Home Page
EnglishBos/Hrv/Srp 31 May 12

Aktivistët nga Shqipëria shprehin keqardhje për rrënimin e piramidës së Hoxhës

Planet për të demoluar një nga ndërtesat më të njohura të Tiranës, e cila në të kaluarën ishte shfrytëzuar si muze dedikuar Enver Hoxhës, kanë shkaktuar zemërim mes arkitektëve, aktivistëve e madje edhe mes disa ish-të burgosurve politikë nga epoka e Hoxhës.

Fatmira Nikolli
BIRN Tiranë
Tirana's iconic pyramid faces demolition | Photo by : Besar Likmeta

Planet e Qeverisë për të demoluar strukturën në formë piramide të ngritur për të nderuar ish-diktatorin komunist të Shqipërisë kanë nxitur shumë mospajtime mes aktivistëve urbanë, të cilët monumentin e konsiderojnë pjesë të historisë së Shqipërisë dhe jo simbol të regjimit të shkuar.

Mauzoleu i Enver Hoxhës, i cili sundoi këtë vend me grusht të hekurt më pothuajse një gjysmë shekulli, gjendet në një nga parqet e pakta që i kanë mbijetuar zhvillimit kaotik urban të cilin kryeqyteti shqiptar e ka përjetuar gjatë dy dekadave të fundit.

Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, kjo ndërtesë fillimisht u shndërrua në një qendër kulture, në të cilën mbaheshin ekspozita të arteve të bukura, koncerte, konkurse bukurie, panaire librash dhe evenimente të tjera të ngjashme.

Në këtë godinë aktualisht gjenden Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve dhe Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, si dhe zyrat e TV stacionit të popullarizuar – Top Channel.

Kjo ndërtesë, e cila u shfrytëzua për kohë të gjatë si muze, u ndërtua në vitin 1988 (tri vite pas vdekjes së Hoxhës) si një godinë betoni, e veshur me xhama dhe me pllaka mermeri, e cila duket si kombinim i një piramide aztekësh dhe një pjate fluturuese.

Para tri vitesh kjo ndërtesë u shpall monument kulturor, për shkak të vlerës së saj arkitektonike,.

Por, pas shumë vitesh neglizhence dhe përpjekjesh të kota për ta transformuar këtë ndërtesë në teatër apo bibliotekë dhe pas investimit të një shume marramendëse të të hollave nga ish-regjimi (edhe ashtu i varfër) komunist, kjo ndërtesë tani i ngjan një rrënoje të vërtetë.

Asaj i janë hequr pllakat e mermerit të llojit Carrara, kulmi i pikon ndërsa edhe pjesa tjetër është dëmtuar nga përpjekjet për rindërtimin e saj të cilat thua se kurrë nuk përfunduan. Tani, ajo është në pritje të rrënimit të plotë.

Përkundër gjendjes së rëndë në të cilën gjendet, një grup arkitektësh dhe aktivistësh kanë ngritur zërin në mbrojtje të saj, duke thënë se plani për ta demoluar këtë ndërtesë thjeshtë sa për ta liruar hapësirën për ndërtimin e një ndërtese të re të parlamentit i ngjan një argumenti tërësisht ideologjik.

Rreth 6,000 banorë kanë nënshkruar një  peticion në internet, përmes së cilit e kundërshtojnë shkatërrimin e piramidës, ndërsa që në përkrahje të ruajtjes së saj janë mbajtur edhe një sërë tubimesh.

Artan Shkreli, ish-Drejtor i Institutit të Monumenteve, thotë se argumentet ideologjike për rrënimin e kësaj ndërtesa janë absurde.

‘Vlerat [arkitektonike] të piramidës nuk mund të neglizhohen,’ thotë ai, duke shtuar se sundimtarët e Shqipërisë ‘po injoronin thirrjet e opinionit publik’.

Maks Velo, arkitekt dhe ish i dënuar politik, pajtohet me këtë qëndrim, duke nënvizuar se nuk ka nevojë që të rrënohet piramida vetëm sa për të shlyer kujtimet e dhimbshme nga koha e regjimit të Hoxhës.

‘Piramida nuk është pronë e familjes Hoxha dhe kjo nuk mund të shfrytëzohet si argument për rrënimin e saj,’ tha Velo.

‘Ajo është ndërtuar me para të popullit dhe qeveria jonë e zgjedhur do duhej të bëjë çdo gjë që mundet për ta mbrojtur atë si pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit,’ tha ai në përfundim.

