Shoqata e Refugjatëve në Serbi nxiti autoritetet e reja për të zgjidhur çështjet e mbetura në lidhje me kërkesat për prona në vendet e ish-Jugosllavisë.
Shoqata e Refugjatëve, një koalicion prej 65 organizatash refugjatësh, i dërgoi një letër të hapur me kërkesat e tyre, presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikolic; presidentit të Parlamentit, udhëheqësve të grupeve parlamentare dhe kryeministrit të ardhshëm, Ivica Dacic.
Me letrën e tyre, Shoqata dërgoi edhe një peticion të nënshkruar nga 80,000 persona, në të cilën nënshkruesit u kërkuan autoriteteve të zgjidhnin tre problemet kyç të refugjatëve - të drejtat e pronësisë, standarde të barabarta në gjykimin e krimeve të luftës në të gjithë rajonin dhe çështjen e personave të zhdukur.
Anëtarët e koalicionit ua rikujtuan autoriteteve se ka ende rreth 500,000 persona që jetojnë në Serbi të cilët ende nuk kanë zgjidhur çështjet e aseteve të tyre me autoritetet në Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni.
Ata i kërkuan parlamentit të ri të miratojë rezolutën për respektimin e të drejtave të refugjatëve, personave të zhvendosur dhe viktimave të tjera të ish-vendeve jugosllave.
Rezoluta e propozuar parashikon dialogun ndërqeveritar midis Serbisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe qeverive të Kroacisë dhe të Sllovenisë për të zgjidhur këto çështje urgjente në bazë të Marrëveshjes së Vjenës për Ndarje.
Marrëveshja e Vjenës parashikon që të gjitha të drejtat dhe asetet duhet t’u kthehen atyre që i humbën, sikur ishte më 31 dhjetor 1990, pak muaj para fillimit të luftërave të shpërbërjes jugosllave.
Shoqata kërkon gjithashtu integrimin e duhur të refugjatëve, duke përfshirë banim të përhershëm për ata që jetojnë në kampe refugjatësh dhe pagë mujore për ata që jetojnë në kushte të vështira.
Ata i bën gjithashtu thirrje shtetit për të formuar një fond të përbashkët që do të ndihmojë të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit që jetojnë aktualisht në Serbi.
Të dhënat zyrtare të Zyrës së Komisionerit për Refugjatë në Serbi thonë se ka 66,400 refugjatë nga Bosnja dhe Kroacia dhe 210,000 persona të zhvendosur brenda vendit, nga Kosova në Serbi.