Lajm 18 Jun 12

Seselji Refuzon T’iu Përgjigjet Akuzave për Përbuzje Ndaj Gjykatës

Gjyqi i tretë për përbuzje ndaj gjykatës kundër të pandehurit për krime lufte, Vojislav Seselj, përfundoi të hënën në Tribunalin e Hagës.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Ndoshta gjyqi më i shkurtër i mbajtur në Tribunalin e Hagës, ICTY, përfundoi brenda disa minutave, kur i akuzuari, Vojislav Seselj, refuzoi të marrë pjesë.

Seselji, lideri i Partisë Radikale Serbe dhe i pandehur për krime lufte, shpjegoi se gjyqtarët mund të miratojnë aktgjykimin menjëherë, meqë ai nuk do ta apelojë.

Seselji akuzohet për përbuzje ndaj gjykatës, pasi refuzoi të heqë nga uebfaqja e tij katër nga librat e tij dhe dokumente të tjera që përmbajnë informacion për dëshmitarët e mbrojtur.

Kjo është përpjekja e dytë për të filluar gjyqin. Më 12 maj, kur u mbajt seanca e parë dëgjimore, Seselji refuzoi të marrë pjesë, sepse ICTY nuk lejoi që menaxhuesi i rastit të tij, të ishte i pranishëm në gjyq.

Sipas vendimit të marrë nga Trupi Gjykues i ICTY-s, rasti kundër Seseljit për përbuzje ndaj gjykatës nuk është sfiduar, kështu që nuk ka nevojë që të përfshihet menaxhuesi i rastit.

“Nemanja Sarovic ishte menaxhuesi i rastit për seancën kryesore. Ai ka qenë gjithashtu menaxhuesi i rasteve të mëparshme për përbuzje ndaj gjykatës. Tani, papritur, refuzojnë dhe nuk më lejojnë ta regjistroj. Po dhunoni vazhdimisht të drejtat e mia”, tha Seselji.

Duke qenë se Seselji refuzoi të dëshmojë si dëshmitari i vetëm në rast, si dhe refuzoi të japë argumentet e tij mbyllëse, gjyqtari kryesues, Stefan Trechsel, vendosi të mbyllë rastin.

“Në rregull, prezantimi i provave ka përfunduar, refuzuat të mbroheshit, që është e drejta juaj”, tha Trechseli.

Përveç akuzave kryesore ndaj Sesejlit për persekutim në baza politike, racore dhe fetare, dhe për dhunim të zakoneve të luftës gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi midis viteve 1991 dhe 1993, ICTY e ka akuzuar Seseljin, gjithashtu, dy herë për përbuzje ndaj gjykatës.

Seselji ka thënë se është i pafajshëm për përbuzje ndaj gjykatës, duke thënë se veprimet e tij nuk e kanë ndikuar procesin ligjor.

Ende pritet të caktohet data për aktgjykimin.

blog comments powered by Disqus