Lajm 06 Dec 12

Viktimat e Përdhunuara të Luftës në Kosovë Duhet të Kenë Status Ligjor

Kosova duhet të adresojë dhunën seksuale gjatë luftës në ligjin për të drejtat e viktimave të luftës, ishte përfundimi i një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga UN Women në Prishtinë.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë

Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët që diskutoi temën “Statusi dhe gjendja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë konfliktit” bëri thirrje për gjykim të të gjithë autorëve të përdhunimeve gjatë luftës.

Ata nxitën gjithashtu autoritetet në Kosovë, të përfshijnë viktimat e përdhunuara gjatë luftës në Ligjin për Statusin e të drejtave të Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjeve të tyre.

Vlora Çitaku, ministrja për Integrim në Kosovë, shprehu shpresën se “çështja do të adresohet ligjërisht së shpejti”.

“Ka rreth 200 000 gra të përdhunuara në Kosovë dhe askush nuk është dënuar deri tani [për këto krime]. Ka rreth 200 000 gra të përdhunuara në Kosovë dhe ende s’kemi qenë në gjendjë të adresojmë nevojat e tyre ligjore. Ka rreth 200 000 gra të përdhunuara në Kosovë që kanë nevojë për mjekim, kujdes dhe ndihmë”, tha Çitaku.

Më shumë se trembëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se sa gra janë përdhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave që përdor UN Women, më shumë se 10 000 gra janë përdhunuar në Kosovës mes gushtit të vitit 1998 dhe gushtit të 1999.

Ligji për të drejtat e viktimave të luftës hyri në fuqi në fund të vitit 2011. Sidoqoftë, sipas atij ligji, përdhunimet e luftës nuk janë klasifikuar si krim lufte.

Suzana Novobërdaliu, drejtoresha e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticion në Kuvendi e Kosovës, tha “është filluar aksioni për të ndryshuar ligjin e tanishëm që të përfshirë viktimat e përdhunuara të luftës, por komisioni përgjegjës për amendamentet pritet t’i japë përgjigje kërkesës”.

Gjatë diskutimit në tryezën e rrumbullakët, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, bashkë me OJQ-të e të drejtave të njeriut nga Bosnjë dhe Hercegovina, ndanë ekspertizën e tyre dhe diskutuan sfidat për të mbështetur viktimat dhe dënuar autorët e përdhunimeve të krimeve të luftës.

Signe Justessen, prokurore e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe shefe e Zyrës së Prokurorisë Speciale në Kosovë, SPRK, në tha se periudha kohore është çështje për viktimat e përdhunuara të luftës, duke qenë se krimet që po heton EULEX-it tani “ndodhën shumë vite më parë”.

“Duke qenë se nuk kemi provat normale teknike, disa herë na duhet të mbështetemi në prova të gërvishtjeve, shenjave të nxira, ADN-së dhe kështu me radhë”, tha ajo.

Justessen inkurajoi gjithashtu të mbijetuarit dhe dëshmitarët e përdhunimeve gjatë luftës të tregojnë për ngjarjet, në mënyrë që krimet të adresohen.

Tryeza e rrumbullakët u organizua si pjesë e fushatës 16-ditore të OKB-së për parandalimin e dhunës kundër grave. Fushata u lansua më 25 nëntor, kur Kosova shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave.

blog comments powered by Disqus