Në argumentet mbyllëse, avokati mbrojtës i Zoran Goronjës i kërkoi Trupit Gjykues të mos e pranojë gjenocidin si klasifikim ligjor për krimin, duke thënë se prokuroria nuk e ka vërtetuar një gjë të tillë.
Pas prezantimit të argumenteve mbyllëse, Trupi Gjykues ka caktuar që shpallja e aktgjykimit për katër anëtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës, të bëhet më 15 qershor.
Avokati mbrojtës argumentoi se Goronja nuk mund të dënohet se ka marrë pjesë në gjenocid, duke konsideruar se një shkallë qëllimi ishte e nevojshme për një krim të tillë, duke shtuar se “Prokuroria e Bosnjës dhe e Hercegovinës nuk e ka vërtetuar këtë për rastin”.
Petko Pavlovic, avokati mbrojtës, tha se gjatë gjyqit, Goronja nuk shprehu me fjalë keqardhjen e tij për vrasjet në fermën në Branjevo, por se pendesa e tij është e qartë nga gjendja e tij e rëndë mendore dhe depresioni.
Goronja akuzohet, bashkë me Frank Kosin, Stanko Kojicin dhe Vlastimir Golijanin, se kanë marrë pjesë në vrasjen e më shumë se 800 burrave dhe djemve në fermën në Branjevë, afër qytetit të Zvornikut në Bosnjën lindore, më 16 korrik 1995.
Sipas aktpadisë, Kos ishte komandanti i Togës së Parë të Njësisë së 10-të të Sabotazhit të ushtrisë serbe të Bosnjës, ndërsa Kojic, Golijani dhe Goronja ishin anëtarë të njësisë.
Në argumentet mbyllëse, avokati mbrojtës i Goronjës tha se shumë prej provave nuk ishte relevante për rastin, duke shtuar se disa nga provat e prezantuara ishin relevante vetëm për gjyqet e zyrtarëve të nivelit të lartë.
“Zoran Goronja ishte ushtar i thjeshtë, që ishte i detyruar të zbatonte urdhrat e lëshuara nga superiorët e tij. Konkluzioni i vetëm ku mund të arrihet është se Goronja kishte qëllimin të mbijetonte. Konteksti i përgjithshëm mund të jetë i rëndësishëm në gjyqin e zyrtarëve të nivelit të lartë”, tha Pavlovic.
Avokati mbrojtës analizoi statusin e të burgosurve në fermën në Branjevë, si dhe dëshminë e dhënë nga dëshmitari Z-1, duke thënë se nuk ishte autentike.
“Klienti im e kuptoi se të burgosurit e luftës po mbaheshin në Branjevë. Qëlloi personat duke menduar si ishin të burgosur lufte. Kur kuptoi se e kishte gabim, u përpoq të arratisej, por u dërgua prapë në detyrë”, tha Pavlovic.
Avokati mbrojtës theksoi se Goronja “u përpoq të arratisej dy herë nga Branjeva”.
Prokuroria më parë i ka kërkuar gjykatës t’i shpallë të katër të pandehurit fajtorë për gjenocid dhe t’i dënojë me një total prej 115 vitesh burgim. Avokatët mbrojtës të Kosit, Kojicit dhe Golijanit pranuan se të pandehurit morën pjesë në vrasjet, por mohuan se ato ishin bërë me plan për gjenocid.