Aktivistët e të drejtave të njeriut nga 50 vende u thirrën për të treguar solidaritetin e tyre me viktimat e kohës së luftës nga qytetit i Prijedorit, që u ndaluan të përkujtonin publikisht vuajtjet e tyre nga kryebashkiaku i qytetit.
![]() |
| Foto e përdorur në fushatën online “Ndal Mohimit të Gjenocidit” I Foto nga stopgenocidedenial.org |
Organizatorët e ngjarjes së quajtur “Dita e Shiritave të Bardhë” u kanë kërkuar njerëzve në Bosnjë dhe në gjithë botën të vënë nga një shirit të bardhë në krahët e tyre, ose çarçaf të bardhë në dritare, më 31 maj, për të treguar respektin e tyre ndaj të gjitha viktimave të mizorive të kryera në Prijedor dhe në gjithë botën.
Më parë, kryebashkiaku i qytetit Prijedor, Marko Pavic, kishte ndaluar mbledhjen e familjeve të viktimave, që donin të përkujtonin vdekjet e boshnjakëve dhe kroatëve të vrarë në qytet gjatë luftës, duke thënë se një ngjarje e tillë do të “cenonte reputacionin e qytetit”.
| Shiriti i Bardhë në Bosnjë: |
|
Sipas gjykimeve të Tribunalit të Hagës, ICTY, forcat serbe morën kontrollin e qytetit të Prijedorit në veriperëndim të Bosnjës, më 30 prill 1992. Më 31 maj, autoritetet serbe të Bosnjës lëshuan një dekret për gjithë joserbët të shënojnë shtëpitë e tyre me flamurë, ose çarçafë të bardhë, dhe të mbanin një shirit të bardhë, kur dilnin jashtë shtëpisë. Kjo ishte dita e parë e fushatës së asgjësimit që rezultoi në ekzekutime, kampe përqendrimi në Omarska, Keraterm dhe Trnopolje, përdhunime në masë dhe spastrim etnik të më shumë se 94% të boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës nga territori i komunës së Prijedorit. Anëtarë të Misionit Monitorues të Komisionit Europian dëshmoi se gjatë vizitës në një fshat të përzierë serb/mysliman në fund të gushtit 1992, panë që shtëpitë boshnjake ishin shënuar me flamurë të bardhë, për t’i dalluar nga shtëpitë serbe. |
Pavici refuzoi që organizatat boshnjake t’i përshkruanin vrasjet si gjenocid. Në dëshminë e tij, ai tha se nuk mund të pranojë një terminologji dhe se gjenocidi në Prijedor nuk është vërtetuar, duke e akuzuar organizatat se po politizojnë përkujtimin.
Refik Hodzic nga Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale thotë se Pavici ka dhunuar të drejtën e viktimave për të përkujtuar.
“Marko Pavic nuk mund të vendosë për viktimat se si duhet të quajnë përkujtimoren e vuajtjes së tyre. Nuk kanë dhunuar asnjë ligj të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke i vënë emrin përkujtimores ‘20 vjet nga gjenocidi’”, shpjegon Hodzici.
Mbështetësit e Ditës së Shiritave të Bardhë janë të irrituar veçanërisht sepse të mërkurën komuna e Prijedorit shënoi 20-vjetorin e sulmit të ushtrisë boshnjake në qytet, kur 15 ushtarë u vranë dhe 25 anëtarë të forcave serbe u plagosën.
Edin Ramulic nga shoqata e viktimave Izvor mendon se të gjitha viktimat nga Prijedori duhet të kenë status të barabartë.
“Është e tmerrshme të shihet se viktimat nga një grup tjetër etnik lejohen të bëjnë atë çka neve na u ndalua. Policia nuk e pa të nevojshme të thotë se muzika vajtuese e performuar në kujtim të viktimave serbe dhunonte tolerancën e tyre ndërfetare, edhe pse kjo është çka na thanë neve kur na ndaluan të mbanim përkujtimoren”, tha Ramulic.
Hodzici thotë se politika e komunës ndaj viktimave është vetëm një pjesë e politikës së Republikës Srpska për të mohuar krimet e kryera ndaj boshnjakëve, si rrethimi i Sarajevës, ose gjenocidi i Srebrenicës.
“Kjo politikë është rezultati i frikës që autoritetet e Republikës Srpska kanë që ngjarje të tilla do të dëmtojnë shtetësinë e tyre imagjinare. Për shkak të ndalimit, përkujtimoret e viktimave do të mbahen në qytetet të tjera si Sarajevë ose Beograd”, thotë Hodzici.
![]() |
| Aksion paqeje i organizuar nga “Gratë në të Zeza”. Një trëndafil për çdo viktimë përdhunimi në Prijedor I Foto nga Beta |
Në Beograd, viktimat e Prijedorit nderohen në dy ngjarje të veçanta - një në kujtim të të gjitha grave të përdhunuara në Prijedor gjatë luftës, dhe tjetri, Dita e Shiritit të Bardhë, që do të mbahet të premten pasdite.
Milos Urosevic, nga OJQ-ja në Beograd “Gratë në të Zeza”, që organizuan të dyja ngjarjet, thotë se qëllimi është t’u kujtohet njerëzve horroret e krimeve të kryera, duke thënë se përdhunimi sistematik është përdorur si armë lufte.
“Fillimisht, donim të tregonim solidaritet me njerëzit e Prijedorit përkujtimorja e të cilëve u ndalua. E pastaj donim t’i tregonim njerëzve dhe shtetit se nuk duam të harrojmë krimet e kryera dhe nuk e pranojmë relativizmin e tanishëm të krimeve”, thotë Urosevic.
Përveç se në Beograd, përkujtimore do të mbahen në qytetet e Bosnjës në Sarajevë, Zenicë dhe Sanski Most, ndërsa organizatorët e ngjarjes kanë thënë se aktivistë nga 54 vende do të marrin pjesë në shënimin e Ditës së Shiritave të Bardhë .
OJQ-të dhe ekspertë, si nga Bosnja ashtu dhe nga Serbia, pajtohen se shtetet iu interesojnë viktimat vetëm nga etnia e tyre, por përmendën edhe mungesën e mbështetjes së publikut në lidhje me ballafaqimin e të shkuarës.
“Kush, përveç shoqatës së viktimave dhe OJQ-ve në Prijedor e ngritën zërin kundër ndalimit të Pavicit? Askush. Kush iu bashkua ‘Grave në të Zeza’ në Beograd dhe protestës së tyre prekëse të mërkurën? Askush”, përfundon Hodzic.