Lajm 03 May 12

Shqipëria Hap Dyert për Hetimin për Trafikim Organesh

Qeveria miratoi të mërkurën projektligjin, duke i dhënë qasje të paprecedentë në territor të saj, një ekipi prokurorësh të EULEX-it, për të hetuar dyshimet se UÇK-ja ka marrë organe të të burgosurve serbë të luftës.

Besar Likmeta
BIRN
Tiranë
Misioni i Rendit të Ligjit të BE-së, EULEX, zyrtarë në Kosovë 

Duke folur gjatë një takimi të kabinetit, kryeministri Sali Berisha tha se ligji i cili do të dërgohet në parlament së shpejti, i jep Task Forcës speciale të EULEX-it për hetimin e trafikimit të organeve, të gjitha mjetet për një hetim të plotë në territorin e Shqipërisë.

“E vëmë besimin e plotë në ekipin dhe me këtë ligj krijojmë bazën e nevojshme ligjore për të siguruar mbështetjen tonë të plotë”, tha Berisha, duke shtuar se prokurori special i EULEX-it do të ketë fuqinë për të hulumtuar edhe vendet e dyshuara të varreve masive.

“Jemi më shumë të interesuar që këto dyshime të hetohen me seriozitet absolut”, shtoi ai.

Dick Marty, raportuesi për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, publikoi një raport në dhjetor të 2010, që lidhi ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi, për krim të organizuar dhe i akuzoi se kanë marrë organe të të burgosurve serbë dhe të tjerë në Shqipëri.

Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë mohuar akuzat dhe janë pajtuar të marrin pjesë në hetimin ndërkombëtar në akuza.

Projektligji i draftuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë dhe EULEX-i, pason një vizitë në janar në Tiranë të John Clint Willimson, prokurori i SHBA-së që udhëheq grupin punues hetues në dyshimet e prezantuara nga raporti i Martyt.

Nëse ligji miratohet do t’i japë fuqi grupit punues të EULEX-it për të thirrur dëshmitarë dhe të kërkojnë vende në territor të Shqipërisë, përmes kërkesave të ndihmës ligjore të dyanshme.

Grupi punues do të ketë të drejtën “të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri; inspektojnë vende, mbledhin prova dhe marrin çdo material që vlerësohet si i rëndësishëm për të hetuar dhe dënuar”, thuhet në projektligj.

Grupi punues do të bashkëpunojë në hetimin e drejtpërdrejtë më prokurorin e përgjithshëm në Shqipëri, ndërsa të gjitha autoritetet e përfshira do të kenë mandat nga ligji për të ruajtur konfidencialitetin e hetimit.

Ligji përcakton se autoritetet vendore nuk mund të refuzojnë të bashkëpunojnë me grupin punues me justifikimin se krimet nën hetim “janë të natyrës politike”.

Të gjithë anëtarët e grupit punues së EULEX-it në Shqipëri do të gëzojnë imunitet diplomatik, sikurse dhe zyrat dhe automjetet e tyre.

Edhe dëshmitarët, ose personat për të cilët ka interes, të thirrur nga EULEX-i për të dhënë prova, do të gëzojnë imunitet të prokurorisë, gjatë periudhës së hetimit.

blog comments powered by Disqus