Lajm 02 Jul 12

Serbia Konfiskon Plackitjet e Luftës

Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi kërkoi të hënën që pronat e kriminelit të luftës të dënuar rishtazi, Ljuban Devetak, të konfiskohen, mbi bazën se ishin marrë përmes krimeve të luftës.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Në bazë të një hetimi të filluar në vitin 2010 nga Vladimir Vukcevic, kryeprokuror i Serbisë për Krime Lufte, prokuroria hedh dyshime se Ljuban Devetak, i cili u shpall fajtor për krime lufte në Kroaci, përfitoi në mënyrë të paligjshme nga lufta në Kroaci gjatë viteve 1990.

Më 26 qershor, Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Beograd dënoi Devetakun me dënimin maksimal prej 20 vitesh  burgim për krime lufte kundër civilëve në fshatin Lovas në Kroaci.

Sipas aktgjykimit, Ljuban Devetak ishte komandant i autoritetit ushtarako-civil në fshat, dhe si i tillë ishte përgjegjës për vrasjen e 40 civilëve jo-serbë.

Zyra e prokurorit në Serbi ka thënë se asetet e tanishme të Devetekut tejkalojnë fitimet e tij aktuale dhe kanë vlerën e më shumë se 1,500,000 dinarëve [13,000 Euro].

Në gjyqin për krime në Lovas, dëshmitarët dëshmuan se Devetaku dhe anëtarë të tjerë të autoriteteve ushtarako-civile morën para, stoli dhe sende të tjera me vlerë ndërsa mbajtën fshatin e Lovas nën rrethim.

Prokuroria për momentin po bën hetime financiare kundër 161 personave që dyshohen se kanë përfituar financiarisht nga krimet e luftës që kanë kryer.

blog comments powered by Disqus