Ish-polici special Mario Bozic dëshmoi, të martën, në gjyqin për krime lufte në Sisak, se hetoi vrasjen e Ljubica Solarit, vajzë 19-vjeçare në Sisak, në shtator të vitit 1991.
Bozic dëshmoi në gjyqin e Vladimir Milankovicit, zëvendëskomandant i policisë gjatë luftës në zonën e Sisakut dhe Drago Bosnjaku, ish-anëtar i njësisë së policisë speciale të Sisakut “Ujqërit”.
Milankovici akuzohet se ka lejuar, inkurajuar dhe nuk ka hetuar torturat fizike, psikologjike dhe burgimin e paligjshëm si dhe poshtërim të civilëve serbë, në zonën e Sisakut nga korriku i vitit 1991 deri në qershor të 1992-ës.
Ai akuzohet gjithashtu se ka tortuar vetë dhe ka urdhëruar arrestimin e paligjshëm të një numri të madh civilësh serbë nga Sisaku, që rezultoi në vdekjen e 24 personave.
Bosnjaku është paditur për organizimin dhe udhëheqjen e grupit që burgosi dhe torturoi civilët serbë, që dyshohet se ka vrarë tetë persona nga 24 viktimat e përmenduara në aktpadi.
Bozici dëshmoi se natën e 16 shtatorit 1991, Milankovici e dërgoi për të hetuar të shtënat. Pa folur për detaje, Bozici tha se pa një grua duke u vrarë dhe se të shtënat erdhën nga jashtë ndërtesës ku ishte ajo. Në atë kohë, tha ai, nuk e dinte që viktima ishte Ljubica Solar.
Ljubica Solar ishte vajzë 19-vjecare nga Sisaku, vdekja e pashpjeguar e të cilës u bë simbol publik i mosvullnetit të gjyqësorit vendor për të hetuar krimet e luftës të kryera nga forcat kroate në Sisak.
Ljubica ishte në apartamentin e të dashurit të saj atë natë, kur dikush gjuajti nga dritarja, duke e lënë të vrarë. Asnjë hetim i saktë nuk është bërë dhe askush nuk është dënuar.
Por nëna e Ljubicës, Vera, ka bërë fushata për ta mbajtur krimin në sy të publikut. Përpjekjet e saj personale, të mbështetura nga mediat e pavarura dhe OJQ-të e të drejtave të njeriut, kanë qenë përgjegjës për vëmendjen e afërt të BE-së në gjykimin e krimeve të luftës të kryera në Sisaku nga forcat kroate.
Media dhe aktivistë të drejtave të njeriut thonë se më shumë se njëqind civilë serbë të Kroacisë u vranë në Sisak gjatë luftës.
Padia u bë nën presion të fortë nga BE-ja, që në mënyrë jozyrtare la të kuptohet se Kroacia nuk mund të përfundojë anëtarësimin e plotë në BE, derisa krimet në Sisak të hetohen.
Milankovic dhe Bosnjak u arrestuan më 20 qershor të vitit të shkuar, bashkë me Djuro Brodaracin, komandant policie gjatë kohës së luftës në Sisak dhe zyrtar me influencë në ish-partinë qeverisëse, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.
Më 13 korrik 2011, Broadarac vdiq në paraburgim nga një atak në zemër, që përfundoi rastin e tij.
Gjyqi do të vazhdojë të mërkurën.