Doktori turk në qendër të dyshimeve për trafikim organesh ka dërguar avokatin e tij në gjykatë në Prishtinë për të ofruar bashkëpunim në rastin Medicus.
Yusuf Sonmez, kirurg, është gati të dëshmojë përmes një video-linku nga Turqia për të vërtetuar pafajësinë e tij, tha për BIRN-in avokati i tij, Murat Sofuoglu.
“Ai nuk ka vrarë dhe as nuk ka lënduar askënd, ia ka dedikuar jetën e tij duke ndihmuar njerëz. Mund të konfirmojë që ai ka bërë operacionet, por ky nuk ishte krim, duke qenë se kishte një letër nga Ministria e Shëndetit që konfirmonte licencën e Medicus-it për të bërë transplantimet”, tha Sofuoglu.
Rasti Medicus përfshin dyshime se një grup personash ka sjellë donatorë të varfër dhe marrës të pasur në një klinikë në Kosovë, dhe pastaj ka organizuar dhe bërë transplantimet e veshkave.
Shtatë shqiptarë të Kosovës dhe dy të huaj, një nga të cilët është Sonmezi, janë akuzuar për trafikim qeniesh njerëzore, krim të organizuar dhe aktivitetet të paligjshme mjekësore. Akuza përfshin organizatorin e dyshuar, profesorin e universitetit dhe pronar i klinikës, Lutfi Dervishi.
Sipas dyshimeve, njerëz të varfër nga lagjet e Stambollit, Moskës, Moldavisë dhe Kazakistanit janë joshur me premtimin false se do të merrnin deri në 15,000 euro për organet e tyre. Sipas aktpadisë, 30 operacione për transplantim veshkash janë bërë në klinikën Medicus.
Klinika Medicus, jashtë Prishtinës, është e lidhur edhe me raportin e dhjetorit të 2010 të Këshillit të Evropës që akuzon anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se kanë shitur organe të të burgosurve, gjatë konfliktit të vitit 1999.
Gjatë seancës dëgjimore të enjten, prokurori i Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, Jonathan Ratel, tha se planifikuesi kryesor pas rrjetit të trafikimit të organeve, Moshe Harel, një qytetar izraelit, është arrestuar nga autoritetet izraelite.
“10 persona u arrestuan në Izrael, në lidhje me rastin, midis tyre është Moshe Harel”, tha Ratel, duke shtuar se ka filluar procedurat e ekstradimit për ta sjellur të dyshuarin në Kosovë.
Harel është akuzuar për trafikim qeniesh njerëzore dhe krim të organizuar.
Avokati i Sonmezit është përpjekur të marrë pjesë në seancën dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë të mërkurën, por u urdhërua të largohej nga dhoma e gjyqit nga gjyqtari kryesues Arakdiusz Sedek, duke qenë se gjyqtari i EULEX-it vlerësoi se avokati “mund të merrte informacion të vlefshëm”.
“Kjo nuk do të ndodhte kurrë në një gjykatë europiane. Është kundër të drejtave të njeriut, dhe dhunon pavarësinë e gjykatave”, tha Sofuoglu.
Kjo tregon se gjyqtari ka paragjykime ndaj klientit tim dhe do ta këshillojë [Yusuf Sonmez] mos të vijë këtu, sepse besoj se gjykata është e anshme”, shtoi ai.
Sonmez, me nofkën “Doktori Vampir” u arrestua në Stamboll në fillim të janarit 2011, dhe u lirua me kusht më vonë. Vitin e shkuar, një prokuror turk kërkoi që Sonmezi të dënohej me 171 vjet burgim për transplantime të paligjshme të bëra në Klinikën Medicus.
Avokati i tij tha për BIRN-in se klienti i tij vazhdon punën në Stamboll, ku dhe jeton.
This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.
Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.
If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us