Lajm 04 Jul 12

Serbia Trembet për Serbët e Kosovës Pas Largimit të ICG-së

Ndërsa Kosova pregatitet për pavarësi të plotë në shtator, zyrtarët e Beogradit shprehin shqetësimin për implikimet që kjo do të ketë për komunitetin serb në Kosovë.

Bojana Barlovac
BIRN
Beograd

Borislav Stefanovic, negociatori serb në bisedimet me Kosovën, tha se vendimi i Grupit Drejtues për Kosovën, ISG, për të përfunduar periudhën e ashtuquajtur “pavarësi e mbikqyrur”, paraqet disa rreziqe për serbët e Kosovës.

“Ky vendim është i rrezikshëm, sepse të gjithë  e dinë se një Kosovë e ashtuquajtur e pavarur nuk është as e përcaktuar, as një formacion i dekriminalizuar demokratik”, tha ai.

“Në një farë mënyre, kjo i jep Prishtinës liri shtesë për të bërë lëvizje unilaterale, të cilat mund të jenë shumë të rrezikshme”, shtoi Stefanovic.

Të hënën, ISG-ja, e cila ka mbikëqyrur progresin e shtetit të ri dha dritën e gjelbër që Kosova të vazhdojë drejt një pavarësie të plotë, jo të mbikqyrur, në shtator.

Kosova deklaroi pavarësinë në 2008, por Serbia ende e konsideron si provincën e saj jugore, dhe veriu i Kosovës kontrollohet nga serbët  besnikë të Beogradit.

Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, shprehu besimin e tij se cështja e veriut të Kosovës mund të zgjidhet pa dhunë, ose ndarje.

“Çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhej në bazë të tre parimeve, kompromis për kërkimin e një zgjidhjeje politike jo të dhunshme, jo ndarje, në mënyrë që veriu i Kosovës të mbetet në Kosovë, dhe pa mundësi që çështja të mbetet e ngrirë”, tha Feith të hënën, në Vjenë.

Oliver Ivanovic, sekretari në largim i shtetit në Ministrinë për Kosovën në Serbi, beson gjithashtu se përfundimi i pavarësisë së mbikqyrur mund të shkaktojë probleme sigurie për komunitetin serb në Kosovë.

Ai parashikoi se ndryshimi do të rezultojë me “presione shtesë mbi serbët”.

Ai tha se pret më shumë përkushtim në të ardhmen nga ana e misionit të BE-së, EULEX, dhe misionit të NATO-s, KFOR, për të siguruar mbrojtje për serbët në Kosovë, edhe pse dyshon se do të mjaftojë për të kompensuar largimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Serbët e Kosovës thonë se janë indiferentë ndaj vendimit, meqë nuk e kanë pranuar kurrë pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, ose ISG-në, sipas Krstimir Pantic, kryebashkiak i pjesës serbe të qytetit të ndarë të Mitrovicës.

Serbët e veriut të Kosovës kanë vazhduar të bllokojnë rrugë kryesore në veri për të dërguar mesazhin “se nuk duan të integrohen në institucionet e Kosovës”.

blog comments powered by Disqus