Lajm 15 Jun 12

Srebrenica: 142 Vjet Burg për Krimet në Branjevë

Ish-ushtarët serbë të Bosnjës, Franc Kos, Stanko Kojic, Vlastimir Golijan dhe Zoran Goronja, u dënuan me një total prej 142 vitesh burgim për rolin e tyre në masakrën e Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Selma Ucanbarlic
BIRN
Sarajevë

Stanko Kojici është dënuar me 43 vjet, Franc Kos dhe Zoran Goronja me 40 vjet secili, dhe Vlastimir Golijan me 19 vjet.

“Si anëtarë të Njësisë së 10-të të Sabotazhit në Selin- e Ushtrisë së Republikës Srpska, më 16 korrik 1995, ekzekutuan rreth 800 burra në fermën në Branjevë, afër qytetit te Zvornikut”, thuhet në gjykimin e shkallës së parë.
 
Trupi Gjykues refuzoi akuzat për gjenocid, sepse besojnë se prokuroria nuk vërtetoi se të akuzuarit kishin qëllimin për gjenocid.

“Në bazë të provave të paraqitura, Trupi Gjykues arriti në përfundimin se ata kryen krime ndaj njerëzimit. Nuk mund të shpalleshin fajtor për ndihmesë në gjenocid”, tha Mira Smajlovic, gjyqtarja kryesuese e Trupit Gjykues, gjatë shpjegimit të aktgjykimit.

Smajlovici tha se Golijani mori dënim më të shkurtër, sepse ishte i mitur në luftë, dhe në kohën e masakrës ishte më i ri se 21 vjeç.

Duke shpjeguar aktgjykimin, Trupi Gjykues tha se ekipet mbrojtëse, gjatë seancës dëgjimore, janë përpjekur të vërtetojnë se të pandehurit e kanë kundërshtuar ekzekutimin e grupit të burrave në fermën në Branjevë, por se ato deklarata nuk patën mbështetje me prova.

“Të akuzuarit ekzekutuan me gjakftohtësi, dhe gjatë ekzekutimit kanë bërë pushime për të ngrënë dhe pinë birra në fushën e mbushur me trupa të vdekur ndërsa burrat e tjerë prisnin të ekzekutoheshin”, tha Smajlovici.

Trupi Gjykues tha se Kos dhe Kojici “kontrollonin” nëse burrat e ekzekutuar ishin vërtet të vdekur, duke i gjuajtur me një plumb në kokë.

Sipas aktpadisë, Kos ishte komandanti i Togës së Parë të Njësisë së 10-të të Sabotazhit në ushtrinë serbe të Bosnjës, ndërsa Kojici, Golijani dhe Goronja ishin anëtarë të njësisë.
Njësia ishte e formuar nga ish-kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, gjenerali Ratko Mladic, në vitin 1994, si një skuadër e specializuar për zbulim dhe diversion.

Sipas “Dosjes së Detashmentit të 10-të të Sabotazhit të Ushtrisë së Republika Srpska”, e përpiluar nga Qendra e të Drejtës Humanitare, OJQ për të drejtat e njeriut në Beograd, kjo njësi ka marrë pjesë në dy ekzekutime masive në Srebrenicë në 1995.

Trupi Gjykues i Gjykatës së Shtetit në Bosnjë arriti në përfundimin se anëtarët e Njësisë së 10-të të Sabotazhit morën pjesë në dy sulme në Srebrenicë, para ngjarjeve në fermën ushtarake në Branjevë.

“Më 11 korrik 1995, anëtarë të njësisë hynë në Srebrenicë me komandantin e tyre, Milorad Pelemis, ku kërkuan shtëpi dhe e drejtuan popullatën drejt Potocarit. Atë ditë, një anëtar i njësisë i preu fytin një personi nën urdhrin e Milorad Pelemishit”, tha Smajlovici.

Një urdhërarrest ndërkombëtar është lëshuar për arrestimin e Milorad Pelemishit.

Është e mundshme që ky gjykim të apelohet në Dhomën e Apelilt në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

blog comments powered by Disqus