Reportazh 07 Dec 12

Viktimat e Luftës në Ilijas Ankohen për Ritmin e Ngadaltë të Drejtësisë

Rreth 200 persona nga Ilijas u vranë në pranverë të vitit 1992 pas sulmit të serbëve të Bosnjës në qytet dhe në fshatrat përreth - dhe më shumë se 50 janë ende të zhdukur. Por deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë
Ilijas/Foto nga BIRN

Prokuroria e Kantonit në Sarajevë dhe prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë filluar hetime të shumta kundër më shumë se 120 personave, në lidhje me krimet e kryera në vitet 1990-të në territorin e komunës së Ilijasit.

Por viktimat e luftës ndihen të pakënaqur, duke thënë se kanë frikë se nuk do të jetojnë për të vënë drejtësinë në vend  për të dashurit e tyre të vdekur.

Rreth 200 persona u vranë në Ilijas, që gjendet rreth 18 kilometra larg Sarajevës, në maj dhe qershor të vitit 1992, pas një sulmi të Ushtrisë së Republikës Srspka.
Prokuroria kantonale thotë se po heton 120 persona për krime lufte të kryera në territorin e Ilijasit, ndërsa Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës thotë se hetimet janë të hapura në dy raste kundër gjashtë personave për këto krime. Sidoqoftë të dyja prokuroritë japin pak detaje.

Vetëm një person është burgosur, mes të tjerash, për  krimet e kryera në Ilijas. Biljana Plavsic, ish-presidentja e Republikës Srpska u dënua me 11 vjet burgim pasi u deklarua fajtore para Tribunalit të Hagës. Ajo u lirua në tetor të vitit 2009.

Familjet e viktimave thonë se janë të inatosur për ritmin e ngadalshëm të gjykimit të përgjegjësve, duke thënë se duan të paktën të gjejnë eshtrat e të dashurve. Më shumë se 20 vjet më vonë, eshtrat e 54 personave ende nuk janë gjetur.

Fshatrat e sulmuar:

Të mbijetuarit kujtojnë se ushtria serbe e Bosnjës dhe policia sulmuan fshatrat Bioca, Ljesevo Kadric, Luka dhe qendrën në Ilijas, në maj dhe qershor të vitit 1992.

Burrat që nuk u vranë në vend u burgosën dhe në disa raste u torturuan në vende të ndryshme.

Këto përfshijnë ndërtesat e shkollave fillore në Gornja Bioca, depon në Iskra, bodrumin e stacionit të trenit në Podlugovi dhe shkollën e mesme “27 korriku” në Ilijas.

Gornja Bioca ishte fshati i parë që u sulmua më 29 maj 1992. Dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në sulm, ndërsa burrat u dërguan në qendrat e burgimit.

 “Fqinjët dhe miqtë tanë u maskuan me uniforma paramilitarësh dhe erdhën me kasketa në shtëpitë tona dhe na morën”, tha Sabahudin Sehic nga Gornja Bioca.

“Huzeri dhe Zahid Selimovic, atë e bir u vranë. Erdhën në shtëpinë e tyre dhe vranë Huzeirin nga dera, pastaj e hapën derën, morën djalin dhe e vranë edhe atë”, shtoi ai.

Aktgjykimi i shkallës së parë i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në dhjetor të vitit 2011 liroi Srpko Pustivukun për përfshirje në sulmin në Gornja Bioca.

Gjatë  sulmit, Sheic tha se boshnjakët vendorë [myslimanët] u arrestuan dhe mbajtën të burgosur në shkollën fillore.

“Në ndërtesën e shkollës na morën në pyetje, torturuan, dhe na lanë  pa ushqim… Disa u çuan në polici për t’u marrë në pyetje dhe përfunduan në varre masive”, tha Sehic.

Ai shtoi se pas shtatë ditëve të burgosurit u transferuan në depon Iskra në Podlugovi, ku u burgosën për 75 ditë të tjera.

“Nuk kishim ushqim, higjienë dhe kishim pleshta dhe sëmundje infektive. Njerëzit humbnin ndjenjat”, shtoi Sehic, duke shtuar se më vonë u transferuan në objekte të tjera, si për shembull në shtëpinë Planjina në Semizovac.

