Analizë 27 Dec 12

Vit i Trazuar për Drejtësinë Tranzicionale në Ballkan

Me katër aktgjykime të dhëna këtë vit, Tribunali i Hagës i solli drejtësi disa shteteve të ish-Jugosllavisë, ndërsa disa thonë se bashkëpunimi rajonal, i rrezikuar edhe më parë, arriti nivele edhe më të ulëta.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Viti filloi në mënyrë premtuese për marrëdhëniet Kroaci-Serbi, duke qenë se qeveria e sapoformuar socialiste në Kroaci shpalli tërheqjen e mundshme të gjyqit për gjenocid kundër Serbisë, që u dorëzua para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 1999.

Muajin e dytë të vitit, presidenti serb dhe ai kroat dhanë mbështetjen e tyre për marrëveshjen e tri shteteve për gjykim të përbashkët të krimeve të luftës, por Bosnja nuk e nënshkroi dokumentin, duke qenë se presidenca tripalëshe nuk ishte në gjendje të pajtohej unanimisht.

Sidoqoftë, pas një viti vonesë Serbia dhe Bosnja do të nënshkruajnë protokollin për gjykimin e krimeve të luftës në janar të vitit 2013, ndërsa marrëveshja mes Kroacisë dhe Bosnjës pritet ende të arrihet.

Zgjedhja e Nikolicit Ndikon Bashkëpunimin Rajonal

Përmirësimet në bashkëpunimin rajonal u ndalën në maj me zgjedhjen e presidentit të ri serb, Tomislav Nikolic, ish-lideri i Partisë Progresive nacionaliste.

Duke pasur parasysh të shkuarën e trazuar të luftës, duke qenë se Nikolic ka qenë një nga shokët e Vojislav Seseljit, lideri i Partisë Radikale Serbe, i cili aktualisht është në gjyq për krime lufte në Tribunalin e Hagës, vendet në rajon kanë qenë skeptike për zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë.

Nikolic ndezi polemika menjëherë pas ardhjes në pushtet, kur tha se qyteti kroat i Vukovarit, skena e disa nga luftimeve më të rënda gjatë luftës në Kroaci është “një qytet serb” dhe se “Serbia e Madhe” është “ëndrra e tij e parealizuar”. Zyrtarët kroatë përshkruan deklaratat si “shokuese dhe absolutisht të papranueshme për Kroacinë”.

“Nëse deklarata e zotit Nikolic do të thotë kthim në idetë e viteve 90-të, mund të them në emër të të gjithë qytetarëve kroatë se ato ide nuk do të realizohen”, tha presidenti kroat, Ivo Josipovic.

Por, Nikolici nuk ndaloi me Kroacinë, por vazhdoi të provokojë BE-në dhe liderët rajonale, duke thënë se krimet e luftës të kryera në vitin 1995 në Srebrenicë nuk janë gjenocid, po krim masiv i kryer nga individë.

Duke folur për televizionin shtetëror në Mal të Zi, më 31 maj, ai tha: “Nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë… Askush nuk e ka vërtetuar këtë deri tani. Një oficer është dënuar dhe tani të gjithë ata që bashkëpunuan me të do të dënohen gjithashtu. Por është e vështirë të dihet a ka pasur qëllim [për gjenocid]”.

Anëtari boshnjak i parlamentit të Bosnjës, Bakir Izetbegovic, akuzoi Nikolicin se ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Serbisë dhe ka ofenduar viktimat, ndërsa zyrtarët e BE-së dënuan Serbinë se po rishkruan historinë.

Bashkimi Europian tha në atë kohë se pritet që të gjithë liderët e Ballkanit duhet të pranojnë çfarë ndodhi gjatë luftërave të viteve 1990-të në ish-Jugosllavi dhe se duhet të pranojnë aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare që kanë vendosur se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Aktivistët e të drejtave të Njeriut në Serbi akuzuan Nikolicin, gjithashtu, se ka rrezikuar bashkëpunimin rajonal mes Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës, që sipas raportit të tyre vjetor është në nivelin më të ulët që nga viti 2000.

