Kosova nuk duhet të neglizhojë të kërkojë kompensim nga Serbia për dëme të luftës, edhe pse vendi nuk mund të hedhë në gjyq Beogradin përmes OKB-së, u tha në një debat.
Kosova nuk duhet të mbetet e heshtur për çështjen e kërkimit të kompensimeve për dëme të shkaktuara nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999, tha një grup ekspertësh të ekonomisë, E15, në një debat në Prishtinë, të mërkurën.
Kostoja e dëmit që i është shkaktuar sektorit publik dhe privat në Kosovë, sipas grupit, vlen rreth 20 miliardë euro. Edhe pse të dhëna zyrtare nuk janë dhënë.
Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, “nuk mund të hedhë Serbinë në gjyq, por nëse ky problem mbetet i pazgjidhur nuk duhet të vazhdojmë duke mos bërë asgjë”, tha Muhamet Mustafa, një ekspert i grupit.
“Kosova duhet të ngrisë këtë çështje në komunitetin ndërkombëtar”, shtoi ai.
Çështja e kompensimit ekonomik dhe dëmshpërblimit u diskutua për herë të parë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjatë bisedimeve në Vjenë, në vitin 2006.
Të dyja palët atëherë u pajtuan të fillojnë procesin kur statusi përfundimtar i Kosovës të zgjidhet.
Por, pasi Kosova deklaroi pavarësinë në vitin 2008, që Serbia është zotuar se nuk do ta njohë kurrë, shpresat për të zgjidhur këtë çështje filluan të zbehen.
Në mars të vitit 2011, Kosova dhe Serbia filluan bisedimet të lehtësuara nga Bashkimi Europian për të normalizuar marrëdhëniet.
“Nëse askush nuk punon në këtë çështje, do të jetë e nevojshme për të dëmtuarit të ndgejnë padi për dëmshpërblim në gjykatat relevante”, shtoi Mustafa.
Qytetarët e Kosovës të prekur nga lufta, sipas Grupit, mund të ngrenë padi për dëmtim të pronës, pensione dhe dëme të tjera financiare në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ismet Saliu, nga Instituti për Krime Lufte në qeveri, paralajmëroi se veprime të tilla individuale kanë pak shans për sukses.
Ai propozoi të krijohet një mekanizëm që do të punojë për kompensimin dhe dëmshpërblimin e dëmeve.
Ai rekomandoi “një mekanizëm ose shoqatë, që në emër të të gjithë atyre qe janë dëmtuar, do të fillojë të punojë në vitin e ardhshëm, ose brenda dy ose pesë viteve, deri sa të gjitha opsionet janë analizuar në Kosovë në lidhje me Serbinë”.
Bejtush Isufi, një nga anëtarët, tha se përgatitjet duhet të bëhen edhe për të hapur gjyqe në gjykatat në Serbi.
“Do të vijë koha kur individët do të jenë në gjendje të hedhin në gjyq shtetin e Serbisë në gjykatën në Strasburg”, shtoi ai.
E 15 tha se dëmet ekonomike duhen trajtuar si dëmtime të tjera të të drejtave të njeriut gjatë konfliktit në Kosovë, “duke qenë se nuk ka shkatërrim më të madh sesa shkatërrimi i shtëpive”.