Katër ish-anëtarë të policisë së Beli Manastirit janë shpallur fajtorë për krime ndaj civilëve në Kroaci, në vitin 1991.
Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Beograd, të martën shpalli Zoran Vuksicin, Slobodan Strigicin, Branko Hrnjakun dhe Velimir Berticin, fajtorë për vrasjen e gjashtë civilëve me kombësi joserbe, për burgosje të paligjshme, shantazh, dhunim të integritetit trupor dhe torturë.
Gjyqtari kryesues, Dragan Mirkovic, tha se të akuzuarit, si anëtarë të forcave të armatosura të policisë të Rajonit Autonom të Serbisë së Sllavonisë Lindore, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, dhunuan ligjin ndërkombëtar dhe Konventën e Gjenevës, duke qenë se kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore popullatën civile.
Zoran Vuksici, i njohur si “I Verdhi”, të cilin shumë dëshmitar e përshkruan si njeri të afërt me Vojislav Seseljin dhe Partinë Radikale Serbe, u dënua me 20 vjet burgim, sepse sipas Gjykatës, është vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka marrë pjesë në vrasjen e Adam Baricit, katër anëtarëve të familjes Cicaku dhe Ivo Malekut.
Slobodan Strigici u dënua me 10 vjet burgim, Branko Hranjak me pesë, dhe Velimir Bertic me një vit e gjashtë muaj.
“Të gjithë të akuzuarit i trajtuan civilët në Beli Manastir dhe në zonën përreth, në mënyrë të paligjshme, duke i burgosur në mënyrë të paligjshme në stacionin e policisë lokale, ku i torturuan, rrahën, shantazhuan dhe i detyruan të këndonin këngë çetnike”, tha gjyqtari Mirkovic.
Gjatë konfliktit në vitin 1991, Beli Manastir ishte pjesë e Rajonit Autonom Serb të Slavonisë Lindore, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, entitet i vetë-shpallur serb në territorin e Kroacisë.
Për krimet e kryera në këtë pjesë të Kroacisë, Tribunali i Hagës ka akuzuar liderët serbë Goran Hadzicin, ish-presidentin e vetë-shpallur të rajonit dhe Vojislav Seseljin, lider i Partisë Radikale Serbe.
Gjyqi për Beli Manastirin filloi më 2010, pasi Prokuroria e Shtetit të Republikës së Kroacisë ia kaloi rastin Serbisë. Gjatë procesit dyveçar, janë marrë në pyetje 67 dëshmitarë.
Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka thënë se do të apelojë aktgjykimin e Strigicit, Hrnjakut dhe Berticit.