Lajm 14 Jun 12

Ushtria Serbe e Dinte për Njësinë që Fshehu Mladicin

Dëshmitari thotë se  të gjithë zyrtarët e lartë të Ushtrisë Serbe e dinin për ekzistencën e një njësie që dyshohet se mbronte Ratko Mladicin, ish-komandantin serb të Bosnjës.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Një oficer i ushtrisë serbe, Marjan Mircevski, dëshmoi të mërkurën në gjyqin kundër bashkëpunëtorëve të Mladicit, se një nga të akuzuarit, Blagoje Govedarica, ish anëtar i ushtrisë serbe, ka raportuar rregullisht te superiorët e tij për çështjet e Qendrës së 30-të të Personelit të Ushtrisë Jugosllave, të vendosur në barakat ushtarake në Topcider.

“Të gjithë oficerët e Njësisë së parë të Komandës së ushtrisë serbe e dinin për qendrën, dhe jo vetëm oficerët, por edhe shumë persona që punonin në barakat në Topcider e dinin për këtë gjithashtu”, tha Mircevski.

Qendra e 30-të e Personelit ishte një njësi e përbërë nga ish-anëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska, që dyshohej se ofronte detajet e sigurisë për Mladicin. Qendra u shpërbë më 31 mars 2002, dy vjet pasi Miloshevici u largua nga pushteti.

Govedarica kishte për detyrë të sillte furnizimin me ushqim për Qendrën, të cilin po e merrte nga ushtria serbe, dhe Mircevski ishte oficeri ndërlidhës.

Mircevski tha se Govedarica po bënte çdo gjë sipas ligjit dhe se “nëse do të kishte refuzuar një urdhër të tillë, do të ishte dërguar në gjykatën ushtarake”.

Sipas Mircevskit, ushtria  serbe ndaloi së furnizuari me ushqim, kur njësia u mbyll në 2002.

Më parë, Govedarica dëshmoi se ishte në fund të zinxhirit komandues dhe se merrte urdhra nga Branislav Puhalo, ish-shefi i ekipit të sigurisë së Ratko Mladicit.

Ka pasur dyshime se Puhalo ka ndihmuar Mladicin kur ishte në arrati, por hetimi u ndal më 2006.

Në seancën e mëparshme dëgjimore të mbajtur më 19 prill, Puhalo dëshmoi se të gjithë liderët e shteteve e dinin që Mladici ishte në Beograd.

Mladici qëndroi në arrati për 16 vjet. U arrestua më 26 maj 2011, në fshatin Lazarevo në Vojvodinë. Aktualisht po gjykohet në Tribunalin e Hagës, i paditur për  11 akuza për krime dhe krime ndaj njerëzimit.

Ky është gjyqi i dytë për dhjetë personat që akuzohen se kanë fshehur Mladicin. Aktgjykimi i vitit 2010 që i liroi, u hodh poshtë dhe rasti u dërgua për rigjykim.

Një nga të akuzuarit, ish-oficeri i ushtrisë jugosllave, Jovo Djogo, që konsiderohet të jetë organizatori, ndërroi jetë gjatë gjyqit të parë.

Kryeprokurori i tanishëm në Tribunalin e Hagës, Serge Brammerz, në raportin e tij të fundit dy vjetor për Këshillin e Sigurisë së OKB-së tha se çështja e fundit midis Serbisë dhe ICTY-së, që është gjetja se kush e ndihmoi Mladicin, ende mbetet e pazgjidhur.

Gjyqi do të vazhdojë më 2 tetor.

blog comments powered by Disqus