Lajm 18 Jul 12

Shpallen Fajtorë për Krimet e Luftës në Derventa

Gjykata e Qarkut në Doboj dënoi Ivica Perkovicin, ish-anëtar i Këshillit të Mbrojtjes Kroate, HVO, me pesë vjet e gjysmë burgim për krime kundër civilëve serbë në qytetin verior të Bosnjës, Derventa.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Doboj

Perkovici, ish-anëtar i Brigadës së 103-të të Derventës të forcave kroate të Bosnjës, u shpall fajtor se ka rrahur Zeljko Stajcicin gjatë prillit dhe majit 1992 dhe iu ka thënë anëtarëve të tjerë të HVO-së ta keqtrajtonin.

Perkovici gjithashtu u shpall fajtor se ka marrë pjesë në torturimin e Borko Trifunovicit në Armatën Popullore Jugosllave, JNA, Qendra në Derventa, duke “e goditur në kokë me grushte”.

“Para kësaj, ai e detyroi të mbante dy qirinj në duar, duke e kërcënuar se ‘nëse qirinjtë fikeshin, jeta e tij do mbaronte gjithashtu’”, thuhet në aktgjykim.

Perkovici, i cili jeton në Kroaci dhe u mbrojt ndërsa ishte në liri, nuk mori pjesë në shpalljen e aktgjykimit.

Edhe pse Prokuroria e Qarkut në Doboj kërkoi që Perkovici të gjykohet sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, aktgjykimi është bërë sipas Kodit Penal të ish-Jugosllavisë.

Gjyqtarja kryesuese e Trupit Gjykues, Hatidza Hodzic, shpjegoi se Kodi Penal i ish-Jugosllavisë, ishte në fuqi në kohën kur u krye krimi dhe është më i favorshëm për të pandehurin.

Palët kanë të drejtën të apelojnë vendimin e shpallur nga Gjykata e Qarkut në Doboj, te Gjykata Supreme e Republikës Srpska.

blog comments powered by Disqus