Sehic thotë se burgimi e la me pasoja mendore dhe fizike, të cilat nuk kanë kaluar me kalimin e viteve.

Pas sulmit në Bioca, ushtria serbe e Bosnjës dhe policia sulmuan fshatrat  e Ljesevocs, Kadaricit, Lukës dhe qendrës së Ilijas, në qershor të vitit 1992.

Të vrarë në kodër:
Në një intervistë për BIRN-in, Habiba Fazic tha se bashkëshorti i saj u vra bashkë me 21 boshnjakë në Ljesevo.

Një ushtar serb i Bosnjës e rrahu bashkëshortin e saj me bishtin e pushkës dhe pastaj e morën në makine në një kodër, tha ajo.

Më pas dëgjoi të shtëna armesh, Fazic tha se i ra të fikët. Kur erdhi një fqinj i tha se burri ishte vrarë.

Ata që nuk u vranë u dërguan në depon Iskra në Podlugovi, ku disa patën tortura të ndryshme.

Një vendas nga Ljesevo, që ishte dëshmitar i mbrojtur në Tribunalin e Hagës, në gjyqin e Vojislav Seseljit, lideri i Partisë Radikale Serbe, i akuzuar gjithashtu për krime të kryera në Ilijas, tha se kushtet në depon në Iskra ishin të vështira.

“Qëndruam dy muaj e gjysmë në depon në Iskra, pa ushqim ose ujë. Nuk kishte tualet, kështu që patëm infeksione të ndryshme”, tha ai.

“Një oficer nga ‘Mbrojtësit e Seseljit’  [formacion paramilitar] mori Baki Sehicin. Pas luftës, e gjetëm në varr”, tha dëshmitari i mbrojtur, që u burgos gjithashtu në shtëpinë në Planjinë, pas Iskrës.

Zilka Rizvo, nga Ilijas, tha se djali dhe bashkëshorti i saj u morën nga shtëpia më 5 qershor të vitit 1992, dhe  u mbajtën në depon Iskra, nga ku u transferuan në shtëpinë Planjina.
 
“E gjeta trupin e fëmijës tim në Semizovac”, tha Rizvic.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës, në tetor të këtij viti, paditi Branko Vlacon për krime të kryera në Vogosca, Ilijas dhe komuna të tjera në Sarajevë.

Ndryshe nga banorët e Biocas dhe Ljesovos që u burgosën në depon Iskra, burrat nga fshati Kadaraci dhe Luke, pas arrestimit u burgosën më 27 korrik në Ilijas.


Ibrahim Avdibegovic/Foto nga BIRN

Ibrahim Avdibegovic  u mbajt i burgosur në palestrën e shkollës për një muaj. Djali, nipi, vëllai, kushëriri i tij dhe dhëndri i tij u morën peng më 6 korrik 1992, dhe nuk u panë më kurrë. Avdibegovic, i cili tani është 91-vjeçar, tha se burrat e rinj u dërguan në një dhomë tjetër dhe u rrahën.

“I rrahën dhe iu bënë gjëra të ndryshme. Ishin rreth 50 burra në atë dhomë, të gjithë të rinj”, tha Avdibeogovic, duke shtuar se dëshira e tij e vetme është të gjejë eshtrat e të dashurive derisa është gjallë.


Nusja e tij, që humbi djalin, tha se ishte krim edhe që ende nuk e dinë ku janë eshtrat e të dashurve të tyre.

“Fqinjët tanë e dinë se ku i vranë, ku janë eshtrat, por nuk duan të na tregojnë”, tha Zekija Avdibegovic.

Ajo kujtoi se djali i saj ishte vetëm 17 vjeç kur u morr nga shkolla në Ilijas dhe u zhduk pa asnjë gjurmë.

Të mbijetuarit thonë ka edhe gra mes atyre eshtrat e të cilëve mungojnë nga komuna e Ilijasit.

Instituti për Persona të Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë deklaron se mes 152 viktimave nga Ilijasi që janë zhvarrosur, 11 janë trupa grash dhe 3 janë fëmijë të moshave katër deri në 18 vjeç.


This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy Premium Subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor