Lajm 04 Dec 12

Tribunali i Hagës do të Japë Aktgjykimin për Krimet në Visegrad

Tribunali i Hagës pritet të marrë një vendim për apelin e prokurorisë dhe mbrojtjes të dy serbëve të Bosnjës, Milan dhe Sredoje Lukic, që janë dënuar për krime në qytetin Visegrad në Bosnjës lindore, në vitin 1992.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Kushurinjtë Lukic u shpallën fajtorë në korrik të vitit 2009 se kanë marrë pjesë në vrasje, zhdukje dhe dëbim të civilëve boshnjakë. 

Milan Lukic u dënua me burgim të përjetshëm dhe Sredoje Lukic me 30 vjet burgim, por ky aktgjykim u apelua nga prokuroria e Hagës dhe ekipet mbrojtëse.

Milan Lukic u shpall fajtor për një nga masakrat më të njohura në vitin 1992, kur 120 gra, fëmijë dhe të moshuar në rrugën “Pionirska” dhe lagjen Bikavac në Visegrad u dogjën të gjallë, më 14 dhe 27 qershor.

Trupi Gjykues përshkroi se djegia e 59 civilëve në një shtëpi në rrugën “Pionirska” dhe pastaj të paktën 60 civilë në lagjen Bikavac si “aktet më të rënda çnjerëzore”.

“Zjarret në Rrugën Pionirska dhe Bikavac janë shembuj të akteve më të këqija çnjerëzore që një person mund t’iu shkaktojë të tjerëve dhe janë në historinë e gjatë dhe të trishtuar të çnjerëzimit  që njeriu tregon për njeriun”, tha gjyqtari kryesues, Patrick Robinson.

Milan Lukic u shpall fajtor gjithashtu për vrasjen e 12 civilëve në bregun e lumit Drina në qershor të vitit 1992 dhe abuzim të të burgosurve në kampin e burgimit Uzamnica.

Sredoje Lukic u shpall fajtor për pjesëmarrje në djegien në rrugën “Pionirska” dhe abuzim të të burgosurve në kampin “Uzamnica”.

Milan Lukic ishte lider i njësisë paramilitare të njohur si “Gjakmarrësit” ose “Shqiponjat e Bardha”. Kushëriri i tij Sredoje, i cili ishte anëtar i njësisë paramilitare, ishte oficer policie. 

Trupi Gjykues tha në vendi se formacionet paramilitare serbe të Bosnjës ishin përgjegjëse për vrasje dhe zhdukje të boshnjakëve në pranverë të vitit 1992. 

“Pasi Armata Popullore Jugosllave u largua, pati një rritje të uslmeve kundër popullatës joserbe, përfshirë vrasje, zhdukje, abuzim dhe shkatërrim të pronës. Këto sulme u bënë nga grupe paramilitare që vepruan në Visegrad me ndihmën e autoriteteve serbe të Bosnjës. Numri i sulmeve dhe zhdukjeve arriti kulmin në maj dhe qershor të vitit 1992”, tha trupi gjykues. 

Aktpadia kundër kushërinjve të Lukicit u ngrit në vitin 1998, por u arrestuan të dy në 2005.

Gjyqi filloi në korrik të vitit 2008 dhe përfundoi një vit më vonë.

blog comments powered by Disqus