Lajm 29 Nov 12

Tribunali i Hagës Liron Haradinajn

Tribunali i Hagës, ICTY, ka dhënë aktgjykim si jo-fajtorë në rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy komandantëve të tjerë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë

Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, dhe dy bashkë të pandehurit Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj u liruan nga të gjitha akuzat se kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, në fund të viteve 1990-të.

Rreth 100 persona u mblodhën në shi për të ndjekur aktgjykimin live në ekran të madh.

Qeveria e Kosovës i mirëpriti lirimet. Në një deklaratë për shtyp, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e përshkroi aktgjykimin si të drejtë.

“Ky aktgjykim është prova më e fuqishme se Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi një luftë të drejtë për liri dhe nuk ka bërë krime për të cilat është akuzuar në mënyrë të padrejtë. Kjo është vërtetuar sot nga Tribunali i Hagës dhe do të vërtetohet sërish në rastin e Fatmir Limajt dhe shokëve të tij”, lexohet në deklaratën për shtyp.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se është e lumtur që “z. Haradinaj po kthehet pranë familjes së tij dhe në Kosovë për të vazhduar duke kontribuar, konsoliduar the fuqizuar më tej proceset demokratike nëpër të cilat vendi po kalon”.

“Vendimi i Tribunalit të Hagës…është provë se lufta jonë ishte e drejtë dhe se ata që udhëhoqën luftën për liri nuk janë fajtorë për krimet për të cilat ishin akuzuar”, shtoi ajo.

Haradinaj do të Kthehet në Kosovë Sonte

Avokati i Haradinajt, Ben Emmerson, deklaroi se Haradinaj do të kthehet në Kosovë sonte.

“Me pëlqimin e popullit, së shpejti ai do të rimarrë pozitën që i takon si lideri politik i vendit, duke udhëhequr një qeveri që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Emmerson kërkoi gjithashtu që ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, të kërkojë falje.

“Ajo duket të kërkojë falje për përgjegjësinë e saj, tërësisht personale për vendimin për të lëshuar këtë aktakuzë pa prova për të justifikuar vendimin e saj”.

“Ajo duhej ta kishte ditur se vendimi për të paditur Ramushit i shërbeu interesave politikë të nacionalistëve ekstremë në Serbi, duke e privuar Kosovën në lideri politik më efektiv gjatë periudhës kyç të tranzicionit në pavarësi”.

Trupi Gjykues vendosi se prokuroria nuk ka vërtetuar asnjë nga pikat në aktpadi përfshirë se të pandehurit ishin pjesë e një aksioni të përbashkët kriminal, për të vënë Kosovën perëndimore nën kontrollin e UÇK-së përmes kampeve të burgimit.

Prokurorët kishin hedhur akuza se të pandehurit kishin torturuar dhe vrarë serbët etnikë dhe shqiptarët që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me serbët, në një kamp të UÇK-së në Jablanicë në vitin 1998.

“Duke konsideruar të gjitha provat rrethanore të paraqitura për të vërtetuar ekzistencën e një aksioni të përbashkët kriminal në aktpadi, trupi gjykues vendos se nuk është vërtetuar qëllim i përbashkët për këtë”, tha gjyqtari kryesues Bakone Justice Moloto, gjatë shpjegimit të aktgjykimit.

Gjykata e apelit i liroi Haradinajn dhe Balajn nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit pas një gjyqi trevjeçar në vitin 2008. Brahimaj u dënua me 6 vite për trajtim mizor dhe tortura.

Streets of Pristina I Photo by Beta

Në vitin 2010, Dhoma e Apelit vendosi se dëshmitarët ishin shantazhuar dhe se prokurorisë nuk i ishte dhënë shansi për të marrë në pyetje dy dëshmitarë kyç dhe e dërgoi rastin për rigjykim të pjesshëm.

Pas aktgjykimit të sotëm, të tre burrat u liruan nga paraburgimi në Tribunalin e Hagës dhe pritet të kthehen në Kosovë, ku do të priten si heronj.

Në sheshin kryesor “Nëna Terezë” në Prishtinë, rreth 100 persona u mblodhën në shi për të parë aktgjykimin live në ekran. Hare dhe të shtëna armësh u dëgjuan, kur gjyqtari lexoi aktgjykimin.

“Nuk kam qenë kurrë më i lumtur në jetën time. Ramush Haradinaj është legjendë e gjallë. Nuk mund të përshkruaj se sa i lumtur jam”, tha Shefki Arifi, një nga personat e mbledhur në sheshin “Nëna Terezë”.

“Edhe një herë është vërtetuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se Ramush Haradinaj kishte të drejtë”, tha Labinot Luraj, që po qëndronte në shi për të parë dhënien e aktgjykimit në shesh.

Lirimi i Haradinajt dhe dy komandantëve të tjerë të UÇK-së është pritur me inat në Serbi.

Presidenti Tomislav Nikolic tha në një deklaratë se Tribunali i Hagës është krijuar "për të gjykuar popullin serb".

Milivoje Mihajlovic, zëdhënës i qeverisë serbe, thotë se aktgjykimi nuk erdhi si habi.

“Nuk isha i habitur. Kjo është ditë e vështirë për drejtësinë ndërkombëtare dhe kompromenton rëndë punën tonë me ICTY-n”, tha Mihajlovic, duke shtuar se “është skandaloze se komuniteti ndërkombëtar mbeti i shurdhët për vrasjen e 19 dëshmitarëve”.

Pas lirimit të fundit të dy gjeneralëve kroatë nga akuzat për krime gjatë operacionit ushtarak kroat “Stuhia” [“Oluja”], shumë serbë ndejnë se Tribunali I Hagës nuk merr vendime të drejta për krimet e luftës të kryera kundër tyre gjatë luftrave të viteve 1990.

Photo by Beta
Photo by Beta
Photo by Beta
blog comments powered by Disqus