Parlamenti i Shqipërisë miratoi një ligj të enjten, duke i dhënë EULEX-it fuqi të gjera për të hetuar dyshimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, mori organe të të burgosurve serbë në Shqipëri.
Drafti u miratua në parlament me votat e mazhorancës qeverisëse të qendrës së djathtë, dhe socialistëve në opozitë.
Ligji do t’i japë fuqi të mëdha Misionit të Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, të thërrasë dëshmitarët dhe të kërkojë vende në Shqipëri, të marrë prova dhe çdo material që mendohet se është i rëndësishëm.
Dick Marty, raportuesi i të drejtave të njeriut në Këshillin e Europës, lëshoi një raport në dhjetor të vitit 2010, duke i lidhur ish-luftëtarët e UÇK-së, duke përfshirë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me krim të organizuar dhe duke i akuzuar për marrje të organeve të të burgosurve serbë dhe të tjerëve në Shqipëri.
Kosova dhe Shqipëria kanë mohuar dyshimet, por kanë rënë dakord të marrin pjesë në hetimin ndërkombëtar në akuzat.
Miratimi i draftit në parlament u mirëprit nga ambasada amerikane në Tiranë, si shenjë e Shqipërisë për përkushtim në vlera europiane.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e mirëpret miratimin e ligjit për bashkëpunimin me Task Forcën e Hetimeve Speciale të EULEX-it, me konsensus, dhe e shikon atë si tregues të përkushtimit të Shqipërisë në integrimin europian dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në deklaratë.
“Task Forca ka mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara. Presim një hetim të thellë dhe të mirë, të bërë me transparencë dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve lokale dhe kombëtare”, shtoi ambasada.