ekipeve të mëdha.

Fansat e zjarrtë dalin në rrugë kurdoherë që tensionet politike rriten. Pas një cikli mizor vrasjesh për të cilin faji iu hodh animozitetit etnik, antarët e Komitëve protestuan kundër radikalizimit islamik. Ballistët iu bashkuan kundër-protestave në lagjet shqiptare.

Përplasja e vitit të kaluar në kështjellë shpërtheu pasi partia kryesore maqedonase në koalicion, VMRO-DPMNE, urdhëroi ndërtimin e një ngrehine në formë kishe aty ku ishin gjetë rrënojat e një kishe të mëhershme.

Vendi i ndërtimit shtrihet brenda kështjellës së Shkupit, në një zonë që shqiptarët etnikë e konsiderojnë si shtëpia e tyre historike brenda kryeqytetit. Drejtues nga partia etnike shqiptare në koalicion, BDI, e kritikuan planin për një ndërtesë në dukje të krishterë në pjesën e tyre të qytetit, dhe të rinjtë e bashkësisë u përpoqën ta pengonin punën tek vendi i ndërtimit.

Maqedonasit marshuan drejt kështjellës me protesta, bashkë me një kontingjent të Komitëve në krye, të mobilizuar përmes forumeve t'internetit dhe Facebook-ut. Atyre u doli përballë një turmë shqiptarësh etnikë, përfshi Shvercerat.

Në përleshjen që pasoi, Blerimi dhe Nikolla e panë veten si trashëgimtarë të njerëzve që kishin luftuar më se një dekadë më parë.

“Nuk do të lejoj që ajo për të cilën luftoi ai të humbasë,” thotë Blerimi, duke iu referuar babait, që ishte me guerilasit shqiptarë më 2001.

Vëllai i Nikollës ishte ushtar në ushtrinë maqedonase në atë kohë. “Shqiptarët thanë se po luftonin për të drejta njerëzore, por në të vërtetë po luftonin për krijimin e një Shqipërie të Madhe,” thotë ai.

Me e lypë sherrin

Kur çdo gjë përfundoi pas përleshjes në kështjellë, policia ndaloi të dyshuarit. 54 fansa u ndaluan – 27 Komitë e 27 Shvercera.

Dhjetëra fansa ishin plagosë, përfshi një polic. E megjithatë, askush nuk përfundoi në burg.

Fansat e arrestuar nuk u detyruan të paraqitesh në gjyqet e tyre. Gjykimet ishin të shpejta dhe dënimet të njëjta – tre muaj pezullim, të kushtëzuar nga sjellja e mirë. Me pak fjalë, fansat do t'i shpëtonin burgosjes për sa kohë që do t'i shmangeshin sherrit në dy vjetët e ardhshëm.

Në sytë e ligjit, dukej se të dy grupet ishin njëlloj fajtorë dhe secili prej grupeve mbajti peshë të barabartë për fajin. Gjykimet mund të kenë pasqyruar vështirësinë e përcaktimit të fajit individual në shpërthimin e dhunës masive.

Por edhe pastërtia e verdikteve ngriti dyshime dhe i çoi disa veta të spekullonin që gjykatat i kishin kushtuar vëmendje ndjeshmërisë politike të rastit.

Një antarë i Komitëve që s'pranoi të citohej me emër i përsëriti këto akuza, të dëgjuara nga të dy kampet, që gjykatat ishin t'anuara në favor të mbështetësve rivalë.

Gjithsesi, thotë ai, vendimi për t'i dënuar të dyja palët njëkohësisht i favorizoi Komitët, ngaqë ata mundën të shpëtonin për shkak të butësisë së treguar ndaj Shvercerave.

“Jemi të lumtur që shkuam në gjyq me ta sepse përndryshe do të kishim marrë dënime më të ashpra,” thotë ai.

Gjykata kriminale e Shkupit e mohon që ka dhënë dënime më të buta për shkak të ndjeshmërive politike. “Ne nuk marrim vendime politike,” i tha BIRN-it një zëdhënës. “Gjykojmë vetëm në përputhje me ligjet.”

Sasha Todoroviq i policisë së Beogradit thotë se ultrasit kanë një hierarki të hekurt.

Vëzhguesit thonë se klubet e futbollit mbështetë nga maqedonasit dhe shqiptarët etnikë kanë një histori të gjatë të përfshirjes në partitë e mëdha.

Kjo pjesërisht është pasqyrim i shoqërisë tepër të politizuar të vendit, ku animi politik përkufizon shum anë të jetës tregtare dhe kulturore.

Fansa nga Komitët, për shembull, formuan boshtin e krahut rinor të VMRO-DPMNE-së gjatë viteve 1990.

Por sot, ultrasit thonë se nuk marrin ndonjë favor ose financim nga politikanët. Kodi i shkruar i sjelljes i Komitëve, i qarkulluar në formë broshure, thotë se ata mirëpresin antarë prej krejt spektrit politik – prej anarkistëve tek ultranacionalistët dhe gjithçka mes tyre. Broshura ngulmon që animet partiake duhen lënë jashtë. Nuk duhet të ketë përçarje brenda radhëve.

“Grupi ynë përfshin mbështetës të disa partive politike, por nuk jemi zgjatim i tyre,” thotë një antar i rëndësishëm i Komitëve.

Si shumica e shokëve të tij, ai nuk pranoi të citohej me emër për shkak të ndalimit absolut të prononcimit ndaj gazetarëve.

Edhe drejtuesit e grupeve futbollistike etnike shqiptare kishin frikë të citoheshin në emër, por ishin të qartë në lidhje me përfitimet e statusit të tyre.

Një drejtues i Ballistëve të Tetovës tha se nuk besonte se përplasjet e tij të shpeshta me ligjin do t'ia prishnin perspektivën. Gjithsesi, thotë ai, shumica e fansave që i hyjnë sherrit duhet të procedojnë me kujdes.

“Mbështetja e klubeve të futbollit mund të na ndihmojë të gjejmë punë – por problemet me policinë janë ana tjetër e monedhës. Nëse je i dënuar dhe ke skedë, mund të kesh pasoja në të ardhmen.”

Një drejtues tjetër i Ballistëve, duke folë me kusht anonimiteti, mëton se ka ngrënë vetëm një gjobë të vogël pas gjykimit për sulm.

“Po të më kishin gjykuar në ndonjë vend tjetër, do të kisha marrë dënim të madh me burg,” pohon ai.

Ai thotë se edhe shokët e vet kanë shpëtuar lehtë për krime të dhunshme, shpesh pa u merakosë as t'i ndiqnin gjykimet e tyre. Shumica e këtyre rasteve kanë rezultuar me dënime pezullimi apo gjoba, shtoi ai.

Përmendore e trajnerit legjendar të Sëlltikut të Gllasgout, Xhok Shtajn, në stadiumin e ekipit.

Ndërkohë që lidhjet mes ultrasve dhe partive politike në rastin më të mirë janë informale, ka një lidhje më të qartë mes partive dhe klubeve.

Pjesërisht produkt historisë, këto lidhje mund të jenë edhe produkt i nevojës financiare. Ndryshe nga klubet në Perëndim, pothuajse asnjë anë në Maqedoni nuk mund të shihet si biznes i suksesshëm, fitimprurës. Ata nuk i nxjerrin shpenzimet vetëm përmes t'ardhurave. Biletat janë të lira dhe ka pak kërkesa për transmetim në TV për ndeshjet.

Në vend të kësaj, klubet varen ndjeshëm nga sponsorët për mbijetesën. Duke tërheqë mbi vete interesin e zakonshëm nga biznesmenët e pasur, shumica e klubeve merr edhe fonde nga qeveria vendore.

BIRN- nuk gjeti dëshmi për të sugjeruar që se paratë e dhëna nga fondet publike përfundojnë tek ultrasit.

Megjithatë, Ivon Veliçkovski, drejtues i Partisë Liberale opozitare, thotë se, në disa raste, mund të ketë një lidhje të tërthortë.

Klubet dihet se i subvencionojnë grupet e tyre të mbështetjes, duke u ofruar bileta të lira apo zbritje në udhëtimet jashtë. Sipas Veliçkovskit, kjo krijon një lidhje të tërthortë mes fansave dhe secilës parti politike që ndodh ta kontrollojë qeverinë vendore.