Piramida është ndërtuar mes viteve 1985 dhe 1988, ndërsa ndërtimi i saj atëbotë ka kushtuar 3 milion euro.

Sipas Klement Kolanecit, dhëndrit të Hoxhës dhe kryearkitektit të këtij muzeu, ndërtimi i një strukture të ngjashme sot do kushtonte 60 milionë euro.

Gjatë pesë viteve të kaluara, qeveria e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Kryeministri Sali Berisha, ka hartuar dhe ka rihartuar plane të ndryshme për t’ia ndryshuar destinimin kësaj ndërtese dhe për këtë qëllim ka shpenzuar me miliona euro.

Pas zgjedhjes së tij në vitin 2005, Berisha fillimisht propozoi që piramida të transformohet në bibliotekë kombëtare, pasi që ndërtesa në të cilën aktualisht gjendet ky institucion është në gjendje të nderë.

Një vit më pas piramida u shndërrua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës Pjetër Arbnori, duke marrë kësisoj emrin e kryetarit të ndjerë të kuvendit dhe një ish të burgosuri politik, i cili ndërroi jetë në po të njëjtin vit. Plani për ta shndërruar atë në bibliotekë u hoq nga rendi i ditës.

‘Më pas qeveria ndau fonde për rindërtimin e saj një vit më vonë dhe e shpalli atë monument të mbrojtur kulturor,’ rikujton Artan Lame, Drejtor i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.

Megjithatë, në vitin 2008 Berisha ndryshoi mendje dhe kërkoi nga Ministria e Kulturës që ndërtesa të transformohet në një panteon kulturor ku do të gjendej teatri, një auditorium muzikor, një galeri arti, një bibliotekë dhe një qendër rinore.

Për këtë qendër u sajuan plane dhe u shpallën tenderët për firmën arkitekturale, por më vonë atë vit Kryeministri e ndërroi mendjen prapë dhe kërkoi nga Ministria që atë ndërtesë ta transformojë në teatër kombëtar.

Në janar të vitit 2009, autoritetet paraqitën idenë që para piramidës të ngritet një obelisk kujtimi për viktimat e regjimit komunist, por kjo ide kurrë nuk u realizua.

Në nëntor të vitit 2010 Berisha ndërroi prapë mendjen dhe vendosi se ‘për ta larguar shpirtin e diktatorit, kjo ndërtesë duhet të rrënohet me themel,’ dhe se në të njëjtën parcelë duhet të ndërtohet ndërtesa e re e kuvendit.

Për kryeministrin e vendit, piramida e Hoxhës tani përbënte vetëm ca milionë euro të shpenzuar kot në emër të ‘nostaligjisë për Hoxhën’ dhe fati i saj ishte caktuar.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë është më shumë i njohur për grindje dhe përleshje se sa për miratimin e ligjeve cilësore, Kryetarja Jozefina Topalli insiston se ndërtesa ekzistuese e parlamentit nuk u shërben si duhet deputetëve.

Ky kompleks, i cili gjendet në afërsi të pallatit të Mbretit Zogu I, është ndërtuar në vitin 1952 dhe ‘nuk plotëson standardet e parlamenteve të vendeve të BE-së, e madje as ato të vendeve të regjionit,’ deklaroi ajo, edhe pse në këtë ndërtesë ishin investuar një milion euro për renovime para vetëm një viti.

Edhe pse fati i piramidës duket se tani është vendosur, Aldo Merkoci, një aktivist nga OJQ-ja lokale Mjaft, thotë se pa marrë parasysh nëse ajo rrënohet deri në themel apo jo, trashëgimia arkitektonike dhe shoqërore e saj do të mbetet.

‘Piramida është monument historik dhe kulturor i Tiranës; ajo është pjesë e kujtimeve të secilit qytetar të Tiranës dhe do të mbetet pjesë e kujtimeve të tyre edhe për një kohë të gjatë,’ tha ai.

Ky artikull është financuar nga projekti BICCED, i përkrahur nga Swiss Cultural Programme.

 

 

blog comments powered by Disqus

Culture Policy Focus

troubled-albanian-museum-sunk-by-hoxha-row
21 May 13

Troubled Albanian Museum Sunk by Hoxha Row

Donors spent hundreds of thousands of euro building a new museum in Gjirokastra - but the results were questionable and it ultimately closed over an ideological dispute.

18 Mar 13

Diagnosing Kosovo

Blog

/en/file/show//Images/Images.New/Bloggers/Harald-Schenker-thumb.jpg
21 May 13

Esma: The Demise of a Legend

Is everybody in? The ceremony is about to begin…