Zyrtarë të Beogradit thonë se nëse Tribunali i Hagës liron ish-liderin e UÇK-së për krime lufte, kjo do të cenojë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Ndërsa Serbia pret me padurim aktgjykimin e Tribunalit të Hagës ndaj ish-liderit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, liderët thonë se lirimi do të rrezikojë marrëdhëniet ende të brishta mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për se çfarë pret nga vendimi i dhomës së apelit të Tribunait të Hagës të enjten për Haradinajn, ish-kryeministër i Kosovës, kryeprokurori për krime lufte në Serbi, Vladimir Vukcevic, thotë se ndihet pozitiv, por i kujdesshëm për shanset për dënim.
“Jam në dijeni se provat kundër tij janë të dobëta dhe ne kemi ndihmuar me atë informacion që kemi, por Tribunali i Hagës u tregua joprofesional dhe i pakujdesshëm”, tha Vukcevic për gazetën ditore serbe “Informer”, duke iu referuar sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve në ICTY.
Ai shtoi se 19 dëshmitarë të mundshëm për rastin janë vrarë.
Këshilltari i presidentit serb, Tomislav Nikolic, Oliver Antic, tha për mediat të mërkurën se lirimi do të rrezikojë dialogun e kryesuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri Ivica Dacic ndërkohë tha se lirimi “do të konfirmojë deklaratat e atyre që thonë se Tribunali i Hagës nuk është gjykatë dhe se qëllimi i vetëm është të plotësojë një agjendë të paracaktuar politike”.
Rasim Ljajic, shefi i këshillit kombëtar serb në ICTY, tha më parë se “asgjë e mirë” nuk mund të pritej në lidhje me rastin e Haradinajt.
Në anën tjetër,shumë kosovarë kanë frikë se presioni nga Serbia mund të lëkundë vendimin përfundimtar.
Tribunali i Hagës liroi Haradinajn dhe të pandehurin tjetër, Idriz Balaj, më 2008 nga akuzat për krime lufte pas një gjyqi trevjeçar. I pandehuri i tretë, Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet për trajtim mizor dhe tortura.
Një rigjykim i pjesshëm i treshes filloi në korrik të vitit 2010, pasi prokurori apeloi duke thënë se gjykata nuk kishte dhënë kohë të mjaftueshme për të dëgjuar prova nga dy dëshmitarë kyç.