Në gjyqin për krime lufte ndaj Ratko Mladicit, një ish-zyrtar i OKB-së, tha se gjatë luftës në Bosnjë, të trija palët shkelën embargon e armëve.
![]() |
| David Harland, ish zyrtar i OKB-së |
Gjyqi i ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mladic, vazhdoi të hënën me marrjen në pyetje të ish-zyrtarit të Forcave Mbrojtëse të OKB-së, David Harland.
Marrja në pyetje ishte caktuar të mbahej të premten e shkuar, sidoqoftë, seanca dëgjimore u shty për shkak të gjendjes shëndetësore të Mladicit.
Harland tha se negociatat midis boshnjakëve [myslimanëve] dhe serbëve të Bosnjës u ndërprenë vazhdimisht duke qenë se marrëveshja për çmilitarizimin e Bosnjës nga viti 1993 po shkelej rregullisht.
Pavarësisht embargos së vazhdueshme në importimin e armëve në Bosnjë, të gjitha palët morën armë nga kanale të ndryshme të paligjshme, tha Harland.
I pyetur nga avokati mbrojtës, Branko Lukic se si boshnjakët morën armë, Harland përmendi tri mënyra.
“Irani iu dha armë luftëtarëve boshnjakë përmes Kroacisë, me dijeninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mënyra e dytë ishte përmes vijave ajrore. Një numër armësh që erdhën nga Perëndimi dhe Turqia, u sollën afër aeroportit të Tuzlës. Mënyra e tretë ishte përmes trafikimit në kanale vendore”, tha Harland.
Duke folur për ngjarjet pas rënies së Srebrenicës në vitin 1995, dëshmitari tha se civilët në fshatrat përreth kishin frikë se e njëjta gjë do t’iu ndodhte edhe atyre.
“Serbët nuk do të lejonin kurrë që një numër i madh i trupave të UNPROFOR-it të ishin të pranishëm në enklavë. Në fshatin e Zepës [në jug-perëndim të Srebrenicës] kishte një numër të vogël të trupave ukrainase që na thanë se boshnjakët kishin frikë se do të bëheshin vrasje masive, edhe aty”, tha Harlandi.
Ai shtoi se boshnjakët dhe serbët arritën një marrëveshje për tërheqjen paqësore të forcave boshnjake nga fshati i Zepës, që më vonë u shkel nga presidenti Alija Izetbegovic, i cili refuzoi që luftëtarët e tij të dorëzoheshin.
Harlandi tha se Ratko Mladici dhe Zdravko Tolimir, ish-komandant dhe asistent i Mladicit, i thanë se si shpagim, serbët vranë liderin vendor boshnjak, Avdo Palic.
Deri në fund të korrikut, pothuajse të gjithë boshnjakët ishin dëbuar nga fshati.
Mladici, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krim nda njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë midis viteve 1992 dhe 1995.
Gjyqi do të vazhdojë më 17 korrik.