Zgjerimi i mundshëm i kompetencave të shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës mund të minojë të tre etnitë, thotë një nga krijuesit e Marrëveshjes së Daytonit, që themeloi Bosnjën moderne.
![]() |
| Liderët duke firmosur Marrëveshjen e Daytonit I Foto nga Wikicommons |
Balsa Spadijer, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese Serbe dhe këshilltar i delegacionit serb që negocioi Marrëveshjen e Paqes në Dayton, tani profesor universitetit në pension, 17 vjet pas firmosjes së Marrëveshjes, thotë se ishte zgjidhja më e mirë e mundshme në atë kohë, por se asnjë nga palët nuk ishte e kënaqur me marrëveshjen e arritur.
“Ideja fillestare e Serbisë ishte që Bosnja të kishte dy etni - ajo serbe me 51% të territorit dhe ajo boshnjake me 46%. Sidoqoftë, boshnjakët, me mbështetje nga SHBA-ja, e kundërshtuan planin, duke e vlerësuar si të papranueshëm. Besonin se kjo do të çonte në ndarjen e Bosnjës”, thotë Spadijer.
Nevoja urgjente për një marrëveshje paqeje, në mes të horroreve të luftërave në Ballkan u kuptua nga Grupi i Kontaktit, që i ka ndjekur ngjarjet në Ballkan që nga fillimi i viteve 1990-të. Ky grup përbëhej nga vende me “influencë”, si Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.
|
Parimet kyç të Marrëveshjes së Daytonit: Marrëveshja e Paqes në Dayton, DPA, përmban 11 anekse në lidhje me aspektet ushtarake, politike dhe civile të vendosjes së paqes, si dhe ato të stabilizimit rajonal. Marrëveshja e krijoi Bosnjën si shtet sovran të përbërë nga dy etni autonome - federata myslimane - kroate, e quajtur Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe një etni pak më e vogël e drejtuar nga serbët e Bosnjës, e quajtur Republika Srpska. DPA-ja e detyroi Bosnjën, Kroacinë dhe Jugosllavinë e asaj kohe, të respektonin njësoj sovranitetin e njëra-tjetrës, dhe të zgjidhnin konfliktet me mjete paqësore. Duke firmosur Marrëveshjet, palët ndërmorën angazhimin për të respektuar të drejtat e njeriut, si dhe të drejtat e refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Më tej u pajtuan të koordinonin plotësisht me të gjitha etnitë dhe organizatat relevante për implementimin e vendosjes së paqes dhe hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës dhe dhunimeve të tjera të ligjit humanitar ndërkombëtar. Një ditë pas nënshkrimit zyrtar të DPA-së në Paris, Këshilli i Sigurisë së OKB-së nxori Rezolutën 1031, duke i dhënë NATO-s mandatin për të implementuar aspektet ushtarake të Marrëveshjes. Më 20 dhjetor 1995, një forcë shumëkombëshe prej 60,000 vetash e NATO-s, e quajtur Forca e implementimit, iFOR, u dërgua në Bosnjë. iFOR, të cilit iu dha mandat njëvjeçar, u zëvendësua në dhjetor të vitit 1996 nga Forca e Stabilizimit (SFOR). Fillimisht me 32,000 trupa, SFOR-i u ul në numër me kalimin e kohës deri në 7,000 trupa. Në dhjetor të vitit 2004, misioni për të implementuar aspektet ushtarake i kaloi forcës së drejtuar nga Bashkimi Europian, EUFOR. Implementimi i aspekteve civile të DPA-së iu caktua Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Duke operuar nën mandatin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Përfaqësuesi i Lartë shërben si i dërguari i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, dhe ka fuqi që përfshijnë autoritetin për të pushuar zyrtarë dhe vendosë ligje. Detyrat e tij përfshijë lehtësimin dhe koordinimin e aktiviteteve të organizatave dhe agjencive të përfshira në aspektet civile të vendosjes së paqes. |
Spadijer kujton se qëllimi i Grupit të Krizës ishte të evitonte aksionin ushtarak të NATO-s, duke thënë se mbarimin e luftës nuk e donin vetëm vendet perëndimore, por edhe vendet e Ballkanit, veçanërisht Serbia, që po haseshin me vështirësitë e mëdha ekonomike të shkaktuara nga sanksionet.
“Serbia donte të tërhiqej nga lufta me këtë marrëveshje. Nuk kishte më para, sanksionet ishin ende në vend, ekonomia ishte shkatërruar, kështu që Miloshevici donte t’i ndalonte përgjithnjë ngjarjet në Bosnjë”, shpjegon ai.
