Lajm 25 Apr 12

Viktimat Mësojnë për Marrëveshjet mbi Fajësinë

Shoqatat e Viktimave kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me punën e prokurorisë së Bosnjës dhe Institutit për Personat e Zhdukur, në një konferencë për kërkimin e të zhdukurve në luftën në Bosnjë. 

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Sipas Prokurorisë së Shtetit në Bosnjë, procesi për gjetjen, zhvarrosjen dhe identifikimin e rreth 10,000 personave që ende besohet se janë të zhdukur në Bosnjë, mund të ndihmohej nga përdorimi më i shpeshtë i marrëveshjeve të fajit.

Në shkëmbim për dënime më të shkurtra, të akuzuarit për krimet e luftës do të jepnin informacion për personat e zhdukur.

Viktimat mendojnë se marrëveshjet për fajësinë nuk ndihmojnë shumë në kërkimin e të dashurve të tyre të zhdukur. Nga 24 marrëveshjet e fajësisë të nënshkruara deri më tani, vetëm pak kanë zbuluar vende të rreja varrimi.

Viktimat mendojnë gjithashtu se duhet të jenë më të përfshirë në sistemin e marrëveshjes së fajësisë, dhe thonë se iu nevojitet më shumë informacion për procesin.

Kjo është pse tre shoqatat për viktima nga kombësi të ndryshme - kryesisht shoqata boshnjake “Izvor”, Shoqata për Luftëtarët e Zhdukur Serbë dhe Civilët nga Bijelina dhe Shoqata e Viktimave Kroate “Grabovica 93” nga Mostari - kanë organizuar një konferencë për sistemin e marrëveshjeve të fajësisë dhe avantazhet e tij.

Kjo është një çështje e ndjeshme për viktimat, dhe duhet të jenë në gjendje t’iu bëjnë pyetje direkte personave që punojnë me marrëveshjet e fajësisë dhe kërkimin e të dashurve të tyre, shpjegoi Seida Karabasic, një nga organizatoret nga shoqata “Izvor”.

“Kjo është një çështje në të cilën familjet e atyre që ende mungojnë janë shumë të interesuara, sepse nuk janë në dijeni të gjithë informacionit. E kemi organizuar këtë konferencë dhe iu kërkuam viktimave nga të gjitha palët të vijnë, dhe kemi gjithashtu anëtarë të Prokurorisë dhe Institutit për Personat e zhdukur këtu, kështu që po mundësojmë një dialog të lirë,” tha Karabasic.

Që në fillim të punës së saj në vitin 2006, Zyra e Prokurorisë në Bosnjë ka nënshkruar, deri më sot, marrëveshje fajësie me 24 persona. Në raste të ndryshme të pandehurit zbuluan informacion rreth gjetjeve të eshtrave, të cilat Gjykata i pranoi si rrethana lehtësuese në aktgjykim.

Sipas statistikave nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, në fund të konflikteve në Bosnjë dhe Hercegovinë kishte rreth 30,000 persona të zhdukur, që supozohen të vdekur. Deri më tani janë identifikuar dy të tretat dhe rreth 10,000 ende mungojnë.

Konferenca për sistemin e marrëveshjeve të fajit në Sarajeve mirëpriti përfaqësues të më shumë se 10 shoqatave të viktimave, nga e gjithë Bosnjë dhe Hercegovina, si dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore.

Konferenca i financua nga ICMP-ja dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP.

blog comments powered by Disqus