Hulumtim 23 Dec 13

Si i paguan ish-vendet jugosllave të akuzuarit për krime lufte

Ish-shtetet jugosllave kanë shpenzuar gati 40 milion euro të parasë publike në mbështetje të akuzuarve për krime lufte në gjykatën e Tribunalin e Hagës, zbulon një hetim BIRN-it.

Sase Dimovski, Denis Dzidiq, Josip Ivanoviq, Edona Peci, Marija Ristiq
BIRN
Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Zagreb

Dy vende që kanë shpenzuar më së shumti para publike për të dyshuarit e tyre që gjykoheshin në Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve të luftës për vendet e ish-Jugosllavisë, janë Kroacia, e cila ka shpenzuar mbi 28 milionë euro për tre të akuzuar dhe Maqedonia e cila ka shpenzuar përafërsisht 9.5 milionë euro për dy persona, mëson BIRN.

Konflikti i brendshëm i Maqedonisë me rebelët shqiptarë në vitin 2001 zgjati vetëm gjashtë muaj dhe si rezultat vetëm dy maqedonas u akuzuan nga Tribunali i Hagës, por shteti i varfër i Ballkanit ka shpenzuar miliona në mbrojtjen, mbështetjen dhe lobimin për ish-ministrin e Brendshëm, Lube Boshkoski ( i cili në fund u dënua për krime lufte) dhe policin Johan Tarçullovski ( i cili u lirua pas apelimit të aktgjykimit të parë).

Kroacia, ndërkohë, ka shpenzuar më shumë se 28 milionë euro për shpenzimet e mbrojtjes për tre gjeneralët e saj, Ante Gotovina, Mladen Markaq dhe Ivan Çermak, të cilët në fund u shpallën të pafajshëm dhe u liruan.

Të dyja vendet e bënë politikë shtetërore mbrojtjen e të akuzuarve të tyre nga Tribunali i Hagës dhe shpenzuan shuma të mëdha parash për t'iu ofruar atyre shanset më të mira për tu shpallur të pafajshëm, një përpjekje kjo për të për të mbrojtur heronjtë e tyre të luftës, për të fituar pikë politike në vend dhe për ta parandaluar çdo dëm të mëtejshëm të imazhit të vendit të tyre.

Tri vendet e tjera të ish-Jugosllavisë kanë shpenzuar shuma më të vogla për një numër më të madh të dyshuarve, por shuma e përgjithshme e shpenzuar për oficerët e luftës të cilët u arrestuan dhe u dërguan në gjykatën ndërkombëtare për tu përgjigjur për disa nga krimet më të rënda të kryera në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore megjithatë arrin shumën e 40 milion eurove.

Fonde të dyshimta kanë mbledhur para përmes thirrjeve publike për të ndihmuar të dyshuarit për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë , ndërsa mbetet e paqartë se sa para janë mbledhur saktësisht dhe sa para janë shpenzuar.

Mbrojtja e ‘heronjve’ të luftës

Serbia ka shpenzuar 1.7 milionë euro të parasë publike nga viti 2004-2013 në pagesa personale, fatura të mjekëve dhe shpenzime të udhëtimit për të akuzuarit dhe familjet e tyre por jo edhe në ekipet e tyre mbrojtëse.

Por, Hulumtimi i BIRN-it zbuloi se nga 26 të akuzuarit e paguar nga Beogradi, 18 prej tyre janë zyrtarë ushtarakë serbo-boshnjakë, të cilët kanë shtetësi serbe, përfshirë edhe gjeneralin Ratko Mlladiq-përkundër faktit se Serbia kategorikisht ka mohuar të ketë luajtur rol në luftën e Bosnjës.

Gjithsej 640,000 € ka shpenzuar Bosnje e Hercegovina për të ndihmuar të akuzuarit e saj, por e gjithë shuma erdhi nga pjesa e Bosnjës e udhëhequr nga serbët, Republika Srpska dhe shkoi për të ndihmuar të dyshuarit serbë. Me para janë ndihmuar edhe familjet e të akuzuarve serbë përmes fondit Pomoq (Ndihma), i cili asnjëherë nuk e ka bërë publike se sa para janë mbledhur apo si janë shpenzuar ato.

Duke mos gjetur konsensus politik, subjekti tjetër politik i Bosnjës, Federata boshnjako- kroate nuk ka ndarë asnjë ndihmë për të dyshuarit boshnjakë dhe kroatë, thanë zyrtarët.

Kosova nuk ka shpenzuar asgjë në mbrojtjen e gjashtë të akuzuarve të saj për krime lufte i thanë zyrtarët kosovarë BIRN-it, duke shtuar se vetëm 16.750 € janë shpenzuar për organizimin e një feste mirëseardhëse për të dyshuarit e liruar.

