Lajm 12 Jan 18

Thirrje presidenti të Maqedonisë të vërë veton kundër ligjit të gjuhës

Kundërshtarë nacionalistë të ligjit të ri që shtrin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë Maqedoninë i kanë bërë thirrje presidentit të vendit të përpiqet ta bllokojë atë.

Sinisa Jakov Marusic
BIRN
Shkup
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov la të kuptohej gjatë fjalimit të Vitit të Ri se ai mund të vendosë veton për ligjin e gjuhës. Foto: MIA

Akademikë maqedonas, organizata nga diaspora dhe opozita politike e krahut të djathtë i kanë bërë thirrje presidentit të përdorë veton ndaj një ligji të ri kundër gjuhës të miratuar të enjten, duke këmbëngulur se projektligji është antikushtetues dhe kundër interesit kombëtar.

Anëtarë të shquar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, MANU, Katica Kjulafkova, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Simona Gruevska-Madzoska, në një letër të hapur, pohuan se projektligji vë në rrezik statusin kushtetues të gjuhës maqedonase duke futur dygjuhësinë dhe një formë identiteti bi-kombëtar.

"Është koha që presidenti Gjorge Ivanov të përdorë të drejtën e vetos të paktën një herë, jo për të treguar pushtetin e tij, por në emër të sundimit të ligjit,” shkruan tre profesorët, të gjithë kundërshtarët e njohur të projektligjit të ri.

Kabineti presidencial të premten tha se presidenti Gjorge Ivanov e kishte marrë projektligjin. Ai ka shtatë ditë kohë për të vendosur nëse do ta nënshkruajë apo jo.

Nëse ai zgjedh të mos e firmosë, parlamenti mund të votojë edhe një herë për ligjin dhe, nëse deputetët e miratojnë atë përsëri, ai do të bëhet ligj, pavarësisht nëse presidenti e nënshkruan apo jo atë.

Në këtë rast, e vetmja mënyrë për të anuluar projektligjin, ose disa nga dispozitat e tij, do të ishte përmes ankesës në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri në parlament, Ivanov, i cili u emërua nën qeverinë e fundit të krahut të djathtë, la të kuptohet se ai mund të vendosë veton ndaj ligjit.

"Ligji për gjuhët nuk është një kërcënim për gjuhën maqedonase, por vë në rrezik unitetin e vendit. Ky projektligj shkel ligjin më të madh në vend, kushtetutën," u shpreh ai.

Ligji, i miratuar të enjten, shtrin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin, në të cilin shqiptarët etnikë përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme prej 2.1 milionë banorësh, duke lehtësuar kështu komunikimin në gjuhën shqipe me institucione si komunat, spitalet dhe gjykatat.

Ligji i mëparshëm gjithashtu e përcaktonte gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por i dha këtë status vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë lokale.

Ligji i ri parashikon formimin e një agjencie të posaçme për të monitoruar përdorimin e gjuhëve nga institucionet. Kjo duhet të zgjidhë një nga problemet më të mëdha me ligjin e kaluar, i cili shpesh e linte në dorë të ekipeve të komunave dhe atyre menaxhuese të vendosnin për këtë çështje.

Një organizatë maqedonase, Diaspora e Bashkuar e Maqedonisë, OMD, gjithashtu i bëri thirrje presidentit për të kundërshtuar ligjin.

Ligji i ri "e shtyn vendin një hap më pranë të qenit një shteti federal, duke vënë në rrezik integritetin unitar dhe territorial të Maqedonisë", shkroi OMD.

Partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE, deputetët e të cilës mungonin në parlamenti gjatë votimit, ndërkohë e ka quajtur ligjin antikushtetues.

"Ligji për dygjuhësinë nuk kontribuon drejt përmirësimit real të të drejtave të komunitetit shqiptar. Përkundrazi, ai e thellon mosmarrëveshjen. Ai do të krijojë kaos në rendin ligjor dhe paralelizmin në institucione," tha VMRO DPMNE.

Megjithatë, Bashkimi Social Demokrat, SDSM, e ka mbrojtur ligjin.

"Reagimet e VMRO DPMNE-së janë frikacake dhe të pabaza. Nëse ata do të kishin argumente, deputetët e VMRO DPMNE-së mund t'i kishin mbrojtur ato në parlament, në vend që të iknin," u përgjigjen social demokratët, duke iu referuar bojkotit të opozitës.

Kryeministri i ri i qendrës së majtë të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili u zgjodh në maj, u zotua se do ta miratonte ligjin, pasi ra dakord për t’i bërë këto ndryshime në bisedimet me partitë partnere etnike shqiptare.

Miratimi i ligjit është mirëpritur në Shqipërinë fqinje dhe në Kosovë si një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjeve ndëretnike të mbetura në Maqedoni.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Sfond

fshihen-të-drejtat-e-minoritetit-serb-në-kroaci-09-02-2015

‘Fshihen’ të drejtat e minoritetit serb në Kroaci

Analistët pohojnë se përgjigja e heshtur ndaj vendimit të qytetit kroat të Vukovarit për të hequr tabelat dygjuhëshe, me shkronja latine dhe cirilike serbe, tregojnë se BE-ja e ka humbur fokusin e saj ndaj të drejtave të pakicave.

Disidenti kroat kishte frikë se mos rrëmbehej nga spiunët Jugosllavë

Gjyqi i Zdravko Mustac dhe Josip Perkovic, ish shefa të spiunazhit jugosllav të akuzuar për vrasjen e një emigranti kroat, dëgjoi se viktima në mënyrë të përsëritur i tha të dashurës gjermane se ai po jetonte me frikë.

Veteranët kroatë të luftës organizojnë protestë të re kundër alfabetit cirilik

Aktivistët në Vukovar vendosën letra ngjitëse të mëdha me flamuj kroatë mbi tabelat me germa cirilike nëpër ndërtesat publike duke rigjallëruar protestat pasi përpjekjet e tyre për referendum kombëtar mbi çështjen dështuan.

Gjyqësori serb ende i ndikuar nga qeveria, anketa nxjerr në pah

Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Serbi nuk besojnë se sistemi është i fuqishëm sa duhet për t’i marrë vendimet e tij në mënyrë të pavarur, një anketë e re nxjerr në pah.

Buletini ditor