“Por Miloshevici nuk mund ta kontrollonte situatën në qytetin Pale, kryeqyteti jozyrtar i serbëve të Bosnjës gjatë luftës. SHBA-ja e dinte për këtë situatë, dhe për këtë arsye kërkoi që Radovan Karadzici [presidenti i vetëdeklaruar i Republikës Srpska] të lihej jashtë nga negociatat”, shtoi Spadijer.
Pjesëmarrësit në konferencën e Daytonit, që zgjati për njëzet ditë, ishin presidenti serb, Slobodan Milosevic, që përfaqësonte gjithashtu pjesën serbe të Bosnjës, presidenti kroat Franjo Tudjman, presidenti boshnjak Alija Izetbegovic dhe ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, Muhamed Sacirbey.
Nga ana e ndërkombëtarëve, konferenca e paqes u drejtua nga sekretari i Shteti amerikan, Warren Christopher dhe negociatori Richard Holbrooke me dy bashkudhëheqësit - përfaqësuesi Special i BE-së Carl Bildt dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Rus, Igor Ivanov.
“Kur arritëm në Dayton, pamë që loja udhëhiqej nga SHBA-ja, dhe se fjala e tyre do të ishte përfundimtare. Kështu që Serbia duhej të pakësonte kërkesat e saj, për të ruajtur etninë serbe,” tha Spadijer.
“Kishim një kërkesë nga e cila nuk donim të tërhiqeshim dhe kjo ishte që secila anë të kishte të drejtën e vetos për vendimet e shtetit të ardhshëm. Po përkrahja fuqishëm që të gjitha vendimet të bëheshin bashkërisht,” shpjegon ai.
![]() |
| Bosnja dhe Hercegovina para firmosjes së Marrëveshjes së Daytonit I Foto nga Wikicommons |
Pasi marrëveshja u arrit, liderët serbë të Bosnjës thanë se ishte e imponuar dhe e padrejtë ndaj serbëve, gjë që më vonë i thelloi ndarjet ekzistuese midis liderëve në Banjallukë dhe Beograd.
Ratko Mladici, ish-gjenerali i ushtrisë serbe të Bosnjës, tani i akuzuar për gjenocid në ICTY, pothuajse qau.
Sidoqoftë, profesor Spadijer beson se serbët morën mjaftueshëm, duke shtuar se kërkesat nga serbët e Bosnjës ishin jorealiste në atë kohë.
“Nuk duhet të harrojmë faktin se ushtra boshnjake ishte shumë afër kryeqytetit të tanishëm të entitetit serb të Bosnjës, në Banjallukë, pikërisht para se të fillonin negociatat në Dayton, dhe nëse nuk ishin bërë këto negociata, qyteti do të kishte rënë në duart e boshnjakëve”, shpjegoi ai.
![]() |
| Bosnja dhe Hercegovina pas Marrëveshjes së Daytonit I Foto nga Wikicommons |
Edhe pse Miloshevici besonte se sanksionet do të hiqeshin pas Marrëveshjes, ato vetëm u pezulluan përkohësisht.
Spadijer beson se pozita e Miloshevicit në komunitetin ndërkombëtar, ishte e favorshme në vitin 1995, dhe nëse do të kishte vepruar në mënyrë të mençur mund ta kishte parandaluar shkëputjen e Kosovës.
“E paralajmërova që politikat nacionaliste dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve nuk do të ishin të mundshme në mënyrë afatgjate dhe se duheshin ndryshuar, por ai ishte këmbëngulës në politikat e tij e mbajtjes së shqiptarëve jashtë proceseve”.
“Dhe pastaj cdo gjë doli jashtë kontrolli, dhe Serbia u has me konflikt përsëri,” tha Spadijer.
Marrëveshja e Daytonit është kritikuar shpesh sepse krijoi institucione të dobëta qendrore dhe varësi në qeverisje ndërkombëtare. Kritikët e DPA-së e përshkruajnë Bosnjën si vend që ende nuk funksionin si shtet, dhe i paqëndrueshëm në të ardhmen.
Sidoqoftë, për Spadijerin, në kohën që u bë, Marrëveshja e Paqes në Dayton ishte një sukses.
“Ka arritur qëllimin e menjëhershëm që ishte ndalja e gjakderdhjes në Bosnjë dhe rivendosja e paqes”, përfundon ai.
This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.
Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.
If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us