Lajm 10 Oct 12

Buxheti i Kroacisë Kërcënohet nga Kërkesat e HVO-së për Dëmshpërblime

Buxheti i shtetit kroat mund të kërcënohet nga miliarda euro shpenzime nga kërkesat e ish-luftëtarëve kroatë, pasi gjykata vendosi se shteti duhet t’iu paguajë kompensime një veterani të HVO-së për pensionet që nuk i janë paguar.

Boris Pavelic
BIRN
Zagreb

Mediat kroate thanë të martën se një gjykatë në Kroaci ka vendosur që shteti t’i paguajë kompensime një ish-veterani të Këshillit të Mbrojtjes Kroate, HVO, për pensionet e papaguara të paaftësisë. Vendimi, që u mor në shtator, hap derën për mijëra padi të mundshme nga veteranët e HVO-së.

HVO ishte ushtria kroate e Bosnjës gjatë luftës, që luftoi në jug të Kroacisë në vitin 1992, 1994 dhe 1995, nën komandën e Ushtrisë Kroate.

Ish-ministri i mbrojtjes në Kroaci, Ljubo Cesic Rojs, tha së fundi se Franjo Tudjman, që ishte presidenti i Kroacisë gjatë konfliktit, kishte vendosur që anëtarët e plagosur të HVO-së duhet të marrin pensione për paaftësinë, si gjithë ushtarët e ushtrisë Kroate që plagosen në betejë.

Por ato përfitime, shtoi Rojs, nuk ishin për pagesa. Ato ishin një mënyrë për të zgjidhur një teknikalitet ligjor, sipas të cilës luftëtarët e plagosur duhet të merrnin pensione për paaftësi para se të mund të merrnin pensione, qëllimi i vërtetë i masave të Tudjmanit.

Sidoqoftë, një nga veteranët e plagosur të HVO-së e paditi shtetin në një gjykatë në Kroaci, që pastaj vendosi që Kroacia duhet t’i paguajë 4,5 milionë kuna [500 mijë euro] dëmshpërblim për pensionet për paaftësi, të cilat nuk ishin paguar.

Ministri i veteranëve të luftës në Kroaci, Predrag Matic, pranoi se janë më shumë se dhjetë mijë ish-ushtarë të HVO-së, që kishin të drejtën për pensione paaftësie në Kroaci por që nuk i kanë marrë.

Nëse këta ushtarë do të padisnin, atëherë shteti mund të detyrohet të paguajë kompensim me vlerë rreth 60 miliard kuna (8 miliardë euro), shumë e cila është përafërsisht sa gjysma e buxhetit vjetor të Kroacisë.

“Është e vërtetë që ushtarët e HVO-së kishin të drejtën për pensione për paaftësi, por ishte një marrëveshje xhentëlmenësh se nuk do të merrnin të holla, në këmbim të pensionit të shtetit në Kroaci. Kështu që, qëndrimi i qeverisë së tanishme është që kërkesat për kompensim janë “të paligjshme’, tha Matic për mediat kroate.

Ljubo Cesic Rojs paralajmëroi se shumë ish-ushtarë të HVO-së mund të padisin Kroacinë për mospagim të pensioneve të paaftësisë.

Qeveria kroate tha se tre nga ministritë e saj janë përpjekur të zgjidhin problemin dhe të parandalojnë gjyqe të shumta kundër buxhetit të shtetit.

Rreth shtatë mijë ish-anëtarë të HVO-së marrin pensione familjare nga ushtria kroate dhe Kroacia kujdeset për rreth 6,800 ish anëtarë të tjerë të HVO-së përmes një llojshmërie skemash shtetërore.

Pensioni i një veterani të HVO-s varion nga 2,7 mijë kuna [400 euro] deri në 6 mijë kuna [800 euro], për muaj.

blog comments powered by Disqus

Subscribe to Our Newsletter