Raport 30 Aug 12

Familjet e Personave të Zhdukur të Lëna në Errësirë

Familjet e personave të zhdukur pajtohen me vlerësimin e Amnesty International se mungesa e progresit në gjetjen e të dashurve të tyre është rezultat i faktit se autorët e krimeve të luftës ende kanë influencë politike.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Qëllimi për të gjetur 14 000 persona, që ende mungojnë nga luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi, ende nuk është plotësuar, për shkak të mungesës së vullnetit politik për të adresuar të drejtat bazike njerëzore të viktimave dhe sjelljen e autorëve të krimeve para drejtësisë, thotë një raport i Amnesty International.

Raporti u lëshua në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur më 30 gusht.

Samira Krehic, nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, thotë se shifra e 14 000 personave të zhdukur është një vlerësim dhe se numri i saktë nuk mund të përcaktohet derisa shtetet të përpilojnë listat e tyre të veçanta dhe të krijojnë një listë të përbashkët të të gjithë personave, nga të gjitha kombësitë, që u zhdukën gjatë luftërave të viteve 1990-të.

Sipas vlerësimeve të ICMP-së, 40 000 njerëz ishin të zhdukur dhe supozoheshin të vdekur, në fund të konflikteve në ish-Jugosllavi. Rreth 30 000 u zhdukën gjatë luftës në Bosnjë. 6 000 u zhdukën gjatë luftës në Kroaci, 4 400 gjatë konfliktit në Kosovë dhe 23 persona gjatë krizës së vitit 2001 në Maqedoni.

Sot, rreth 10 000 viktima nga lufta në Bosnjë ende mungojnë, 2 000 viktima nga lufta në Kroaci, 1 700 nga konflikti në Kosovë dhe 13 në Maqedoni.

Anëtarët e organit rajonal koordinues për Shoqatat e Familjeve të Personave të Zhdukur, i themeluar në Sarajevë vitin e shkuar, pajtohen se njëzet vjet pasi lufta filloi, pak progres është arritur në gjetjen e familjarëve, dhe kjo për shkak të vullnetit politik.

Bosnja dhe Hercegovina

Seida Karabasic, përfaqësuese nga shoqatat në Bosnjë, trupi i babait të së cilës u gjet në vitin 1999, pasi ishte zhdukur nga Prijedori gjatë luftës në Bosnjë, thotë se ka ligje dhe deklarata të shumta në lidhje me personat e zhdukur, por se të gjitha kanë mbetur në letër.

Amnesty International thotë në raportin e saj se dështimi për të implementuar Aktin 2004 të Personave të Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë krijon shumë probleme për familjet e të zhdukurve, “duke qenë se nuk janë në gjendje të marrin informacion për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre”.

Nga 3.4 milionë banorë në Bosnjë, në fund të konfliktit në vitin 1995, 30 000 persona u raportuan si të zhdukur. Fati i 10 500 personave, sipas të dhënave të AI-së, mbetet i panjohur.

Amnesty International thotë se problem që të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë po hasin është pamundësia për të gjykuar kriminelët e luftës. Në shumë komunitete, kriminelët e dyshuar të luftës vazhdojnë të jetojnë afër viktimave dhe familjeve të tyre.

Një numër kriminelësh të dyshuar kanë poste në qeveri, parti politike qeverisëse, ushtri dhe polici, që krijon një pengesë të konsiderueshme në lidhje me gjykimin e krimeve të luftës.

Kroacia

Ljiljana Alvic, përfaqësuese e shoqatave të personave të zhdukur nga Kroaci, ka të njëjtin mendim. Vëllai i saj u zhduk në vitin 1992 në qytetin kroat të Vukovarit dhe është zhdukur që atëherë.

Në institucionet shtetërorë në gjithë ish Jugosllavinë, ka persona që kanë qenë të përfshirë në krime lufte në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose jo”, thotë Alvir.

Nga 6 ,406 personat që u raportuan të zhdukur në Kroaci te Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, ICRC, më shumë se një e treta ende duhen gjetur.

Amnesty thotë se shoqëria kroate është heziton të pranojë se krimet u kryen nga forcat kroate kundër serbëve të Kroacisë.

“Pavarësisht progresit të kohëve të fundit të bërë nga gjyqësori i Kroacisë dhe Serbisë në adresimin e mosndëshkimit të autorëve të krimeve, ka ende shumë pengesa për të pasur hetime efektive… Duke përfshirë zhdukje të detyruar dhe rrëmbim të dëshmitarëve”, thuhet në raport.

“Si autoritetet kroate, ashtu dhe ato serbe, duhet të përmirësojnë urgjentisht masat për mbrojtjen e dëshmitarëve... Dhe duhet të rrisin numrin dhe cilësinë e gjykimeve”, thotë AI.

