Lajm 25 Jan 13

Viktimat Serbe të Luftës i Shkruajnë Hagës për Lirimet “e Padrejta”

Serbët që vuajtën në konfliktet e viteve 1990-të i dërguan një letër Tribunalit të Hagës, duke thënë se vendimet e fundit që liruan zyrtarët kroatë dhe kosovarë për krime lufte, ishin politikisht të njëanshme.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

“Aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi [ICTY] në rastet kundër Gotovinës, Markacit dhe Haradinajt e bënë idenë e drejtësisë të pakuptimtë dhe minuan besueshmërinë e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në letrën e dërguar nga Shoqata e Viktimave Serbe, të premten.

Tribunali i mbështetur nga OKB-ja, vitin e kaluar, dha dy aktgjykime të profilit të lartë për lirim nga akuza për krime lufte të kryera ndaj serbëve gjatë konflikteve të viteve 1990 - një ndaj gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, dhe tjetri ndaj komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Ramush Haradinajn, ish-kryeministrin e Kosovës.

Dragan Pjevac, koordinatori i Shoqatës së Viktimave Serbe, tha se letra i është dërguar Tribunalit dy muaj pas vendimeve “për të parandaluar që kjo çështje padrejtësie ndaj serbëve të harrohet”.

“Familjet e viktimave sidoqoftë nuk mund të harrojnë kurrë krimet që u kryen ndaj të dashurve të tyre. Aktgjykimet janë të padrejta dhe politike”, shtoi Pjevac.

Savo Strbac, drejtori i qendrës së dokumentacionit për krime lufte “Veritas” në Beograd, tha se apeli ndaj lirimit të gjeneralëve kroatë është ende një mundësi.

Sipas procedurave të Tribunalit, rasti mund të rihapet vetëm nëse prokuroria gjen prova të reja që nuk janë prezantuar gjatë gjyqit.

Strbac tha se provat e reja mund të gjenden në regjistrat e artilerisë së ushtrisë kroatë, të njohura si “Topnicki Dnevnici”, të cilat sipas tij përmbajnë plane të sakta për operacionin ushtarak me emrin e koduar “Stuhia”, që ndodhi verën e vitit 1995.

Gotovina dhe Markac u liruan nga akuzat për krime lufte gjatë operacionit, në të cilin forcat e tyre morën kontroll të pjesëve të Kroacisë që ishin në kontroll të forcave serbe.

Prokurori për krime lufte në Serbi dhe disa shoqata të viktimave besojnë se regjistrat tregojnë se sulme mbi civilët serbë ishin të parapërgatitur.

“Regjistrat ekzistojnë dhe janë të fshehur. Thjesht nuk mund të shkatërroheshin”, tha Strbac.

ICTY i kërkoi disa herë Kroacisë t’ia japë regjistrat Tribunalit, por autoritetet në Zagreb thanë se ato ose ishin shkatërruar ose vjedhur.

Ministri i drejtësisë në Serbi, Nikola Selakovic, tha gjatë një vizite në Hagë këtë muaj se Serge Brammertz, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, i kishte thënë se ka një mundësi që rasti i gjeneralëve kroatë mund të rihapej.

 

blog comments powered by Disqus