“Disa grupe fansash varen nga qeveritë vendore, që nga ana e tyre drejtohen nga partitë në pushtet,” thotë ai.

Zhurma zëvendëson dhunën

Në veri të Maqedonisë shtrihet Serbia, ku lidhjet mes huliganëve të futbollit dhe partive në qeveri janë dobësuar prej ditëve të lavdishme të viteve 1990.

Ndryshe nga Shkupi, Beogradi s'është qytet i ndarë etnikisht. Me më pak konflikte nacionaliste për ta zhvendosë vëmendjen prej shembjes së Jugosllavisë, ultrasit më të fuqishëm të Serbisë janë fokusuar në krim t'organizuar me huliganizmin si mbulesë.

Një fans futbolli në Beograd inspekton një sllogan që kërkon liri për ultrasit e burgosur.

Sasha Todoroviq, zyrtari kryesor përgjegjës për dhunën e lidhur me sportet në policinë e Beogradit, thotë se bandat kriminale imitojnë hierarkinë e forcave policore. “Ka rangje të ndryshme, prej komandantëve tek rojet, dhe secili luan një rol të veçantë,” thotë ai.

Lagjet qendrore të Beogradit janë mbushë me grafite që thonë “Liri për fansat” – një referencë ndaj shum ultrasve aktualisht në burg për akuza reketi, grabitjeje, trafiku droge dhe vrasjeje.

“Ata pretendojnë se janë të motivuar nga patriotizmi, nga shteti apo feja, por punojnë vetëm për përfitim personal,” thotë Milan Staniq, shefi i Departamentit të Rendit Publik të Serbisë.

Si në Maqedoni, shumica besojnë se gjykatat i japin fansave të dhunshëm mëshirë më të madhe. Staniqi tregon rastin e një mbështetësi të klubit të Partizanit që kishte goditë me shkop një fans rival nën vete.

“Mori një dënim pezullimi prej një viti në burg. Dyshoj që një dënim i tillë do të jetë korrektues për të, apo pengues për të tjerët,” thotë ai.

Ashtu si ultrasit anembanë botës mëtojnë të jenë frymëzuar nga huliganët e njohur britanikë të viteve 1980, shum zyrtarë të ligjit i hedhin sytë nga Britania moderne si model për trajtimin e fansave të dhunshëm.

Gllaskou është shtëpia e klubeve futbollistikë të Rejnxhersave dhe Sëlltikut, mbështetë përkatësisht nga bashkësitë protestante dhe katolike të qytetit. Fansat e zjarrtë të të dy klubeve shpesh e kanë mbështjellë rivalitetin e tyre me një petk sektar.

Policia vendore mund të mbështetet në disa ligje të përvijuar për trajtimin e huliganëve. Me kohën, thonë nga policia, dënimet kanë dhënë fryte në ndalimin e dhunës.

“Ka gjoba të ashhpra kundër fansave që shkelin ligjet,” thotë një zëdhënës i Policisë së Strethklajdit. “Ne kërkojmë bile edhe dënime për të mos u lejuar të shkohet në stadium.”

I pyetur se si mund t'i ishin përgjigjë një rrahjeje masive si ajo në kalanë e Shkupit, zëdhënësi tha se policia do të ishte përpjekë t'arrinte një zgjidhje me partnerë nga të dyja bashkësitë, duke u këshilluar me gjithkënd, prej priftit tek politikane, me bashkinë dhe vetë klubet.

Tek fansat, gjithsesi, disa pretendojnë se policia britanike ka shkuar tepër larg.

“Shprehja e identitetit kombëtar po kriminalizohet,” thotë Xhenet Findlej, kryetare e Celtic Trust, duke përmendë se sa shumë këngë tradicionale janë ndaluar në stadium. “Një djalë në Edinburg është arrestuar sepse e ka bekuar veten në mënyrë të dhunshme.”

Dagi Brimson, që shkruan mbi huliganizmin, e pranon se autoritetet britanike e kanë zgjidhë problemin e dhunës më të keqe. Por ai paralajmëron se qasja e tyre drakoniane përbën kërcënim për liritë civile të secilit.

“Tani është e ligjshme për policinë në MB t'ia marrë pasaportën dikujt që ajo dyshon se mund të shkaktojë probleme në futboll jashtë shtetit,” thotë ai. “Nuk ju duhen as prova bile! Kjo është gabim. Shum gabim.”

Si pasojë e shtërngimit, Brimsoni thotë se dhuna në skenën e huliganizmit është zëvendësuar nga zhurma uturuese. Prapseprap, ai beson se njerëzit do të vazhdojnë të joshen nga premtimi i huliganizmit për një “familje të dytë”.

 

Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik. U redaktua nga Neil Arun.

Talk about it!

blog comments powered by Disqus

Stories

cheap-and-far-from-free-the-migrant-army-building-britain

Cheap, and Far from Free: The Migrants Building Britain

Job restrictions have left Romanian and Bulgarian construction workers underpaid and vulnerable to exploitation, a BIRN investigation reveals.

the-minority-report-jobless-ethnic-albanians-let-down-by-the-state

The Minority Report: Jobless Ethnic Albanians “Let Down by the State”

Frustration unites members of the minority across the region – but hopes of EU entry may have eased tensions in Montenegro.

occupy-the-military-squatters-struggle-for-the-balkans-derelict-barracks

Occupy the Military: Squatters Struggle for the Balkans’ Derelict Barracks

Activists and the Serbian authorities fail to find common ground in a battle of ideals and real estate – unlike in Croatia and Slovenia.

abandoned-twice-bosnia-s-orphans-left-in-the-lurch

Abandoned Twice: Bosnia’s Orphans Left in the Lurch

The fractured state is unable to monitor its orphanages properly, and nor can it provide any decent alternatives to the institutions.

collective-punishment-how-a-socialist-farm-lost-its-way-to-market

Collective Punishment: How a Socialist Farm Lost its Way to Market

BIRN digs deeper into the sale of a once-successful Croatian farm that went the way of many privatisations in the region – leaving workers jobless and out-of-pocket.

green-revolution-how-eco-activism-made-bulgaria-care-again

Green Revolution: How Eco-Activism Made Bulgaria Care Again

Environmental campaigners have shown they can fight the system – but how far can they fix it?

political-football-the-balkans-belligerent-ultras-avoid-penalties

Political Football: The Balkans’ Belligerent Ultras Avoid Penalties

Hooligans in Macedonia stoke the embers of ethnic strife, and – like their Serbian counterparts – often escape punishment.

secrets-and-lies-victims-of-albanian-communism-denied-closure

Secrets and Lies: Victims of Albanian Communism Denied Closure

Former political prisoners want truth and compensation – but their quest has become entangled in the country’s murky politics.

want-to-work-join-the-party-contacts-trump-merit-in-balkan-job-market

‘Want to Work? Join the Party’: Contacts Trump Merit in Balkan Job Market

Governing parties in Macedonia stand accused of reserving desirable public sector jobs for their supporters, driving frustrated youth abroad.

fissures-in-the-faith-rise-of-conservative-islamists-alarms-kosovans

Fissures in the Faith: Rise of Conservative Islamists Alarms Kosovans

Followers of stricter forms of Islam are demanding more rights in Kosovo, provoking a backlash among secularists.

Diaries

http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Eldin Hadzovic.jpg

A Vicious Circle

Eldin Hadzovic
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Dimiter Kenarov.jpg

Mountain Rescue

Dimiter Kenarov
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Ana Benacic.jpg

The Anonymous Host

Ana Benacic
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Samir Kajosevic.jpg

The Best of a Bad Deal

Samir Kajosevic
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Aleksandar Manasiev.jpg

Grassroots Support

Aleksandar Manasiev
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Arbana Xharra.jpg

Mixed-up and Moderate

Arbana Xharra
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Miodrag Sovilj.jpg

Squatters’ Rites

Miodrag Sovilj
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Aleksandra Bogdani.jpg

Another kind of communist

Aleksandra Bogdani
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Sorana Stanescu.jpg

Less than minimum

Sorana Stanescu
http://fellowship.birn.eu.com/en/file/show/Eldin Hadzovic.jpg

No fit state

Eldin Hadzovic

About the project

The recipients of this year’s fellowship are considering subjects as diverse as hooliganism, activism and migration in search for employment – all under the broader theme of “communities”. Read more about the project on the official Fellowship web site >>