Serbia dhe Kosova

Sipas ICRC-së, rreth 3 600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 midis forcave serbe dhe atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Familjet në Kosovë dhe Serbi po presin ende për zhvarrosjen e eshtrave të familjarëve të tyre, identifikimin dhe kthimin e tyre për varrim.

Olgica Bozanic, përfaqësuese e Serbisë në organin rajonal koordinues, që është vetë refugjate nga Kosova, thotë se nuk ka mundur të gjejë eshtrat e dy vëllezërve të saj që u morën peng nga UÇK-ja, bashkë me familjarë të tjerë në qytetin e Rahovecit në vitin 1998.

Eshtrat e familjarëve të tjerë u gjetën në varre masive në Kosovë në vitin 2005. Ndërsa dy vëllezërit e saj, ajo dyshon se organet e tyre mund të jenë marrë diku në Shqipëri.

Në lidhje më këtë çështje, Amnesty International, AI, ka mirëpritur formacionin e një task force të veçantë të Misionit për Sundimin e Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX-it, qëllimi i të cilës është të hetojë dyshimet për trafikim të organeve të bëra nga ish-raportueie për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dick Marty.

AI ka nxitur gjithashtu autoritetet në Beograd të hetojnë oficerët e policisë që punuan nën komandën e gjeneralit të policisë, Vlastimir Djordjevic, që është paditur nga Tribunali I Hagës për krime ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Maqedonia dhe Mali i Zi

Raporti i Amnesty International adreson gjithashtu çështjet e personave të zhdukur dhe drejtësisë tranzicionale në Maqedoni dhe Mal të Zi, dy vende që u ndikuan vetëm pak nga lufta në ish-Jugosllavi.

Njëmbëdhjetë vjet pas konfliktit të armatosur midis ushtrisë maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Shqiptare, autoritete ende po dështojnë të nisin hetime të pavarura, të paanshme dhe tërësore në dyshimet për zhdukje dhe rrëmbime që ndodhën gjatë konfliktit.

Deri më tani nuk janë marrë masat e duhura për të hetuar rrëmbimin e gjashtë shqiptarëve, 12 maqedonasve dhe një kombasi bullgar.

Amnesty International ka nxitur qeveritë e Maqedonisë dhe Kroacisë të ratifikojnë Konventën për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet dhe ta implementojë në ligjin kombëtar.

AI kërkon gjithashtu njohje zyrtare për punën e Komisionit të Zhdukjeve, organ që punon me individë që kanë deklaruar janë viktima.

Për sa i përket Malit të Zi, AI thotë se pavarësisht deklaratave të autoriteteve se Mali i Zi nuk mori pjesë në konfliktin ndërkombëtar, Gjykata e Apelit në Mal të Zi ka urdhëruar që natyra e konfliktit në ish-Jugosllavi ishte ndërkombëtar dhe se nëntë ish-policët dhe zyrtarët e qeverisë mund të gjykohen për krime luftë të kryera në Mal të Zi në vitin 1992.

Fundi i mosndëshkimit

Personat e zhdukur duhet të jenë prioritet për bashkëpunim rajonal:

RECOM, një rrjet rajonal OJQ-ësh, që duan të themelojnë një komision rajonal për të përkrahur pajtimin dhe gjetur faktet për të gjitha viktimat e krimeve të luftës pas konflikteve të viteve 1991-2001 në ish-Jugosllavi, tha se gjetja e personave të zhdukur duhet të jetë prioritet në bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Mungesa e trupave e të zhdukurve i privon familjet, por dhe shoqërinë, nga simbolet fizike për kujtim. Duke mos e ditur se ku janë eshtrat i lejon autoritetet të qëndrojnë heshtur për horroret e luftërave të shkuara”, lexohet në deklaratë.

 

Amnesty International iu bën thirrje qeverive në rajon të tregojnë përkushtim të qartë për të përfunduar mosndëshkimin e atyre që mund të kenë marrë peng, ose zhdukur, persona.

Organizata gjithashtu dëshiron që qeveritë rajonale të nisin hetime të shpejta dhe të paanshme për krimet e luftës dhe t’iu garantojnë të drejtën për mbrojtje dhe mbështetje viktimave dhe familjeve të tyre.

OJQ-ja nxit gjithashtu Komisionin Europian për të bërë presion mbi qeveritë rajonale përmes procesit të anëtarësimit, për të siguruar që bëhet progres në lidhje me fundin e mosndëshkimit të atyre që mund të kenë marrë peng, ose zhdukur, persona.  

AI kërkon gjithashtu që Komisioni Europian të garantojë që familjet e personave të zhdukur do të ketë drejtësinë dhe kompensimin e duhur dhe efektiv për humbjen e familjarëve të tyre.

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter