Lajm 29 Jun 12

Seselji Dënohet për Përbuzje ndaj Gjykatës

Tribunali i Hagës, ICTY, ka dënuar Vojislav Seseljin, liderin politik dhe i pandehur për krime lufte, me dy vjet burgim për përbuzje ndaj gjykatës.

 Vojislav Seselj I Photo by Beta

Trupi Gjykues I ICTY ka dënuar Seseljin për herë të tretë, për shkak të refuzimit të tij për të hequr nga uebfaqja e tij katër libra dhe dokumente të tjera që kanë informacione në lidhje me dëshmitarë të mbrojtur rreth gjykimit kryesor ndaj tij.

Në gjyqin kryesor, Seselji, lideri i Partisë Radikale të Serbisë, po gjykohet për dyshime rreth krimeve të luftës dhe krime ndaj njerëzimit të kryera midis vitit 1991 dhe 1994 kundër popullatës jo-serbe nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe provinca e Vojvodinës në Serbi.

Gjyqtari kryesues, Stefan Trechsel, tha se me veprimet e tij, Sesejli ka penguar qëllimisht drejtësinë, duke refuzuar të bëjë diçka që është i detyruar ta bëj.

“Mos bindja ndaj urdhrave të tilla është një çështje serioze, që jo vetëm ndërhyn në administrimin e drejtësisë por edhe rrezikon të cenojë besimin e publikut në Tribunal, dhe në mënyrë të tillë, efikasitetin e funksionit të saj juridik, duke përfshirë aftësinë për të dhënë masa efektive mbrojtjeje atëherë kur është e nevojshme’ shtoi gjyqtari Stefan Trechsel.

Kur iu kërkua nga Gjyqtari Trechsel për t’u ngritur në këmbë, kur po lexohej aktgjykimi, Seselji refuzoi.

“Unë, te ngrihem para jush, jeni i çmendur. Unë jam një Dukë Cetnik”, tha ai.
Ky është gjyqi i tretë që po mbahet kundër Vojislav Seseljin, për përbuzje ndaj gjykatës.

Në rastin e parë kundër tij, të përfunduar më 19 maj, 2010, u dënua me 15 muaj burgim për zbulim të detajeve personale të dëshmitarëve të mbrojtur, në librin që ka shkruar ai vetë.

Në rastin e dytë, të përfunduar më 31 tetor, 2011, Seseli u dënua me 18 muaj burgim për zbulim të të dhënave konfidenciale në lidhje me dëshmitarë të mbrojtur, në një libër tjetër që ka shkruar. Të dy librat ishin në qendër të dy rasteve për përbuzje ndaj gjykatës.

Më parë, Seselji tha se nuk është fajtor, duke shtuar se veprimet e tij nuk e kanë ndikuar procesin ligjor. ICTY nuk ka bërë të ditur se kur Seselji do të kryej dënimin.

Ndërsa vendimi për gjyqin për krime të luftës do të jepet në mars të vitit 2013.

blog comments powered by Disqus