Përfundime ligjore

Duke qenë se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, viti u shënua me një numër ndryshimesh në legjislacionet dhe sistemet ligjore të vendeve.

Mali i Zi filloi negociatat për anëtarësim me analizën për përgatitjen e tij për hapjen e kapitullit 23, për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, dhe kapitullit 24, për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.

Ndryshimi më dramatik ndodhi në Maqedoni ku u prezantua procesi i lustrimit. Maqedonia ka ndjekur hapat e shumë ish-vendeve komuniste që kanë miratuar ligje lustrime, si mënyrë për të adresuar padrejtësitë e të shkuarës të lindura nga proceset gjyqësore të motivuara politikisht, duke ekspozuar ish bashkëpunëtorë të policisë që kanë spiunuar.

Maqedonasit krijuan Komisionin e Lustrimit, zyra shtetërore që ka për detyrë kryerjen e procesit, që shpesh është kritikuar se është bërë “instrumenti i qeverisë për stigmatizim selektiv dhe tendencioz”.

I miratuar fillimisht në vitin 2008, Ligji i Lustrimit në Maqedoni ka shkaktuar kundërshti të mëdha në publik, me ç’rast kritikët dhe anëtarët e opozitës akuzuan qeverinë e kryeministrit Nikola Gruevskit për keqpërdorim të ligjit dhe gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve dhe kritikëve të tij.

Parlamenti i Maqedonisë miratoi një ligj të ri për lustrim në qershor, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një numër dispozitash kyç nga ligji i vitit 2008, duke zvogëluar periudhën kohore dhe rangun e profesioneve që duhen hetuar.

Sidoqoftë, ligji i ri dhe këmbëngulja e qeverisë se vetëm do të bëjë korrigjimin e padrejtësive të shkuara nuk ka heshtur kritikat.

Komisioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni ka kundërshtuar dispozitat kyç të ligjit para Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se janë kryesisht të njëjta me ato që ishin rrëzuar më parë.

Ndërkohë, një grup intelektualësh hodhën në gjyq ligjvënësit nga partitë qeverisëse dhe presidentin Gjorgje Ivanov për votim dhe miratim të dispozitave të ligjit të ri që më parë ishin rrëzuar si jokushtetuese.

Vendimet e Tribunalit të Hagës

Në maj të këtij viti, gjyqi i të arratisurit më të kërkuar të Tribunalit të Hagës, Ratko Mladic nisi para Tribunalit të Hagës.

Seanca e parë filloi më 16 maj, por gjyqi filloi më 9 korrik me dëshminë e dëshmitarit që u vonua disa herë në gjyqin e shumëpritur për shkak të problemeve me zbulimin e provave te pala mbrojtëse.

Mladic, ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, deklaroi se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit të Bosnjës mes viteve 1992 dhe 1995.

Gjysma e vitit u shënua nga katër aktgjykime të Tribunalit të Hagës, që shkaktoi reagime të kundërta në vendet e ish-Jugosllavisë - ato ose u mirëpritën ose u kritikuan ashpër.

Më 16 nëntor, Tribunali i Hagës rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë që burgosi dy gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, më 24 dhe 18 vjet burgim secili për krime ndaj civilëve serbë, gjatë operacionit ushtarak kroat “Stuhia” [“Oluja”] në verën e vitit 1995.

Zyrtarët serbë dënuan lirimet, duke akuzuar Tribunalin e Hagës për cenim të kredibilitetit të saj dhe për ofendim të viktimave, ndërsa gjeneralët u pritën si heronj në Kroaci.

Ndërkohë, Vuk Jeremic, presidenti serb i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e çoi betejën në një nivel më të lartë, duke planifikuar për në prill një debat në OKB për të gjithë çështjen e Tribunalëve të OKB-së.

Në të njëjtën kohë Serbia po përgatitet për seancë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, e caktuar për në shkurt të vitit 2014 për të vërtetuar pretendimin se Kroacia ka kryer gjenocid ndaj serbëve gjatë Operacionit “Stuhia”, kur rreth 200 000 serbë u arratisën nga Kroacia.