Megjithatë, më shumë se 1,5 milion euro janë mbledhur për të ndihmuar dy ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shndërruar në politikanë, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, përmes thirrjeve publike të cilat mblodhën para në fonde të dyshimta.

As këto fonde nuk bënë publike për donatorët e tyre sa para ishin mbledhur apo si ishin shpenzuar ato. BIRN ka arritur të sigurojë disa shifra të pjesshme përmes dokumenteve të ICTY-së dhe një rast korrupsioni në Prishtinë lidhur menaxhimin e jashtëligjshëm të fondit për Haradinaj.

Në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi, BIRN siguroi të dhëna për këtë hetim nga kërkesat për qasje ne dokumente publike.

Por dy vendet që shpenzuan më së shumti ngurruan të japin të dhëna të plota, ndoshta për shkak të ndjeshmërisë publike rreth shpenzimeve megalomane në këto kohëra të vështira ekonomike për Ballkanin.

Maqedonia nuk ka pranuar të japë asnjë informacion në lidhje me pagesat e saj për të mbështetur dy të akuzuarit e saj në Tribunalin e Hagës dhe llogaritjet e BIRN-it rreth shpenzimeve të Shkupit zyrtar u mblodhën nga intervistat dhe informacionet anonime nga një varg i burimeve zyrtare dhe ligjore brenda vendit, si dhe disa të dhëna të arkivuara.

"Jam përpjekur të marrë të dhënat që mi keni kërkuar, por menjëherë më thanë se këto të dhëna janë rreptësisht konfidenciale dhe nuk duhesha t’i kërkoja " tha një zyrtar maqedonas në kushte anonimiteti për BIRN.

9.5 milionë euro të shpenzuara nga Maqedonia nga viti 2006 deri 2013 përfshijnë 3.5 milionë për avokatët amerikane të kryesuar nga avokati i famshëm amerikan Alan Dershowitz dhe 2.5 milionë për lobim.

Pavarësisht detyrimit ligjor për qasje në dokumente publike, Kroacia nuk ka dhënë të dhëna tjera pos shumës së njohur tani prej 28 milionë eurove të ndara për mbrojtjen e tre gjeneralëve të saj, të cilët u liruan nga akuzat për krime lufte.

Asnjë informacion tjetër nuk është dhënë as për pagesa tjera të mundshme ndaj të akuzuarve kroatë të Bosnjës, të akuzuar për mizori gjatë luftës në Bosnje, të cilët janë gjithashtu qytetarë kroatë. Është ende e paqartë nëse Zagrebi i ka ndihmuar ata apo jo.

Nuk kishte as të dhëna rreth shumë së shpenzuar nga shteti kroat për angazhimin e kompanisë amerikane Patton Boggs për të lobuar në rastin e gjeneralëve.

Fondacioni për të Vërtetën rreth Luftës Atdhetare të Kroacisë, një fond i mbyllur privat i ngritur për të ndihmuar gjeneralët dhe veprimet e tyre gjatë luftës nuk e ka bërë publike xhirollogarinë e saj edhe pse një nga promotorët e tij ka thënë se fondi ka mbledhur 1.1 milionë euro në vitin e parë të themelimit.

Pagesa të motivuara politikisht

Pagesat zyrtare për të ndihmuar të akuzuarit e Hagës shpesh janë përshkruar nga shtetet e tyre si përpjekjeve humanitare për të mbështetur qytetarët në gjykata jashtë vendit.

Megjithatë, këto pagesa janë bërë për arsye politike në radhë të parë thotë Roland Kostiq, ekspert për Ballkan në Universitetin Uppsala në Suedi.

"Gjykimet e Hagës janë parë nga shtetet e ish-Jugosllavisë si luftë për të treguar të vërtetën e tyre dhe çdo shtet e ka parë mundësinë e tij për të provuar se e vërteta e tyre është e drejtë", tha Kostiq.

Sigurimi i fondeve për të dyshuarit për krime lufte, sado megaloman, nuk është i paligjshëm. Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serge Bramertz, i tha BIRN-it se është "çështje e shteteve sovrane të vendosin si duan t’i shpenzojnë paratë e tyre".

Por ai vuri në dukje se shumë viktima të luftërave në ish-Jugosllavi, të cilët shpesh luftojnë për të fituar kompensim nga shtetet e tyre të goditura nga recesioni, shpesh ndjejnë se u është bërë e padrejtë kur shohin se si qeveritë e tyre sigurojnë para për komandantët e luftës.

"E kuptoj zhgënjimin e viktimave të cilat shohin sasinë e parave të investuara në mbrojtjen e kriminelëve potencialë të luftës, shumë nga të cilët janë dënuar më pas", tha Bramertz.

Disqus

blog comments powered by Disqus