Lajm 30 Aug 12

Të Dyja Palët të Papërgatitura për Gjyqin e Bojadzicit

Gjyqi i ish-ushtarit të ushtrisë boshnjake për krime të kryera në Jablanicë, filloi nga fillimi me leximin e dy aktpadive, pasi gjykata boshnjake vendosi të bashkojë të dy rastet.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Prokuroria vuri bashkë dy aktpaditë kundër Nihad Bojadzicit për krime kundër civilëve kroatë dhe serbë të Bosnjës, si dhe të burgosurve të luftës, të kryera në Jablanicë në vitin 1993,  

Enida Hadziomerovic, gjyqtarja kryesuese e Trupit Gjykues, tha se gjykata ka vendosur t’i bashkojë të dyja rastet, duke qenë se është i njëjti i pandehur dhe i njëjti rajon dhe se në fund do të jepet një aktgjykim i vetëm.

Argumentet hyrëse nga prokuroria dhe avokatja mbrojtëse nuk u prezantuan, duke qenë se të dyja palët nuk ishin gati.

Prokurorja Ozrenka Neskovic tha se nuk ishte gati duke qenë se mendoi se do të ishte konferencë statusore, ndërsa avokatja mbrojtëse, Vasvija Vidovic, theksoi se nuk ishte plotësisht e përgatitur për fillimin e gjyqit, sepse ende nuk ka marrë të gjitha provat nga prokuroria.

“Prokuroria thjesht po injoron të gjitha kërkesat nga pala mbrojtëse. Nuk jemi të përgatitur për gjyqin, sepse nuk kemi parë të gjitha dokumentet. Besojmë gjithashtu se është e pamundur që i pandehuri është gati fizikisht dhe mendërisht për këtë gjyq, ndërsa është edhe një proces tjetër që po mbahet kundër tij”, tha Vidovic.

Trupi Gjykues udhëzoi prokuroren dhe avokaten mbrojtëse të krijojnë një “katalog provash” në shtatë ditët në vijim, kështu që problemet të mund të zgjidhen dhe të fillojë prezantimi i provave.

“Për sa i përket kërkesës së dytë që gjyqi të mos fillojë deri sa të përfundojë procesit tjetër, Trupi Gjykues e ka diskutuar çështjen dhe ka vendosur se do të ishte më mirë që gjyqi të vazhdojë, por më ngadalë, me një seancë në dy javë”, tha gjyqtarja Hadziomerovic.

Bojadzic, ish-zëvendëskomandant i Detashmentit “Zulfikar” për Operacione Speciale me seli në Ushtrinë e Bosnjë dhe Hercegovinës, po gjykohet bashkë me pesë anëtarë të tjerë të ushtrisë së Bosnjës, për vrasjen e 22 personave në fshatin Trusinë, në prill të vitit 1993. Gjyqi filloi në vitin 2010.

Këtë vit, dhe në fund të vitit të shkuar, prokurorja paraqiti dy aktpadi kundër Bojadzicit, duke e akuzuar për krime ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës në spital dhe në ndërtesat e tjera në Jablanicë.

Bojadzici është mbajtur në paraburgim që nga viti 2009.

Gjyqi do të vazhdojë më 13 shtator, kur do të prezantohen argumentet hyrëse dhe do të thirret gjithashtu dëshmitari i parë i prokurorisë.

blog comments powered by Disqus