Në 29 nëntor, Tribunali i Hagës liroi tre ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për krime lufte të kryera në Kosovë në fund të viteve 1990-të.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte mes të pandehurve, u kthye i lirë në Kosovë me mirëseardhje të zjarrtë, ndërsa Serbia në anën tjetër shprehu zemërim për vendimin.

Pavarësisht deklaratave se aktgjykimi mund të rrezikojë dialogun Serbi-Kosovë dhe rrugën e Serbisë për në BE, lidershipi i Serbisë vazhdoi negociatat me Kosovën. Në anën tjetër, kosovarët presin që Haradinaj të kthehet në politikë dhe të jetë në majë të pozitave qeveritare në Kosovë.

Lirimet e Ramush Haradinajt nga Kosova dhe Ante Gotovinës dhe Mladen Markacit nga Kroacia ndezën shpresën për shumë maqedonas se Johan Tarculovski, shtetasi i vetëm maqedonas i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, mund të lirohet së shpejti.

Tarculovski, ish-oficer policie, ka vuajtur tetë vjet nga 12 vjet dënim për krime lufte ndaj civilëve gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Në mars të vitit 2013, pasi të ketë kryer dy të tretat e dënimit të tij, do të ketë mundësinë të apelojë për lirim të parakohshëm.

Në dhjetor, Tribunali i Hagës dënoi me burgim të përjetshëm dy liderë serbë të Bosnjës.

Më 4 dhjetor, Dhoma e Apelit në Tribunalin e Hagës ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë që dënoi Milan Lukicin me burgim të përjetshëm dhe pranoi pjesërisht apelin e kushëririt të tij, Sredoje Lukic, dhe ia shkurtoi dënimin nga 30 në 27 vjet.

Tetë ditë më vonë, Zdravko Tolimir, ndihmës i afërt gjatë luftës i ish-shefit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mladic, është shpallur fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe Zhepë dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.

Pavarësisht kritikave të ashpra për punën e tij, Kombet e Bashkuara ia kanë zgjatur mandatin gjyqtarëve të Tribunalit të Hagës deri në fund të vitit 2014 për të përfunduar kështu rastet që ende s’janë mbyllur.

Në rezolutën e miratuar më 17 dhjetor, OKB-ja ka kërkuar që Tribunali i Hagës të marrë “të gjitha masat e mundshme për të përfunduar punën e tij sa më shpejt që është e mundur për të lehtësuar mbylljen deri më 31 dhjetor 2014”, dhe të prezantojë strategjinë përmbyllëse më 15 prill 2013, që do të lejojë mbylljen e Tribunalit dhe tranzicionin në Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale.

Mekanizmi Rezidual u vendos nga OKB-ja në vitin 2010 dhe do të ketë për synim të përfundojë punët e mbetura të Tribunalit të Hagës, kur t’i përfundojë mandati dhe sipas planeve të tanishme është caktuar të fillojë punë më 1 korrik 2013.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy Premium Subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

Disqus

blog comments powered by Disqus

Sfond

disidenti-kroat-kishte-frikë-se-mos-rrëmbehej-nga-spiunët-jugosllavë

Disidenti kroat kishte frikë se mos rrëmbehej nga spiunët Jugosllavë

Gjyqi i Zdravko Mustac dhe Josip Perkovic, ish shefa të spiunazhit jugosllav të akuzuar për vrasjen e një emigranti kroat, dëgjoi se viktima në mënyrë të përsëritur i tha të dashurës gjermane se ai po jetonte me frikë.

Veteranët kroatë të luftës organizojnë protestë të re kundër alfabetit cirilik

Aktivistët në Vukovar vendosën letra ngjitëse të mëdha me flamuj kroatë mbi tabelat me germa cirilike nëpër ndërtesat publike duke rigjallëruar protestat pasi përpjekjet e tyre për referendum kombëtar mbi çështjen dështuan.

Gjyqësori serb ende i ndikuar nga qeveria, anketa nxjerr në pah

Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Serbi nuk besojnë se sistemi është i fuqishëm sa duhet për t’i marrë vendimet e tij në mënyrë të pavarur, një anketë e re nxjerr në pah.

Buletini ditor